E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Zgjedhor dhe Prokuroria, votim me konsensus

29/12/2008  Kuvendi sot hedh votë për dy projektligje të rëndësishme

Deputetët pritet të votojnë në seancën e sotme plenare, të fundit për këtë vit, ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor dhe projektligjin e propozuar nga Këshilli i Ministrave “Për Prokurorinë”. Pritet që seanca të kalojë pothuajse e qetë, pasi dy partitë e mëdha, PD e PS, kanë rënë dakord për të dy nismat ligjore. Ligjvënësit e këtyre dy forcave politike kanë mbajtur të njëjtin qëndrim si ndaj Kodit të ri Zgjedhor, ashtu dhe ndaj draftit ligjor, i cili përcakton organizimin dhe funksionimin e organit të akuzës. Pas konsensusit mes dy partive kryesore në vend mbi dekretin e Presidentit për ligjin elektoral, nuk mbetet gjë tjetër veçse miratimi i tij sot në Kuvend, duke mbyllur në këtë mënyrë debatin e tejzgjatur mbi këtë çështje. Edhe një herë tjetër Partia Socialiste dhe ajo Demokratike i rikthehen negociatave për Kodin e ri Zgjedhor, duke iu përgjigjur kërkesës së Presidentit të Republikës për rishikimin e neneve që lidhen me përcaktimin e datës së zgjedhjeve me një dispozitë kalimtare. Pritet që seanca e datës 29 dhjetor të miratojë dispozitën kalimtare të propozuar dhe të miratuar nga Komisioni për Reformën Zgjedhore ligjin elektoral. Por ligji i ri zgjedhor pritet të ketë oponencë vetëm nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane, të cilat e kanë vlerësuar këtë Kod si përjashtues për forcat e vogla politike. Zvarritja e diskutimeve dhe marrja e një vendimi nga ana e Komisionit për Reformën Zgjedhore solli dhe rebelimin e Partisë Socialiste, e cila bojkotoi seancat parlamentare deri në momentin kur Kodi të kalonte në Kuvend. Por pas një kohe jo shumë të shkurtër, gati pas tri javësh, komisioni i dha zgjidhje kësaj çështjeje, duke diskutuar vetëm dekretin e kreut të shtetit dhe duke lënë jashtë propozimet e Lëvizjes Socialistë për Integrim. Konsensusi mes dy partive më të mëdha politike në vend do të shtrihet edhe për projektligjin “Për Prokurorinë”. Projektligji në fjalë është mbështetur nga përfaqësues të lartë të demokratëve dhe socialistëve gjatë diskutimit të mbledhjen e Komisionit parlamentare të Çështjeve Ligjore, zhvilluar javën e kaluar. Nënkryetari i komisionit, deputeti socialist Fatmir Xhafaj, ka deklaruar në emër të forcës politike që përfaqëson mbështetjen ndaj draftit. Sipas tij, projektligji është tërësisht i mbështetur në Kushtetutën e vendit dhe nuk krijon asnjë përplasje dhe organi i Prokurorisë kurrsesi nuk vihet nën presionin e ekzekutivit. Në fakt, PS pak kohë më parë ishte shprehur kundër draftit duke nënvizuar se përmes tij kërkohet të ushtrohet presion politik ndaj Prokurorisë. Por më pas, ata konstatuan se në projektligj ishin marrë parasysh edhe rekomandimet nga ndërkombëtarët.

Kodi i ri Zgjedhor

Pas kthimit në Kuvend të ligjit zgjedhor nga Presidenti i Republikës, PD e PS ranë dakord për miratimin e ndryshimeve të kërkuara nga kreu i shtetit. Demokratët dhe socialistët miratuan në komisionin parlamentar të reformës zgjedhore një dispozitë kalimtare, e cila i hapë rrugë kreut të shtetit të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare vitin e ardhshëm. Pas miratimit në seancë e publikimit në Fletoren Zyrtare, kreu i shtetit ka në dispozicion 7 ditë kohë për të dekretuar datën e zgjedhjeve, që duhet të jetë një ndër 2 të dielave të fundit të qershorit 2009.

Projektligji “Për Prokurorinë”

Projektligji “Për Prokurorinë”, i propozuar nga qeveria u miratua me shumicë dërrmuese votash, me konsensusin e deputeteve të deputetëve të PD-së dhe atyre të PS-së në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Çështjeve Ligjore. Megjithatë ky draft ligjore pati kontestimet e grupeve të interesit, në këtë rast Prokuroria e Përgjithshme dhe të shoqatës së prokurorëve. Po ashtu projektligji u kundërshtua edhe nga LSI-ja. Ligji i ri, që për nga rëndësia në reformimin e sistemit të drejtësisë, renditet i dyti pas ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor” dhe kërkon miratim me shumicë të cilësuar votash, pra me 84 vota.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›