E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Zgjedhor, ja çfarë roli duhet të luajë policia në zgjedhje



Në Kodin e ri Zgjedhor është sanksionuar edhe roli dhe detyrat që duhet të përmbushë policia e shtetit gjatë procesit të zgjedhjeve. Sipas Nenit 109, në rast se në qendrën e votimit rrezikohet rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit, KQV-ja ka të drejtë të thërrasë organet e policisë së shtetit. Vendimi për kërkimin e ndihmës për vendosjen e rendit i njoftohet menjëherë KZAZ-së. Kryetari, zëvendëskryetari ose çdo anëtar i Komisionit të Qendrës së Votimit, njofton menjëherë Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve për incidentin e ndodhur. KZAZ-ja ia përcjell kërkesën menjëherë organeve të policisë së shtetit, ndërsa menjëherë pas rivendosjes së rendit në qendrën e votimit komisioni i qendrës së votimit duhet t’u kërkojë organeve të policisë së shtetit që të largohet. Sipas Kodit Zgjedhor, gjatë procesit të votimit, pranë qendrave ku votohet lejohet prania e punonjësve të armatosur të policisë së shtetit dhe punonjësit e policisë së burgjeve brenda territorit të burgut ose vendit të paraburgimit, ku është ngritur qendra e posaçme e votimit, që të vëzhgojnë respektimin e rendit gjatë procesit të votimit. Punonjësit e policisë do të ruajnë kutitë e votimit, gjatë procesit të depozitimit të tyre në KZAZ. Dërgimi i tyre bëhet me automjet, në të cilin ndodhen anëtarët dhe sekretari i KQV-së, si dhe një punonjës policie, i cili ka detyrë të garantojë shoqërimin dhe mosprekjen e kutisë/kutive të votimit me fletët e votimit dhe të kutisë së materialeve të votimit. Sipas Kodit,
punonjësi i policisë është efektiv i përhershëm i policisë së shtetit, përjashtuar policinë kriminale, i ngarkuar me detyrën e shoqërimit nga KQZ-ja, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Polici i shoqërimit duhet në çdo moment të mbajë uniformën e policisë së shtetit dhe të ketë në një vend të dukshëm numrin rendor të caktuar nga KQZ-ja dhe mbiemrin e tij me përmasa të dukshme.

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›