E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme: “Policia, e pavarur nga vendimet politike”



Tiranë - Pas akuzës së re të Partisë Socialiste se po krijohet policia elektorale, ka reaguar Ministria e Brendshme. Zëdhënësi i Ministrisë hedh poshtë akuzat që, sipas tij, tentojnë të ulin figurën e Policisë së Shtetit. “Për herë të parë sot, me ligj, policia e shtetit është tërësisht e ndarë dhe e pavarur nga ndikimi i vendimmarrjes politike. Për herë të parë sot, Policia e Shtetit ka larguar nga radhët e saj të gjithë ata që bashkëpunonin me trafikantët e armëve dhe drogës. Për herë të parë sot, Policia e Shtetit ka larguar nga radhët e saj të gjithë ata që dekonspironin operacionet e policisë kundër krimit, për shkak të të cilëve gjatë viteve 1997-2005 u vranë në detyrë 180 punonjës të policisë. Ministria e Brendshme shpreh shqetësimin e saj në lidhje me sulmet politike ndaj atyre drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë pasur rezultatet më të larta në goditjen ndaj trafikantëve të armëve dhe drogës. Ministria e Brendshme gjen rastin për të shprehur mbështetjen e saj të palëkundur ndaj të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, e veçanërisht ndaj atyre që kanë goditur me ashpërsinë e ligjit grupet e krimit të organizuar, ndaj atyre që kanë bërë të mundur zbulimin e autorëve të vrasjeve të vjetra, ndaj atyre që u kanë sekuestruar trafikantëve sasi të mëdha droge. I nxisim ata të mos përkulen ndaj presioneve që mund t’u vijnë. Ministria e Brendshme siguron opinionin publik se ashtu si deri tani, institucionet e zbatimit të ligjit në përbërje të saj do të përmbushin misionin e tyre vetëm mbi bazën e ligjit dhe në respekt të lirive dhe të drejtave themelore të individit”, -thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme.

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›