E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Zgjedhjet në rrezik, po krijohet policia elektorale

Lutaj: “Pas këtyre emërimeve, roli i policisë në procesin zgjedhor mbetet i dyshimtë”. Deputeti socialist: “Në krye të policisë, militantë të PD-së dhe njerëz me precedentë”

Shaban Sulçe

Partia Socialiste jep alarmin për rrezikun që u kanosen zgjedhjeve si rezultat i emërimit në krye të strukturave të policisë së shtetit të njerëzve me precedentë penalë apo që njihen si militantë të Partisë Demokratike. Deputeti socialist Pirro Lutaj tha se emërimet e reja në postet drejtuese të policisë së shtetit po rrezikojnë jo vetëm besueshmërinë e këtij institucioni, por edhe procesin zgjedhor dhe rolin e policisë së shtetit në këtë proces. Lutaj tha se drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe ata të policisë së shtetit kanë lënë mënjanë objektin e punës së tyre, pra luftën kundër krimit dhe trafiqeve, por po planifikojnë ngritjen e një infrastrukture policore të motivuar politikisht në funksion të zgjedhjeve të vitit 2009.
“Veprimet në drejtim të lëvizjes së pakriter dhe politikisht të motivuar të kuadrove të policisë që, për hir të së vërtetës, ka shoqëruar politikën e Ministrisë së Brendshme qysh me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, si dhe vendimi më i fundit i qeverisë për të marrë në punë rreth 1600 punonjës mbi organikat ekzistuese të ministrive, baraz me të paktën 5 ministri të mëdha aktuale, janë një veprim i qartë për një sinjal ogurzi, në fermentim, me synim vënien e strukturave të policisë së shtetit nën diktatin politik të maxhorancës qeverisëse duke cenuar rëndë rolin dhe funksionet kushtetuese të policisë së shtetit e njëkohësisht duke rrezikuar jo vetëm besueshmërinë e këtij institucioni, por në radhë të parë, e mbi të gjitha, procesin zgjedhor dhe rolin e policisë së shtetit në këtë proces”, - tha Lutaj.

Emërimet
Deputeti socialist iu referua emërimeve të fundit në krye të komisariateve të policisë dhe disa drejtorive të policisë në qarqe. Sipas Lutajt, në krye të këtyre strukturave janë caktuar njerëz me sfond të theksuar politik, ish-anëtarë të komisioneve zgjedhore të PD-së dhe njerëz me precedentë penalë, të cilët janë në procese gjyqësore apo që janë akuzuar për vepra të ndryshme.
Lutaj iu referua emërimit në krye të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier të Shemsi Premçit, të Latif Kullës në krye të Komisariatit të Fierit, të Xhavit Cicit si zëvendësdrejtor i Policisë së Qarkut Tiranë, të Mehmet Rrapos në krye të Komisariatit të Kuçovës etj. “Lista me njerëz të tillë të rikthyer në policinë e shtetit është shumë e gjatë”, - tha Lutaj.

Situata
Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj, tha se shqetësimi i bërë publik nga ana e selisë rozë nuk ka lidhje vetëm me krijimin e policisë elektorale, por edhe me përkeqësimin e situatës kriminale dhe trafiqeve në Shqipëri. Ai iu referua raporteve ndërkombëtare, të cilët nënvizojnë situatën aspak të mirë në radhët e policisë së shtetit. “Shqetësimi që kërkon të bëjë publik sot PS-ja nuk është vetëm krijimi i policisë elektorale tashmë të konfirmuar, por edhe përkeqësimi i situatës kriminale dhe trafiqeve në Shqipëri, të evidentuara dhe të thëna disa herë nga partnerët ndërkombëtarë nëpërmjet raporteve të tyre. Sa për t'ju dhënë një shembull tepër domethënës, referuar pikërisht lëvizjeve në polici, në progresraportin e BE-së për 2008-n thuhet shprehimisht: “Transferimi i oficerëve të policisë mbi bazën e përvojës dhe kualifikimit evidenton hendeqe në aftësinë e tyre, sidomos në departamentet e specializuara. Për më tepër, praktika e largimit të stafit kompetent, e të trajnuar tashmë, nga postet e tyre, po e cënon rëndë efikasitetin e policisë. Një problem tjetër është edhe mbajtja ende në punë e stafit, i cili ka dështuar në kapërcimin e testimit bazë të kompetencave".
Shqetësimet e ngritura më sipër, PS-ja po i ndjek dhe do të vazhdojë t’i ndjekë me vëmendje e do të godasë ashpër çdo punonjës të strukturave të policisë së shtetit që do të guxojnë të shkelin statusin e tyre ligjor dhe do të cenojnë procesin e ardhshëm elektoral”, - tha deputeti socialist, Pirro Lutaj.

Emërimet që denoncon PS-ja dhe komentet e bëra nga deputeti Lutaj

1-Ahmet Premçi -Drejtori i Policisë së Qarkut Fier. I pandehur për ngjarjet e 14 shtatorit, i përjashtuar nga policia më 1998-n për abuzime në detyrë, pak para ngjarjeve të 14 shtatorit. Në të katër qarqet, ku ka punuar këta 3 vjet, nuk është dalluar për gjë tjetër, përveçse për abuzime me detyrën.

2. Latif Kulla, shefi i Komisariatit të Policisë Fier. Aktivist i spikatur politik, anëtar i Komisionit Zgjedhor të PD-së në Delvinë.

3. Xhavit Cici, zëvendësdrejtor i Policisë së Qarkut Tiranë. I përjashtuar nga policia e shtetit për shkelje betimi gjatë zgjedhjeve të pushtetit lokal.

4-Naim Manuka. Drejtori i Drejtorisë së Kufirit Durrës. Larguar nga policia e shtetit për braktisje detyre dhe fshehje duke qenë shef komisariati.

5.Mehmet Rrapo. Shefi i Komisariatit të Policisë Kuçovë.
I akuzuar për trafik. Tri herë në ndjekje penale për shpërdorim detyre dhe kryerje të veprimeve arbitrare. Aktualisht, nën përgjegjësi penale dhe gjykim në gjendje të lirë nga Gjykata e Faktit Berat.

6. Urim Rexhepi. Shefi i Komisariatit të Rinasit. Aktivist i spikatur i PD-së në fushatat zgjedhore të 2005-s dhe 2007-s, ndonëse në 2007-n ishte shef i Komisariatit në Sarandë.

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›