Kush e ka fajin për problemet e EULEX
Nuk ka mision që është quajtur ndonjëherë më i rëndësishëm se misioni “EULEX Kosova” për BE në fushën e rendit dhe të ligjit. Nuk ka mision që është përgatitur më gjatë dhe për të cilin janë harxhuar aq shumë pará që në përgatitje. Nuk ka as mision, për të cilin BE ka shpenzuar aq shumë energji. Dhe në fund, ky mision po tregon më shumë dobësitë sesa fuqinë e BE. Sot Bashkimi Evropian shumë më shpejt mund të angazhohet në Kongo, Liban apo Çad sesa në Kosovë, ndonëse Kosova, së paku gjeografikisht, është në Evropë. Krejt problemi është i thjeshtë dhe është politik. Gabimi i BE është se ka menduar se mund të përfitojë pajtimin e Beogradit për vendosjen e EULEX në Kosovë me premtime se Serbisë do të mund t’i jepet statusi i kandidatit deri në fund të këtij viti, ndërsa më vonë ky afat u shty për vitin 2009 e tash dhe ky afat duket i paarritshëm. Serbia me kënaqësi e ka pritur këtë rast. E vetëdijshme se nuk po e plotëson kushtin kryesor, arrestimin e gjeneralit Mlladiç, Serbia kushtëzon dhe i bën shantazh tash tërë BE. Serbia madje edhe do të thotë se nuk po lejohet ecja e saj drejt BE, për shkak të statusit të Kosovës dhe po i bëhen kushte të reja.
E gjitha kjo mund të evitohej. Serbia nuk ka pasur nevojë të pyetet fare për EULEX. Për 22 shtete të BE, Kosova është shtet i pavarur dhe nuk pyetet shteti fqinj a mund të dërgohet apo jo një mision në fqinjësi të saj. Në BE thonë se, kur është miratuar vendimi për misionin e EULEX, statusi nuk ka qenë ende i caktuar dhe se ky vendim ka qenë i bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB. Kjo do të thotë se edhe vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk kanë nevojë ta pyesin Serbinë për misionin e BE në Kosovë, sepse Beogradi, madje edhe sipas Rezolutës 1244, nuk ka fuqi të ushtrimit të pushtetit në Kosovë.
Bashkimi Evropian është gjetur para një problemi praktik. Serbia, përmes serbëve të Kosovës, ka shtuar praninë e saj në Kosovë. Madje, edhe në Raportin e Komisionit Evropian thuhet se Serbia vazhdon të mbështesë institucionet paralele të Serbisë në territorin e Kosovës. Kosova ka shpallur pavarësinë, është njohur nga 52 shtete, por ajo nuk e ka nën kontroll tërë territorin e saj. Në disa pjesë të Kosovës zbatohen ligjet e Serbisë. E meqenëse serbët e Kosovës nuk duan ta pranojnë EULEX, sepse Beogradi iu ka thënë ashtu, BE dëshiron të merret vesh me Beogradin. Dhe, sapo janë marrë vesh, tash vënë edhe kërkesa të reja të Beogradit, madje me kërcënim se, nëse Brukseli nuk pranon kushtet e Beogradit, atëherë Rusia do t’i dalë përsëri në ndihmë Serbisë dhe do ta bllokojë vendimin në OKB. E pse ka nevojë për vendim në OKB, kur është marrë vendimi nga BE është thënë se vetë Brukseli vendos për EULEX dhe nuk ka nevojë për ndonjë rezolutë të re të OKB për këtë. Në anën tjetër, EULEX edhe po të fillonte misionin sot, kjo do të ishte me vonesa të mëdha. Ndërkohë, siç është parë në vetë raportin e Komisionit Evropian, sundimi i rendit dhe i ligjit në Kosovë është një katastrofë e vërtetë. Vetë Komisioni Evropian thotë se faj të madh për këtë ka fakti se ka disa pushtete paralele në Kosovë, sepse qeveria e Kosovës nuk e shtrin autoritetin në tërë territorin e vendit.
Në BE vazhdojnë me fjalë, të cilat i kemi dëgjuar edhe më parë. Vazhdojnë të thonë se “EULEX do të punojë në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”. Thonë se “EULEX do t’u ndihmojë të gjithëve në Kosovë pa dallim përkatësie kombëtare” dhe se “është në interes të të gjithëve që të ketë sundim të rendit dhe të ligjit”. Pajtohemi tërësisht me këtë, por nuk po shohim deri tash ndonjë ndihmë. Madje, nëse përmbushen kriteret e Beogradit për vendosjen e EULEX në veri të Kosovës, atëherë EULEX do të ndihmojë në krijimin e një kaosi edhe më të madh legal. Do të parashtrohet pyetja se cilat ligje do t’i zbatojë ky mision dhe punën e cilave institucione do të mbikëqyrë. Në dokumentin, me të cilin është marrë vendimi për misionin e EULEX (Plani i përbashkët për veprim), gjithkund thuhet se ky mision do të punojë me institucionet e Kosovës. Nëse pranohen kërkesat e Serbisë, atëherë mund të pranohet që në disa pjesë të Kosovës të mos zbatohen ligjet e Kosovës dhe të mos punojnë organet e Kosovës. Me këtë BE përmes EULEX do të mund të bëhet një ndihmëse në vënien e themeleve për ndarjen e Kosovës. Kjo ndarje nuk është më ndonjë skenar i fshehtë i dikujt, por Serbia këtë skenar është duke e zbatuar në terren. Një pakujdesi apo humbje e koncentrimit e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, para disa javësh bëri që ai edhe publikisht të thotë atë që po e bëjnë fshehurazi, nën heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare, se ndarja e Kosovës për Serbinë mund të jetë opsion.
Bashkimi Evropian, i impresionuar me rëndësinë e madhe të misionit të EULEX, tash është në pozitë që të kërkojë çfarëdo rrugëdaljeje. Tash ky mision dhe suksesi i tij po bëhet, siç thonë disa diplomatë, “edhe më i rëndësishëm se vetë Kosova”. Ky është një mendim egoist dhe mund të jetë kështu për BE, por jo edhe për Kosovën. Dështimi i BE në misionin në fushën e rendit dhe të ligjit në Kosovë, pra në një territor evropian, të cilin një ditë BE do ta integrojë në gjirin e saj, mund të jetë një goditje e rëndë dhe e turpshme për kredibilitetin e politikës së mbrojtjes dhe të sigurisë së BE. Por kështu është kur kemi shtete të BE që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ky është problem më i madh sesa kundërshtimi i Serbisë apo Rusisë. Vendet që janë kundër pavarësisë së Kosovës në BE jo vetëm që mund të kërcënohen me tërheqje nga EULEX, por mund të bllokojnë edhe përdorimin e instrumenteve dhe të mjeteve komunitare të BE për angazhimin në Kosovë. Vetë funksionimi i BE është i tillë që, kur nuk pajtohen të gjitha shtetet, shumica është humbëse. Në këtë rast s’ka shumë rëndësi se numri i atyre që nuk e ka njohur Kosovën është vetëm 5 shtete, ndërsa 22 e kanë njohur. Vendimet merren me konsensus. Fakti se “të gjitha shtetet e kanë mbështetur EULEX”, nuk ndihmon shumë për të tejkaluar problemin në të cilin BE e ka vënë veten në Kosovë.
Problemi tjetër në këtë fushë është edhe fakti se nuk është menduar ndonjë skenar alternativ as nga Kosova e as nga bashkësia ndërkombëtare. Kosovës i është dashur të mendojë që në mënyrë individuale me shtetet që e njohin shtetësinë e saj të bëjë marrëveshje bilaterale, apo edhe në grup si për shembull me Grupin Drejtues Ndërkombëtar ISG, që të ftohen të japin ndihmë në fushën e rendit dhe të ligjit, nëse BE, për shkak të ndasive të brendshme të saj, nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë. Kosova nuk mund të pranojë që të mos zbatohet pakoja e Ahtisaarit, sepse ajo ia ka nënshtruar kësaj pakoje, madje edhe vetë Kushtetutën. Kosova ka pranuar që pakoja e Ahtisaarit madje të ketë përparësitë ndaj Kushtetutës. Nëse bashkësia ndërkombëtare vazhdon të zvogëlojë rëndësinë e pakos së Ahtisaarit, e cila për të mos irrituar serbët me emrin e fituesit të çmimit “Nobel”, përmendet si “Propozimi gjithëpërfshirës i statusit”, atëherë një ditë edhe kosovarët do të fillojnë ta pyesin veten se, përse të jetë vetëm Kosova ajo që duhet ta implementojë këtë marrëveshje që as BE nuk do që ta implementojë. Kjo javë në të cilën po hyjmë sot nuk do të sqarojë shumë. Nga deklaratat që do të dëgjojmë nga Brukseli, Beogradi, Nju-Jorku dhe Prishtina nuk do të kuptojmë shumë. Më e rëndësishme sesa deklarimet publike dhe rreshtat nëpër dokumente do të jenë marrëveshjet që do të arrihen me dyer të mbyllura e për të cilat askush nuk do të pranojë se janë bërë...