Kodi, data e zgjedhjeve caktohet në muajin janar
TIRANË- Ka marrë fund çdo dilemë që lidhet me Kodin Zgjedhor. Kuvendi ka miratuar me votën dërrmuese të dy partive të mëdha dhe aleatëve të tyre, raportin e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore me propozimin për të shtuar në Kodin Zgjedhor një dispozitë kalimtare, sipas të cilës, kreu i shtetit është i detyruar që 7 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji të shpallë datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Por, përpara se të votohej, forcat politike janë përfshirë edhe një herë në debatin për dekretin e kreut të shtetit. Në emër të komisionit të posaçëm, deputeti republikan, Arian Madhi, ka lexuar përpara deputetëve raportin mbi dy mbledhjet dhe vendimet që ndërmori komisioni në fjalë, ku vendimi i Presidentit për të rikthyer ligjin zgjedhor konsiderohet i gabuar. Sipas raportit, kreu i shtetit, Bamir Topi, në rastin e dekretit për rikthimin për rishqyrtim të Kodit në Kuvend, ka keqinterpretuar përcaktimet që bëhen në këtë kod, si dhe afatet që përcakton Kushtetuta për shpalljen e datës së zgjedhjeve. Kjo me logjikën se, ai, në vendimin e vet, e ka llogaritur 9-mujorin që i duhet për të shpallur datën e zgjedhjeve, duke iu referuar kohës së mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme dhe jo mbarimit të mandatit të Kuvendit. “Nga përmbajtja e letrës rezulton se Presidenti e ka keqkuptuar afatin 9-mujor që i referohet fundit të mandatit të Kuvendit, dhe jo ditës së mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve sipas këtij kodi, siç arsyetohet në motivimin e dekretit”, - thuhet në këtë raport. Ndërkohë që, më tej, komisioni duke iu referuar Kushtetutës, thekson se në thelb të ligjit zgjedhor nuk ka asnjë shkelje të ndonjë afati kushtetues për mbajtjen e zgjedhjeve. “E gjejmë të pavend dhe të pabazuar, si në aspektin Kushtetues, edhe në atë ligjor, referencën që Presidenti bën në Kushtetutë në letrën e tij. Kushtetuta, pas ndryshimeve të 21 dhjetorit përcakton se zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin fundit të mandatit”,- shprehet komisioni në raportin e vet. Pavarësisht këtyre vlerësimeve, komisioni i ka propozuar Kuvendit që të votojë ndryshimin e kërkuar nga Presidenti, ndërkohë që përfaqësuesi i LSI-së, Pëllumb Xhufi, dhe ai i PDK-së, Frrok Gjini, kanë kërkuar që Kodi të ndryshojë dhe në disa pika të tjera.
Kryeministri Berisha nuk ka qenë i pranishëm gjatë votimit të ligjit për Prokurorinë dhe Kodin Zgjedhor
Votimi i konsensusit, mungon Berisha
TIRANË- Konsensusi paraprak i arritur mes pozitës dhe opozitës për Kodin Zgjedhor dhe projektligjin e Prokurorisë, ka bërë që mazhoranca të mos vihet fare në vështirësi për sigurimin e votave të duhura për miratimin e tyre në seancë plenare. Madje, Kryeministri Sali Berisha nuk ka denjuar fare të vijë në Kuvend për të marrë pjesë në votim, pavarësisht se në të votoheshin dy ligje, për të cilat ka pasur jo pak debate gjatë muajve të fundit, për shkak se njeri ka të bëjë me zgjedhjet dhe tjetri vendos fatin e Prokurorisë. Berisha është mjaftuar me praninë e deputetëve dhe ministrave të vet, ndërsa personalisht, edhe pse nuk ka pasur ndonjë aktivitet të rëndësishëm, nuk ka marrë pjesë as gjatë diskutimit dhe as në votimin e këtyre dy ligjeve. Pavarësisht mungesës së tij, të dy ligjet e mësipërme kanë mundur të sigurojnë një shumicë dërmuese votash, duke marrë secili nga 116 vota pro. Por, sa i përket Ligjit Zgjedhor, Kuvendi votoi vetëm përfshirjen në të të një dispozite të re kalimtare, ku përcaktohet detyrimi për kreun e shtetit për të shpallur datën e zgjedhjeve 7 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ndërkohë që ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” përcakton një sërë ndryshimesh të rëndësishme, duke filluar që nga heqja e imunitetit për të gjithë prokurorët, dhënia e së drejtës ministrit të drejtësisë për të bërë inspektime në organin e akuzës dhe për të paraqitur në Kuvend një raport vlerësues për punën e këtij organi, apo edhe dhënia e së drejtës prokurorëve për t’u kthyer në punë, në rast se fitojnë betejat në gjykata.