E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Reforma zgjedhore të bëhet në kohë

Ndërsa për Prokurorinë, Topi ka kërkuar që të shoqërohet nga një debat i thellë profesional

TIRANË-

Drafti i ri për Prokurorinë duhet të shoqërohet nga një debat i gjerë politik, por edhe profesional. Mesazhi vjen nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përmes një interviste dhënë për VOA-n. I pyetur për situatën e krijuar në vend lidhur me përmbajtjen e këtij projektligji, presidenti Topi ka deklaruar se, çështjet që kanë të bëjnë me ligje të rëndësishme që i takojnë sistemit të drejtësisë, detyrimisht duhet të paraprihen nga një kombinim i interesave të politikës, por edhe i grupeve të interesit që janë në institucione dhe jashtë tyre. “Të jenë ndryshime që bëhen në favor të forcimit të kësaj linje, që në Shqipëri në mënyrë definitive të kthehet shteti i së drejtës, të merren në konsideratë interesat e qytetarit që kërkojnë më shumë drejtësi, të luftohet problemi i korrupsionit. Unë mendoj se në Shqipëri po punohet mirë në dy linja: po punohet në një linjë të debatit politik, por edhe një lloj auto-reformimi brenda sistemit të drejtësisë që i takon KLD, gjykatave dhe grupeve të interesit. Është një proces transport. Uroj të intensifikohet që njerëzit të shikojnë që ata që do t’i përfaqësojnë në krye të gjykatave, të jenë njerëz që dalin në mënyrë transparente para publikut, por mjaft e rëndësishme është që këto gjëra të arrihen në kohë”,- tha dje Topi. Sipas tij, një nga standardet që kërkohet për në BE dhe NATO është që sistemi i drejtësisë të jetë plotësisht në standardet që kërkohen nga partnerët perëndimor. “Për sa i përket reformës elektorale, kam qenë dhe do të jem katalizator i nxitjes së dialogut politik që reforma elektorale, ndryshe nga retrospektiva, kur jemi mësuar që ajo të bëhet në minutat e fundit para zgjedhjeve, ajo të bëhet në kohë. Ndërkohë, të përgatisim një infrastrukturë zgjedhore, ku dhe partitë të kenë kohë për të bërë fushatën elektorale dhe njerëzit të kenë kohë për të reflektuar dhe më së fundi të kemi mundësi dhe unë jam i besimit se zgjedhjet politike të vitit 2009 të jenë zgjedhje të lira, të ndershme, të denja për një Shqipëri që kërkon të integrohet në Evropë”, - tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›