E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi i ri Penal, Kuçi: Jap dorëheqjen nëse nuk hiqen nenet që cenojnë median

Hajredin Kuçi

Zv.kryeministri dhe ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka paralajmëruar se do të japë dorëheqjen nëse nuk hiqen dy nenet e Kodit të ri Penal të cilat cenojnë lirinë e medias. Në një letër drejtuar gazetarëve, Kuçi i ka kërkuar Presidentes Atifete Jahjaga që të mos dekretoi ligjin. Nëse kjo nuk ndodh ai është zotuar se do të kërkojnë ndryshimin e ligjit në mënyrë që neni 37 dhe 38 të mos jenë pjesë e Kodit të ri Penal të Kosovës. Ligji pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.

Nëse Kuvendi nuk i amandemanton këto dy nene dhe Kodi hynë në fuqi me këto dy nene, kështu si janë sot, unë atë ditë do të jap dorëheqje nga pozita ime si Ministër i Drejtësisë dhe anëtar i Qeverisë, ngase nuk dua të jem personi që kufizon apo jep përshtypjen se kontribuon në kufizimin e lirisë dhe punës së mediave të lira dhe të pavarura, në funksion të interesit publik, shprehet Kuçi.

Pozicioni i tij lidhet qartë me të kaluarën, pasi para se të hynte në politikë ka qenë kryeredaktor i gazetës Bota e Re. /F.Stafa/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›