E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lubonja: PD-PS rrezik për monopolizim të politikës

 

ADI SHKEMBI

Një ditë pas letrës së hapur drejtuar krerë-ve të shtetit për t'i dhënë një zgjidhje grevës së urisë, intelektualët e njohur Fatos Lubonja e Kujtim Çashku komentojnë firmën e tyre. Sipas publicistit Lubonja, vihet re rreziku në rritje i monopolizimit të skenës politike nga dy partitë e mëdha. "Arsyeja pse e kam mbështetur është se shikoj një rrezik në rritje të monopolizimit të politikës nga dy partitë, PD-PS, që nënkupton dhe ngushtim hapësirash të lirisë, ngushtim hapësirash për të vërtetën. Kjo është në kuptimin më të përgjithshëm pse e kam mbështetur", theksoi Lubonja. Në të njëjtën kohë, ai kritikoi edhe heshtjen e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për zgjidhjen e kësaj krize politike, duke shtuar se heshtja e tyre është shenjë arrogance me të cilën kanë bërë këtë ligj. Kjo sipas tij, është mospërfillje e opinionit publik, dhe tregues i një rreziku që ato paraqesin kur nuk kanë bërë aspak dialog kur kanë ndryshuar Kodin Zgjedhor, por kanë vendosur në mënyrë arbitrare. "Mendoj që kjo heshtje, pikërisht duhet thyer. Duhet ndëshkuar, njëkohësisht, dhe duhen mbështetur të gjitha forcat, që aspirojnë për më shumë liri dhe demokraci në Shqipëri, për ta thyer këtë heshtje në favor të dialogut dhe konsensusit, e gjithëpërfshirjes, që është një fjalë e rëndësishme që ka hyrë në këto ditë", theksoi Lubonja. Ndërsa regjisori i njohur Kujtim Çashku, thekson faktin se gjithmonë e më shumë klasa politike duhet të jetë e prirur drejt filozofisë së përfshirjes dhe jo asaj të përjashtimit. "Mendoj, në të njëjtën kohë, që duhet të gjenden zgjidhje, gjithmonë formula politike që ofrojnë zgjidhje, sesa forma represive. Dhe, nga ana tjetër, ajo çfarë është më e rëndësishme, në vend të kulturës së dialogut, që duhet të zërë vendin kryesor, të mos zhvillohet kultura e ndëshkimit", theksoi Çashku. Sipas tij "kështu që këto janë faktorë shumë të rëndësishëm, që tregojnë një prapambetje të klasës politike shqiptare dhe nuk japin shenja të emancipimit të saj, dhe pse, si një demokraci e brishtë që jemi, nuk po faktojmë një pjekuri, në gjithë mënyrën se si e konceptojmë politikën, duke arritur që të mos ngjallim shumë shpresë te qytetarët, por në një farë mënyre, ta vëmë atë përpara dilemave të ëndrrave e të shpresave të tyre". Në të njëjtën kohë regjisori i njohur i bëri thirrje presidentit të vendit, Bamir Topi që të shfrytëzojë të gjitha hapësirat, që ka për të gjetur një zgjidhje, duke ulur në tryezën e bisedimeve klasën politike. "Është koha për të mos luajtur rëndë me fatet e Shqipërisë", u shpreh Çashku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›