E Shtunë, 31 Tetor 2026

Preç Zogaj: Duhen bisedime për krizën, presim një sinjal nga Edi Rama

 

ADI SHKEMBI

Partia Socialiste duhet të hedhë hapin e parë drejt zgjidhjes së grevës së urisë. Deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, flet në një intervistë ekskluzive për gazetën "Panorama", për ngujimin shtatëditor të dhjetë anëtarëve të Kuvendit. Sipas tij, kreu i PS-së duhet të shprehet lidhur me këtë çështje, ndërkohë që shtoi se në dy votimet e fundit, në zgjedhjet e vitit 2005 dhe 2007 u provua se Lëvizja Socialiste për Integrim është partia e tretë më e votuar në vend. "E vetmja parti që ka marrë vota të konsiderueshme dhe ka krijuar një format elektoral deri tani ka qenë dhe është LSI-ja. Ajo doli në zgjedhjet e kaluara e vetme. Në qoftë se sistemi u ndryshua për të korrigjuar "Dushkun", nuk duhet të përdoret produkti i "Dushkut" për të penalizuar dy herë një parti", tha Zogaj.
Zoti Zogaj, a keni një vlerësimin për grevën e urisë së dhjetë deputetëve, ka hyrë në ditën e shtatë?
Unë nuk e di a janë ezauruar të gjitha mundësitë e dialogut dhe bisedimeve në tavolinë. Do kisha dashur që ky problem i madh të gjejë një zgjidhje në tryezën e bisedimeve. Greva e urisë është një formë ekstreme e protestës, kjo dihet. Është provuar edhe nga përvoja 17-18 vjeçare e Shqipërisë. Prandaj them se a ekzistojnë mundësitë e pashfrytëzuara për të gjetur zgjidhje jo me një formë proteste të natyrës ekstreme siç është greva e urisë. Ne ndihemi shumë keq kur kolegët tanë janë në një grevë urie për një çështje që lidhet me zgjedhjet, që lidhet me një parim kyç të funksionimit të demokracisë. Unë nuk dua të futem në çështje që i takojnë komisionit bipartizan dhe ekspertëve, por të gjithë e dinë se partia e tretë në Shqipëri, e vetmja parti që ka marrë vota të konsiderueshme dhe ka krijuar një format elektoral deri tani ka qenë dhe është LSI-ja. Ajo doli në zgjedhjet e kaluara e vetme. Në qoftë se sistemi u ndryshua për të korrigjuar "Dushkun", nuk duhet të përdoret produkti i "Dushkut" për të penalizuar dy herë një parti.
Ju jeni një partizan i zgjedhjeve të lira, a ju duket e drejtë kauza e kësaj greve?
Kjo është një çështje që duhet të zgjidhet. Duhen dhënë garanci. Ekziston një konflikt mes LSI-së dhe Partisë Socialiste. Këtu nuk ka mirëbesim mes këtyre dy partive të së njëjtit spektër. Por ama nuk është fjala për të shpikur një parti. Kjo është një parti që në dy zgjedhje ka marrë vota. Garancitë janë të domosdoshme. Midis komisioneve të fryra dhe zgjedhjeve problematike më mirë fryjmë komisionet, pastaj shohim si kanë dalë përqindjet. Zgjedhjet e vitit 2001 nuk mund të merren si kriter. Ato kanë dalë nga një sistem që është anuluar.
A duhet të ketë negociata për zgjidhjen e krizës?
Patjetër që duhet të ketë negociata. Unë i bëj thirrje edhe lidershipit të partisë sonë për ta parë sërish këtë problem.
Kush duhet ta ndërmarrë i pari hapin për negociata?
I pari hapin për negociata duhet ta marrë njeriu më i zgjedhur që ka vendi.
Cili është ky?
Ai që është më i kthjellëti. Por, ne duhet t'i shohim gjërat me vështrimin e një shumice, që merr përgjegjësi për gjithçka.
Si e komentoni qëndrimin e kreut të PS-së, Edi Rama, i cili ende nuk është shprehur, por ka heshtur?
Është një qëndrim tërësisht i pashpjegueshëm. Kjo është një grevë e pazakontë, duhet patjetër një qëndrim. Kjo është një heshtje e çuditshme që reflekton atë rivalitet, të cilin e shpjegova. Por kur flitet për rregulla loje, këtu nuk duhen parë xhelozitë brenda llojit. Rregullat e lojës janë të vlefshme për të gjithë. Këtu ka dy dilema: Nga njëra anë është përpjekja për të mos fryrë komisionet dhe nga ana tjetër garancitë që kërkojnë palët në zgjedhje. Këtu nuk po flasim për parti që duan të provohen. Çdo ditë lindin parti dhe nuk është e thënë që të përfaqësohen në komisione. Këtu kemi të bëjmë me parti që janë provuar në zgjedhje dhe prandaj them se ne do ta shikojmë me gjakftohtësi dhe me zgjuarsi jo se kemi shumicën dhe shpërndajmë bonuse, por në kuptimin që vota e shumicës ndikon për ta zgjidhur këtë problem.
Është i mjaftueshëm qëndrimi i kryeministrit Berisha se ai negocion vetëm me PS-në, pasi ajo është zgjedhur nga elektorati si partia më e madhe e opozitës? A duhet të ketë negociata më të gjera?
Negociatat parimore, negociatat kryesore janë me partinë më të madhe të opozitës, sepse ne na kërkohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë, por edhe nga nevojat që ka vendi që Kodi të zgjidhet me opozitën. Në këtë kuptim, partneri numër një për Partinë Demokratike është Partia Socialiste. Imagjinoni sikur problemi të ishte me Partinë Socialiste. Por në këtë situatë që është krijuar duhet gjakftohtësi dhe vizion, sepse është edhe ky problem: ta zëmë që ne duam të zgjidhim ngërçin me LSI-në dhe PDK-në që janë në grevë dhe duke zgjidhur këtë çështje ne mund të humbasim Partinë Socialiste. Duhet llogaritur edhe kjo. Sinjali i Edi Ramës është shumë i rëndësishëm. Në qoftë se Edi Rama jep sinjalin e parë që dëshiron ta zgjidhë problemin, për ne bëhet plotësisht e lehtë. Ne duam ta zgjidhim, ju e kuptoni këtë. Por nëse ne duam ta zgjidhim, zgjidhja jonë lexohet si një diversion ndaj partisë më të madhe të opozitës, siç është PS-ja, atëherë nuk kemi arritur asgjë, përkundrazi e kemi bërë akoma më të vështirë zgjidhjen, e kemi ndërlikuar akoma më shumë çështjen e zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme që PS dhe Rama të shprehen, të japin një mendim. Këtu nuk ka asgjë joreale, LSI është një parti e votuar. Të gjithë shqiptarët e dinë se parti e tretë në Shqipëri është LSI deri tani.
A mund të shtohet numri i partive në komisionet zonale?
Duhet vendosur një kriter, sepse nuk mund të bëhet që kushdo të vijë, pasi pastaj bëhen më shumë komisionerë dhe numërues sesa votues. Por këtu kemi të bëjmë me dy parti që kanë deputetë, kanë marrë vota, por ka edhe pak emocione në qarkullim se kanë probleme me partitë e mëdha. Ata duhet t'i mëshojnë më shumë nevojës për dialog, për zgjidhje. Sepse edhe të dalësh dhe të lëshosh akuza pa mbarim kundër partnerëve dhe pastaj të thuash se nuk funksionon dialogu dhe kjo nuk është mënyrë shumë elegante. Megjithatë, duhet shkuar drejt një zgjidhje, greva të mbarojë dhe Parlamenti të vazhdojë punën normalisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›