E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK paralajmëron: Kryesitë në rrethe të gjitha në grevë urie

 

Kryesitë e PDK-së në rrethe kanë vendosur dje, që të hyjnë në grevë urie nëse nuk ka reagim nga PD dhe PS për kërkesën e deputetëve të kësaj partie që kanë hyrë në grevë urie.
Kështu burime pranë kësaj force politike bënë të ditur mbrëmë për gazetën se është marrë vendim, që duke nisur që nga mbrëmja e sotme, nëse qëndrimi i dy forcave të mëdha politike nuk do të ndryshojë, të gjithë anëtarët e kryesisë së degëve të PDK në rrethe do të hyjnë në grevë urie. Kjo grevë do të zgjasë deri në plotësimin e kushteve të vendosura nga dhjetë deputetët grevistë, të cilët janë të ngujuar prej tetë ditësh në Kuvend. Lajmi i grevës së urisë së anëtarëve të kryesive në rrethe, konfirmohet edhe nga një njoftim për shtyp i degës së Sarandës. "Kryesia e PDK, dega Sarandë e mbledhur më datën 16.11.2008, diskutoi me shqetësim të madh situatën e rëndë dhe kritike të deputetëve, të cilët kanë hyrë në grevë urie dhe, nga ana tjetër duke u përballur me indiferentizmin total të kryeministrit të Shqipërisë, njëkohësisht edhe kryetar i partisë më të madhe në pushtet, Sali Berisha dhe kryetarit të partisë më të madhe opozitare, Edi Rama, në unanimitet vendosi: Nëse nuk ka reagim nga këto dy forca politike deri mbrëmjen e ditës së hënë, do të hyjmë në grevë urie në mbështetje të deputetëve tanë grevistë deri në plotësimin e kërkesave tona", thuhet në njoftimin për shtyp. Prej shtatë ditësh qindra qytetarë kanë protestuar përpara selisë së Kuvendit, për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor që kanë hartuar ekspertët e dy partive të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›