Maqedonia çon Greqinë në Hagë
Maqedonia do të dërgojë Greqinë përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, sepse ka penguar anëtarësimin e saj në NATO. Lajmi bëhet i ditur nga Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshovski. Në një komunikatë për shtyp ai
ka sqaruar se arsyeja për marrjen e këtij vendimi ka qenë shkelja nga ana e Greqisë së Marrëveshjes së Përkohshme mes
Shkupit dhe Athinës, e cila është firmosur nga të dy palët në vitin 1995. Sipas ministrit Milloshovski, kjo marrëveshje
parashikon që Greqia të mos të pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në organizata ndërkombëtare. Por Greqia bëri të
kundërtën në takimin e NATO-s në pranverën e këtij viti në Bukuresht, ku bllokoi dhënien e ftesës për anëtarësim për Maqedoninë. Sipas palës maqedonase, marrëveshja është regjistruar si e tillë edhe pranë OKB-së, dhe konsiderohet si akt ndërkombëtar. Për këtë arsye shkelja e saj mund të çojë në ngritjen e një procesi gjyqësore. “Aplikimi për fillimin e një rasti të tillë do të duhet të përfundojë me një vendim përfundimtar, i cili do të jetë detyrues për të dy palët”, mësohet të ketë thënë Ministri i Jashtëm, Antonio Milloshovsi. Ai gjithashtu ka theksuar se mbeten të hapur në të gjitha aspektet e marrëveshje së përkohshme, sidomos për procesin e negociatave me Greqinë për emrin, nën patronazhin e ndërmjetësit të OKB-së.