Ekstradohet rrëmbyesi që shkaktoi vrasje të dyfishtë
Një histori e frikshme kriminale rikthehet në kujtesë, pas ekstradimit të Mihal Shkëmbit, 37-vjeçarit nga Korça që njihet si personi që rrëmbeu një grua të re, e cila ra viktimë e vrasjes dhe më pas vetëflijimit të të shoqit. Ditën e djeshme, nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Athina i shqiptarit Mihal Shkëmbi, 37 vjeç nga Korça. Sipas vendimit të Gjykatës së Pogradecit, atij i është caktuar masa e sigurisë "arrest në burg", për kryerjen e veprës penale të "rrëmbim, ose mbajtje peng personi në bashkëpunim". Më datë 11 shtator 2007, Mihal Shkëmbi, atëherë 36-vjeçar, në bashkëpunim me Adriatik Zenullarin dhe një person të tretë të paidentifikuar, kanë shkuar tek agjencia e furgonave në Pogradec, ku kanë rrëmbyer 16-vjeçaren Thëllëza Muça, së bashku me fëmijën e saj të lindur prej pak muajsh. Pas rrëmbimit, ata i kanë mbajtur peng, duke i mbyllur në një shtëpi në fshatin Drenovë të Korçës, pronë e Mihal Shkëmbit. E dëmtuara, së bashku me fëmijën kanë arritur të largohen, duke zbritur nga ballkoni me anë të një çarçafi. Më 29 korrik të këtij viti, Thëllëza Muço ka shkuar në burgun e sigurisë së lartë në Peqin për të takuar bashkëshortin e saj, Mynyr Muça. Atje, burrë e grua kanë gjetur vdekjen gjatë pasdites së 29 korrikut, pasi 31-vjeçari Mynyr Muça, nga Pogradeci, i dënuar me 22 vjet burg për tentativën e vrasjes së një oficeri policie, ka vrarë të shoqen dhe më pas veten. Sipas policisë që hetoi pas ngjarjes, dyshimet për krimin e dyfishtë ishin se ai ndodhi në orarin e takimit me bashkëshorten e tij 26-vjeçare Thellëza Muça. I ndjeri Mynyr Muça ka shkulur kordonin e ventilatorit dhe me të i ka marrë jetën të shoqes. Menjëherë më pas ka futur duart në kabllon e energjisë elektrike, duke humbur edhe ai jetën në mënyrë të menjëhershme. Dyshimet e policisë ishin se bashkëshorti nuk mund ta duronte më gjendjen që kishte të njohur, lidhur me ngjarjen e vitit 1997 kur Thëllëza u mor peng dhe u keqtrajtua bashkë me fëmijën e saj, nga i ekstraduari i djeshëm dhe grupi i tij që synonin ta trafikonin, duke e shndërruar në prostitutë.