Maldini: “Sekreti i Del Pieros, puna”
Kush e di se sa herë ka luajtur kundër Juventusit. Dhe gjithmonë ka qenë i njëjti tension. Paolo Maldini, gjatë 24 viteve me fanellën e Milanit, ka luajtur kundër Juves kur në lojë ka qenë kampionati, Liga e Kampioneve dhe trofe të ndryshem. Të dielën nuk luhet për titull, por për të mos humbur terren nga Interi kryesues. Gjithsesi, sfida është shumë tërheqëse midis dy skuadrave të njohura si anti-Inter. “Është një ndeshje e rëndësishme, më pak fizike e më shumë teknike”, - thotë Maldini. Nëse Paolo do të jetë në fushë, do të gjejë përballë Aleks del Pieron, simbolin e Juventusit. “Nëse do të luaj do të jem i kënaqur, pasi do të përballem me një djalë të zotin, që ka dhe merita edhe dhunti jo të zakonshme. E kam parë se sa kujdeset në stërvitje edhe gjatë pushimeve në periudhën e verës. Ky është sekreti i tij: puna. Ai është një magjistar, së bashku me Bufonin. Janë dy emblemat e Juves. Qëndruan dhe besuan në projektin e saj”. Gatuzo do të mungojë për shkak të dëmtimit. “Mungesa e tij do të ndihet”, - thotë Maldini. “Për ne është shumë i rëndësishëm”.
Tiago Silva, blerja e parë e Milanit
Gjithçka perfekt. Tiago Silva është blerja e parë e Milanit për sezonin 2009-2010. Mbrojtësi i fortë brazilian i Fluminenses do të mbërrijë në Milano në fundjavë për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore. Tiago Silva nuk mund të luajë me Milanin në fazën e dytë, pasi shoqëria kuqezezë nuk mund të hedhë në fushë lojtarë të tjerë ekstrakomunitarë, por mbrojtësi do të bashkohet me skuadrën për t’u njohur e integruar me shokët e rinj të skuadrës e të stërvitet në Milanelo, ashtu siç bëri Pato sezonin e kaluar.
Lioni që qesh, Lioni që qan
Humbja e Lionit përballë Bajernit të Munihut (2-3) dha një panoramë të qartë të asaj që paraqiti kampioni i Francës gjatë fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve. Naiv në mbrojtje, përvëlues në fazën ofensive, djemtë e Klod Pyelit paraqitën dy fytyra shumë qartë të dallueshme. Konstatimi është me të vërtetë trishtues. Një Lion që qesh, por dhe një Lion që qan. Gjatë këtij sezoni, në Ligën e Kampionëve, ka dy Lionë. Ai që ka pësuar dhjetë gola gjatë fazës së grupeve dhe një që ka shënuar jo pak, por 14 gola. Statistikat janë diametralisht të kundërta: skuadra franceze paraqet mbrojtjen më të keqe të ekipeve të kualifikuara, por gjithashtu sulmin më të mirë (pas Barcelonës). I dyti në grupin e tij, Olimpiku i Lionit, paraqiti një sërë dobësish në mbrojtje, por edhe shpirtin e një luftëtari të madh në vijën e parë. Ndeshja kundër Bajernit të Munihut është shembulli perfekt i këtij Olimpiku me dy fytyra.
Një film porno për Ronaldon
Brazilianët nuk pushojnë së shpikur që të gjejnë mënyrën për të folur për Ronaldon. Një film i karakterit pornografik vendos në skenë një ish-mike të kohëve të kaluara të sulmuesit dhe një sozi të futbollistit të famshëm. Filmi u shfaq gjatë qershorit të kaluar, por e shoqëroi një indiferencë e plotë. Pasi pjesë të tij u hodhën në You Tube, erdhi edhe zhurma e madhe. “Ronaldinja” është e njohur në Brazil, madje ka qenë dhe në faqet e para të revistës së njohur “Playboy” në versionin brazilian. Ajo u kontaktua nga producentët e filmit me shenjën “X” vetëm disa ditë më pas, kur Ronaldo pati skandalin me transvestitët brazilianë. Ideja e filmit ishte të krijonte një ngjashmëri në lidhje me këtë subjekt, por duke i dhënë ngjyra tërësisht pornografike.
Australia kërkon Botërorin 2018
Pas prezantimit të mirë në Botërorin e vitit 2006, Australia ka vendosur të kërkojë organizimin e Kampionatit Botëror të vitit 2018. Lajmi është dhënë nja kryeministri australian, Kevin Rudd. Qeveria e tij do të japë 23 milionë euro për fushatën promovuese. Aktualisht Belgjika e Holanda kanë pohuar kandidaturën e tyre, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara, Meksika, Spanja, Kina dhe Anglia kanë shfaqur interesim.
12 Dhjetor 2008