E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ministrat e diktaturës të përjashtohen nga politika”

 

adi shkembi

Heqja e kategorisë së ish-ministrave të kohës së regjimit komunist nga funksionet e papajtueshme në ligjin për hapjen e dosjeve, shkakton reagimet e para në radhët e deputetëve demokratë. Ndonëse ky është një propozim për të marrë konsensusin e opozitës, përfaqësues të maxhorancës e konsiderojnë jo të moralshme që ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të kabineteve qeveritare të regjimit të kaluar, të vazhdojnë të jenë pjesë e politikës. Dashnor Sula, deputeti i PD-së, njëkohësisht anëtar i komisionit të ligjeve thotë në një intervistë për gazetën “Panorama” se do ta kërkojë rifutjen e kategorisë së ministrave gjatë debatit të ligjit në kuvend. “Mendoj se jo vetëm për ministrat, por ashtu siç janë futur, ish-prokurorit të përgjithshëm, ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë duhet të përfshiheshin edhe ish- zv.prokurorët e përgjithshëm, zv/kryetarët e Gjykatës së Lartë, ish-kryetarët e hetuesisë së përgjithshme, por edhe zëvendësit e tyre, sepse kanë qenë këta persona të cilët kanë drejtuar institucionin dhe mjaft prokurorë, hetues apo gjyqtarë kanë qenë nën ndikimin e tyre”, thotë Sula. Ai shton se heqja e kësaj kategorie nga lista e zyrtarëve me funksione të papajtueshme është bërë pas presionit të opozitës. Heqja e kësaj kategori lë ende në politikë ish-ministrat e kohës së regjimit të kaluar, Skënder Gjinushi e Gramoz Ruçi dhe pikërisht për këtë çështje, pritet që ligji të shoqërohet me debate. Në të njëjtën kohë, Sula është edhe kundër vendosjes së datës 8 dhjetor 1990, si data e fundit e mbajtjes së një funksioni zyrtar të papajtueshëm. “Ligji aktual parashikon periudhën 29 nëntor 1944 - 8 dhjetor 1990. Kam mendimin që periudha e fundit nuk është një periudhë reale dhe mendoj se, duke folur edhe si student i dhjetorit, pas 8 dhjetorit nuk pushoi së funksionuari sigurimi i shtetit, nuk pushoi së funksionuari diktatura e proletariatit, por të jeni të sigurt se ka pasur dënime penale nga gjykatat e asaj kohe, nga hetuesia dhe prokuroria. Mendoj periudha e datës 8 dhjetor është e diskutueshme, por unë ndaj mendimin se nuk duhet të jetë kjo periudhë, por fundi i vitit 1991 kur pushoi së funksionuari diktatura”, theksoi Sula.
Zoti Sula, PD-ja është tërhequr nga varianti i parë i saj për të futur edhe ish-ministrat e regjimit komunist në kategoritë e papajtueshmërisë. Si e komentoni këtë tërheqje të saj?
Ky projektligj nuk u përgatit me nxitim, por ka gati tetë muaj që është në zyrat e komisionit të ligjeve. Qëllimi i vetëm është që duke qenë një projektligj i rëndësishëm, të kishte një kompromis nga të dyja palët për të përgatitur një draft të plotë dhe me konsensus të gjerë. Por fatkeqësisht nuk u arrit që ai të kalojë shpejt dhe duke pasur parasysh kohën e ngarkuar të parlamentit dhe diskutimet e gjata mes relatorëve dhe me grupet e interesit u ezaurua totalisht koha për ta kaluar atë. Maxhoranca kërkonte të mos kishte një hapje të plotë për të gjitha shtresat e popullsisë, ndërsa PS-ja mendonte se duhet të kishte hapje të të gjitha dosjeve. Unë them se kjo nuk është e drejtë, për vetë faktin se nuk duhet të merremi me një fshatar të thjeshtë apo një punëtor që i është ushtruar presion nga sigurimi. Nga ana tjetër, PD kërkon të ketë një rreth të caktuar personash që të kenë papajtueshmëri në funksionet e tyre sot.
Për t’u ndalur pak te heqja nga lista e papajtueshmërisë te ministrat e komunizmit...
Mendoj se jo vetëm për ministrat, por ashtu siç janë futur, ish-prokurorit të përgjithshëm, ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë, duhet të përfshiheshin edhe ish-zv.prokurorët e përgjithshëm, zv.kryetarët e Gjykatës së Lartë, ish-kryetarët e hetuesisë së përgjithshme, por edhe zëvendësit e tyre, sepse kanë qenë këta persona të cilët kanë drejtuar institucionin dhe mjaft prokurorë, hetues apo gjyqtarë kanë qenë nën ndikimin e tyre. Gjithmonë flasim për proceset politike. Për ta konkretizuar, në prokurori ishin një numër i caktuar hetuesish, gjyqtarësh apo prokurorësh që ishin të besuar, jo të gjithë ishin të tillë. Pjesa tjetër e prokurorëve, hetuesve dhe gjyqtarëve kanë kryer detyrën ashtu siç e kryejnë sot.
A do të vazhdoni të kërkoni që ish-ministrat të jenë pjesë e kategorisë së funksioneve të papajtueshme? Duhet të rikthehet prapë kjo kategori?
Do të ketë një debat në Parlament dhe mendoj se arsyeja e maxhorancës ka qenë që të ketë një konsensus me opozitën. Nuk e ka kërkuar maxhoranca një gjë të tillë, por ka qenë opozita që me presionin që ka ushtruar, për të mos kaluar këtë projektligj, e ka argumentuar atë me faktin se shkel të drejtat e njeriut. Kjo nuk qëndron. Unë nuk ndaj mendimin për qëndrim ekstremist, por nëse themi për shkeljen e të drejtave të njeriut, duhet të kemi parasysh qindra e mijëra shqiptarë që u persekutuan gjatë regjimit të kaluar. Ndërsa sot diskutohet se po shkelen të drejtat e njeriut për një njeri që duhet të ikë nga administrata publike me të vetmin qëllim se ai ka ndjekur me zell dhe ka persekutuar njerëzit para vitit ‘90. Ndërkohë që ata sot kanë të drejtë të punojnë në një vend tjetër. Gjatë diskutimit që do të bëhet në parlament të këtij ligji do ta kërkoj që kategoria e ministrave të kthehet sërish në kategoritë e funksioneve të papajtueshme. Ne duhet të gjejmë konsensusin që mjaft njerëz të cilët sot janë në politikë dhe deri para vitit 1990 kanë pasur funksione të larta në qeveri, mendoj se nuk do të ishte e moralshme që ata të vazhdojnë dhe të jenë pjesë e politikës shqiptare.
Ju keni dalë kundër edhe për afatin e fundit të shtrirjes së periudhës që ka të bëjë me mbajtjen e funksioneve që do të jenë të papajtueshme. Përse jeni kundër afatit 8 dhjetor 1990?
Ligji aktual parashikon periudhën 29 nëntor 1944 - 8 dhjetor 1990. Kam mendimin që periudha e fundit nuk është një periudhë reale dhe mendoj se, duke folur edhe si student i dhjetorit, pas 8 dhjetorit nuk pushoi së funksionuari sigurimi i shtetit, nuk pushoi së funksionuari diktatura e proletariatit, por të jeni të sigurt se ka pasur dënime penale nga gjykatat e asaj kohe, nga hetuesia dhe prokuroria. Janë dënuar me qindra e qindra qytetarë, të cilët vazhduan të vuajnë persekutimin dhe vetëm në shtator 1991 kemi pasur një amnisti të parlamentit, të dekretuar nga presidenti ku përfundimisht nuk pati me persekucion të shtresave të ndryshme të popullsisë. Mendoj se periudha e datës 8 dhjetor është e diskutueshme, por unë ndaj mendimin se nuk duhet të jetë kjo periudhë, por fundi i vitit 1991 kur pushoi së funksionuari diktatura.

Dajçi: Gjinushi ta dijë, ligji nuk ka kaluar ende në Parlament

Diskutimi një ditë më parë në Komisionin e Ligjeve të draftit për hapjen e dosjeve, ka shkaktuar jo pak debate e batuta mes deputetëve në seancën e djeshme parlamentare. Shkak për këtë ka qenë tërheqja që ka bërë Partia Demokratike për të mos penalizuar ish-ministrat e kohës së regjimit. Teksa diskutohej marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe SHBA-së, për sfidën e mijëvjeçarit, deputeti i Partisë Demokratike, Pal Dajçi ka paralajmëruar se kjo pikë e draftit për spiunët mund të ndryshohet në parlament. Duke iu drejtuar kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, i cili është edhe përfitues nga kjo tërheqje e PD-së, Dajçi tha se “Gjinushi është i frymëzuar nga ligji i djeshëm, po ligji nuk ka kaluar në parlament por në komision dhe për të gjithë ata si Gjinushi në atë periudhë, do e diskutojmë. Për ato fjalë që tha Gjinushi nuk i takojnë kësaj qeverie, se ajo ka marrë mbështetjen. Kjo marrëveshje dëshmon për luftën e drejtë të qeverisë ndaj korrupsionit”. Pas miratimit të ligjit në Komisionin Parlamentar të çështjeve ligjore, pritet të ketë debate në kuvend lidhur me këtë pikë të tij. Përveç Dajçit dhe Dashnor Sulës, janë të shumtë deputetët që kërkojnë që ish- ministrat e kohës së regjimit të mos jenë më në politikën shqiptare, megjithëse ky duket të jetë konsensusi i vetëm që mund të japë opozita në këtë drejtim.

Ruçi-Gjinushi, zbulohet pakti PS-PD

BLEDAR HOTI

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur një pakt për heqjen nga ligji i “Dosjeve” disa me kritere penalizuese, me qëllim për t’u votuar me konsensus.
 Heqja e paragrafëve penalizues për ish-ministrat e kohës së monizmit, duket se ka qenë një lëshim që ka bërë PD-ja, për të pranuar që opozita të japë konsensusin e saj politik për këtë projektligj.  Nisma e votuar dy ditë më parë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve ka shmangur përcaktimin në ligj të ministrave të kohës së regjimit komunist dhe të sekretarëve të partive në rretheve. Nga ky sanksionim është krijuar mundësia që një pjesë e deputetëve aktualë të PS-së të përfshihen përsëri në listë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nga ky përjashtim dilte që kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi dhe deputeti i PS-së, Gramoz Ruçi të jenë sërish deputetë, edhe pse para ’90 kanë qenë ministra dhe sekretarë partie në rrethe. Në mbledhjen e dy ditëve më parë në komisionin parlamentar të Ligjeve shmangia e këtyre kategorive ka projektligji “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve”. Ndërsa vetë relatori i këtij projektligji, Aldo Bumçi është shprehur se kjo kategori nuk është përfshirë për shkak se nuk kanë pasur peshë në vendimmarrjen politike. Por deputetët e PD-së dhe të aleatëve saj kanë kërkuar që të shtohet një sanksionim i tillë ligjor. Por qëndrimi i kryekomisionerit Ilir Rusmali ka qetësuar disi aleatët për një nismë të tillë ligjore. Sipas tij, mos vënia e kësaj klauzole është bërë me qëllim për të arritjen e konsensusit me opozitën, PS-në. “Ne kemi bërë përpjekje maksimale që të miratojmë një ligj me kompromis. Dhe të miratosh një ligj me kompromis do të thotë të ofrosh dhe jo vetëm të marrësh. Fakti që kolegët e opozitës nuk janë këtu nuk do të thotë që ne t’i kthejmë gjërat mbrapsht. Ne ende ofrojmë kompromis, kështu që ne nuk kemi pse të ndalemi me goditjet specifike, të cilat të gjithë i dimë se kanë qenë oferta kompromisi”, ka deklaruar Rusmali në mbledhje.
Gjyqtarët dhe hetuesit
Nisur nga tendenca për kompromis, PD ka shmangur sekretarët e partisë në rrethe dhe ka vendosur që të penalizojë hetuesit dhe gjyqtarët që në kohën e regjimit komunist kanë dhënë vendime politike, duke dënuar me internime njerëzit. Ky sanksionim ,i vendosur në nenin 4 të projektligjit, bën që të gjithë hetuesit, prokurorët apo gjyqtarët të asaj periudhe të përjashtohen nga e drejta e kandidimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe në postet e tjera drejtuese. Kjo bën që pjesë e mirë e gjyqtarëve aktuale në nivelet më të larta të përfaqësimit të mos e gëzojnë më të drejtën për t’u zgjedhur sërish. Projektligji që mund të miratohet të hënën e ardhshme në seancë plenare i shtrin efektet, që nga 29 nëntori i vitit 1944, deri në 8 dhjetor 1990. Partia Socialiste ka propozuar hapjen e plotë të dosjeve për të gjithë qytetarët, ndërsa demo-kratët kanë pranuar pjesërisht këtë kërkesë.

Braho: Ligji, vetëm kundër prokurorëve

Deputeti i LSI-së Spartak Braho e cilësoi ligjin e ri, që ka marrë votat e maxhorancës në Komisionin e Ligjeve, si një ligj që nuk pastron politikën. Sipas tij, përmes këtij ligji, Berisha dhe maxhopranca që ai përfaqëson kërkon të trembë prokurorët me përvojë, të cilët kanë në shqyrtim çështje mjaft të rëndësishme. “Ligji për dosjet apo, siç ka hyrë në zhargonin e ditës, ligji i spiunëve, i sjellë papritur dje, duke shmangur ligje të tjera më të rëndësishme, është ligj që drejtohet kundër prokurorëve aktualë, të cilët, me përvojën e tyre dhe me praninë e tyre në hetimin e mjaft proceseve të rëndësishme janë prezent. Nuk dua të përmend emra, por ligji i dosjeve, ligji i spiunëve, është një ligj që ekskluzivisht është bërë që të trembë prokurorët me përvojë”, tha Braho. Maxhoranca miratoi me votat e maxhorancës në komisionin e ligjeve ligjin për ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, duke përcaktuar edhe kategoritë e profesioneve që do të kalojnë në sitën e një komisioni që do të verifikojë figurën e politikanëve por dhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve që gjatë kohës së monizmit kanë dhënë dënime politike. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›