Ligji i dosjeve, gati votimi në Kuvend
Bledar Hoti
Ligji i dosjeve do të kalojë ditën e hënë në Kuvend. Por Komisioni i Ligjeve ka bërë sërish një rregullim të ri për të mbajtur në skenën politike ish-ministrat e kohës së komunizmit. Komisioni ka menduar një "truk" të ri për t'i bërë qejfin socialistëve, të cilët u larguan në mënyrë demonstrative nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve. Në variantin e ri të projektligjit, i cili do të miratohet të hënën, përveç pozicioneve të përcaktuara që penalizohen të përfaqësohen në funksione publike dhe politike në të ardhmen, drafti me vetëdije të hartuesve përcakton edhe pozicionin e Ministrit të Brendshëm, i cili mbante këtë post deri më 8 dhjetor 1990. Drafti i dytë i përmirësuar i maxhorancës, i cili krijoi non sense në publik, "rregulloi" disa raporte morale, por arrin të bëjë një katharsis të plotë të politikës. Drafti i mëparshëm eliminonte nga kandidimi për deputet në zgjedhjet e ardhshme, zv.ministrin e Brendshëm, ndërsa lejonte drejtuesin e kësaj ministrie, vetë ministrin. Penalizimi i zv.ministrit dhe lënia jashtë zbatimit të ligjit të vetë ministrit krijonte non sense. Kështu komisioni përfshiu edhe pozicionin e Ministrit të Brendshëm, kur dihet se ish-ministri i brendshëm komunist, deri më 8 dhjetor 1990 ishte Hekuran Isai, i cili ka ndërruar jetë një vit më parë. Edhe pse u bë ky rregullim, që nuk sjell asnjë pasojë apo element të ri në zbatimin e këtij ligji, duket se dy njerëzit më me pushtet në këto 18 vjet në politikën shqiptare, Gramoz Ruçi dhe Skënder Gjinushi do të vazhdojnë të jenë sërish protagonistë, Ruçi si numri dy i politikës së re socialiste, ndërsa Gjinushi në krye të socialdemokratëve që prej 1991. Hartimi i draftit që do të kalojë ditën e hënë është punuar me kujdes nga maxhoranca, e cila kërkon të ketë edhe konsensusin e opozitës, por pa përjashtuar nga politika aktive personazhe të rëndësishme të saj, protagonistë të mjaft zhvillimeve në të majtën shqiptare. Nga drafti fillestar i këtij projektligji, me qëllim marrjen e konsensusit të opozitës, zbatimi i ligjit për pastërtinë e figurës së politikanëve, nuk përjashtonte as edhe sekretarët e parë të komiteteve të partisë në rrethe. Por pas largimit të socialistëve nga Komisioni i Ligjeve, maxhoranca u mundua të lëshonte nga këto kritere, duke i përjashtuar sekretarët e Partisë së Punës në rrethe. Gramoz Ruçi ka qenë Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Tepelenës e më pas edhe Ministër i Brendshëm, por koha kur ai ka mbajtur këtë post është pas 8 dhjetorit 1990.
Funksionet që përjashtohen
Papajtueshmëria e funksioneve
Pastërtia e figurës morale të funksionarit publik të përcaktuar në Nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944-8 dhjetor 1990, të një prej detyrave të më poshtme:
a) Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i KQ të PPSH-së, me përjashtim të rasteve kur ai ka vepruar kundër vijës zyrtare apo është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike;
b) Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm;
c) Ministër i Brendshëm, Zv/ministër i Punëve të Brendshme dhe çdo punonjës i organeve të Sigurimit të Shtetit;
d) I dënuar me vendim penal të formës së prerë për krime kundër njerëzimit ose për veprat penale të shpifjes, të kallëzimit të rremë ose dëshmisë së rreme në procese politike;
e) Bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në veprimtari të karakterit politik, që lidhen me veprat penale politike të parashikuara nga ligji nr.7514, datë 30.09.1991, "Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe përndjekurve politikë" (të ndryshuar), apo bashkëpunëtorë vullnetarë për vepra të tilla.
f) Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve;
g) Hetues apo ndihmës-hetues, prokuror apo ndihmës prokuror, gjyqtar apo ndihmës-gjyqtarë në procese politike;
h) Denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset gjyqësore politike.