Godo: Ministrat e kohës së regjimit të lënë politikën
ADI SHKEMBI
Dy ditë para se ligji për hapjen e dosjeve të kalojë në parlament, presidenti i Asamblesë së Partisë Republikane thotë në një prononcim për gazetën "Panorama" thotë se ish-ministrat e regjimit të kaluar nuk duhet të jenë më të pranishëm në politikë. "Mendoj se ministrat si funksionarë të lartë të qeverive të kaluara, nuk duhet të jenë të pranishëm. Nuk e di ende për cilën periudhë bëhet fjalë, por nuk më duket vendim i drejtë", thotë Godo. Në të njëjtën kohë, ai hedh dyshime se ky vendim i Partisë Demokratike bëhet në funksion të një marrëveshjeje politike. Por ai insiston se PD-ja duhet ta rishikojë këtë nen. "Mendoj se kjo bëhet për një marrëveshje politike. Unë nuk e di se kush preket personalisht nga kjo, por si parim nuk më duket i drejtë. Mendoj se kufiri për të ndaluar funksionarët e lartë të kohës së regjimit duhet të pritet në vitin 1990. Partia Demokratike duhet ta rishikojë këtë nen", thekson më tej Godo. Megjithatë, i pyetur nëse Partia Republikane do të ndërmarrë nismën në parlament për të paraqitur një amendament për ta rikthyer kategorinë e ish- ministrave, Godo e mohoi një gjë të tillë. Sipas tij, deputetët republikanë në kuvend do të votojnë të unifikuar me koalicionin. Në projektligjin e Partisë Demokratike të vitit 2005, por edhe në atë të paraqitur nga Aleksandër Biberaj në fillim të këtij viti, njëra prej kategorive që konsideroheshin si të papajtueshme ishte edhe ajo e ish-ministrave të kohës së regjimit. Dy figura të njohura të politikës aktuale që prekeshin nga neni 4 i këtij ligji janë kryetari i asamblesë kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi. Prania e këtij dhe një sërë kundërshtish të tjera të socialistëve kanë bërë që miratimi i këtij ligji të shtyhet nga muaji prill, kur nisi debati në Komisionin e Ligjeve, deri në muajin dhjetor. Burime nga Partia Demokratike bënë të ditur për gazetën se për të marrë konsensusin e opozitës, maxhoranca u detyrua ta heqë këtë nen. Një gjë e tillë, sipas PD-së, u bë edhe që ligji të mos dukej se miratohej për emra të përveçëm. Por edhe brenda demokratëve nuk ka një qëndrim të unifikuar për heqjen e ish-ministrave nga kategoritë e papajtueshme. Teksa diskutohej të enjten në parlament marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe SHBA-së, për sfidën e mijëvjeçarit, deputeti i Partisë Demokratike, Pal Dajçi ka paralajmëruar se kjo pikë e draftit për spiunët mund të ndryshohet në parlament. Duke iu drejtuar Kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, i cili është edhe përfitues nga kjo tërheqje e PD-së, Dajçi tha se "Gjinushi është i frymëzuar nga ligji i djeshëm, po ligji nuk ka kaluar në parlament por në komision dhe për të gjithë ata si Gjinushi në atë periudhë, do e diskutojmë. Për ato fjalë që tha Gjinushi nuk i takojnë kësaj qeverie, se ajo ka marrë mbështetjen. Kjo marrëveshje dëshmon për luftën e drejtë të qeverisë ndaj korrupsionit". Një gjë e tillë është paralajmëruar edhe në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve pak ditë më parë, kur u votua nga ana e shumicës ligji për dosjet, ndërkohë që opozita bojkotoi punimet.