E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: "Dosjet", prova e paktit të radhës PS-PD

 

Nënkryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi shprehet se ligji për "Dosjet" është vazhdim i konsensusit dypalësh dhe jo transparent mes PD-së dhe PS-së. Xhufi e cilëson të çuditshëm lënien jashtë transparencës të ish-ministrave të monizmit, dhe përfshirjen e drejtorëve të shkollave në këtë proces.
Zoti Xhufi, si e gjykoni paktin mes PS dhe PD për hartimin e një drafti të kujdesshëm për "Dosjet", duke shmangur shumë pozicione politike me pushtet gjatë kohës së monizmit?
Ky pakt është produkt i atij konsensusi mes PD dhe PS që ka dhënë rezultate të tilla si Kodi Zgjedhor, ndryshimet Kushtetuese, dhe siç po duket se do të jetë edhe ligji për prokurorinë po dhe ligji për pastërtinë e figurave publike dhe politike. Qëndrimi ynë i prerë ka qenë për bërjen sa më parë të transparencës së figurave të larta publike dhe politike, megjithatë kemi nënvizuar se ky proces tani po bëhet për qëllimi politike propagandistike. E them këtë pasi shohim se nuk ka një dëshirë, vullnet dhe sinqeritet për të bërë transparencën, ndërkohë që vende të tjera e kanë bërë këtë me shumë transparencë. Nisur nga termat që përdoren dhe është realizuar ligji, duket se kemi të bëjmë me një lojë që bëjnë dy partitë e mëdha, një moment konsensusi i tyre ku kanë vënë si qëllim të çlirohen nga ndonjë i brendshëm i tyre që i shqetëson, ndërkohë kanë rënë dakord të përjashtojnë nga nenet e këtij ligji persona të rëndësishëm të kohën e diktaturës, siç është rasti, përjashtimi i ministrave të monizmit.
Ju si LSI keni vënë kushte në hartimin e këtij ligji?
Ne nuk kemi vënë ndonjë kusht se deri ku duhet të shkojë efekti i këtij ligji, por jemi shprehur se e mira do të ishte që ligi të përjashtonte nga çdo detyrë në administratën e sotme në nivele të caktuara të larta ata persona që janë bashkuar apo bashkëpunuar me organet e sigurimit represionit dhe të diktaturës. Ndërkohë, në variantin e përgatitur, mesa kemi dëgjuar, sepse projektligji nuk na ka rënë në dorë, ligji prek edhe nivele të tilla si drejtorë shkollash, dhe është e çuditshme që lë rrugës nivele shumë të larta si ministrat, duke e bërë këtë një logjikë. Nuk është qëllimi që të gjithë ata ministra që kanë qenë në atë kohë të përjashtohen, sepse kjo gjë nuk është bërë edhe në vende të tjera, mjaftoj të kujtoj rastin e Polonisë, kur një ish-ministër u bë President. Por duket se interesat e dy partive kërkojnë të arrijnë edhe momente kompromisi edhe për çështje të tjera.
PS ka pasur një qëndrim për hapjen e të gjitha dosjeve pa përjashtim. Si e gjykoni këtë devijim të saj?  
Është e vërtetë që ka pasur një kërkesë të tillë deklarative, duke u nisur nga përvoja e Gjermanisë, por natyrisht edhe kjo përvojë kërkon disa rregullime. Ne kemi kërkuar një hapje të tillë, por kjo duhet të bëhet me kriter, jo çdo kush mund të shohë dosjen e kujtdo. Për këtë kërkohen modalitete në aplikimin e saj. Një njeri që është persekutuar dhe dënuar nga regjimi mund të shkojë dhe të shohë dosjen e tij, por jo një dosje tjetër. Nuk duhet të bëhet një hapje masive. Kjo ka qenë ideja jonë, me qëllim që të ruhet një lloj masiviteti që mund të merrte ky proces. Edhe ky propozim nuk është marrë fare parasysh, përkundrazi është bërë një proces selektiv që bëhet për interesa të dy partive, që kanë si qëllim mënjanimin e të vetëve por dhe për ti bërë presion të tjerëve.
Cili do të jetë qëndrimi i LSI në kuvend për këtë çështje?  
Ne ende nuk jemi njohur me draftin, do të marrim një vendim për qëndrimin tonë por jemi të prirur të mos e votojmë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›