Berisha: Problemi çam? E zgjidh Traktati i Miqësisë
Kryeministri Berisha flet për mediat maqedonase lidhur me emrin e Maqedonisë, çështjen çame, e deri për krizën globale
TIRANË- Vetëm pak ditë pas firmosjes së marrëveshjes për ngritjen e dy varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, kryeministri Sali Berisha, është pyetur për një tjetër çështjeshumë më delikate, çështjen çame. Në një intervistë dhënë për TV A2 të Shkupit, gjatë qëndrimit njëditor atje, kreu i ekzekutivit ka deklaruar se problemi çam nuk mund të injorohet se ekziston. Megjithatë, kreu i ekzekutivit i është kthyer qëndrimit të vjetër të tij, se kjo çështje duhet rregulluar sipas Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes dy vendeve. “Problemi çam, nuk mund të injorohet se ekziston, por ekziston kryesisht në kontekstin e pronave, si një çështje teknike-juridike. Kjo është e përcaktuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit midis dy vendeve”,- tha Berisha. Thuajse një vit më parë, për një nga mediat greke, kryeministri Berisha deklaroi se kjo çështje duhet të shihet si teknike dhe jo kombëtare. Edhe pse Berisha i referohet pikërisht këtij traktati, drejtues të Shoqatës “Çamëria”, prej kohësh janë shprehur se Traktati i Miqësisë i vitit 1996ka qenë inekzistent, duke mos afruar asnjë hapësirë për kthimin e pronave çamëve. Traktati, i nënshkruar në vitin 1996 nga dy ministrat e Punëve të Jashtme, të Shqipërisë dhe Greqisë, Alfred Serreqi dhe Theodhoros Pangalos, ka hyrë në fuqi në vitin 1998, pasi është ratifikuar nga parlamentet e dy vendeve. Por, si draft është hartuar që në vitin 1992, periudhë në të cilën PD-ja erdhi në pushtet. Në nenin 15 të dokumentit është parashikuar zgjidhja e çështjeve të pronave që zotërojnë shtetasit e njërit vend në vendin tjetër, nëpërmjet krijimit të lehtësirave ligjore. “Secila nga palët kontraktuese do të përballojë mundësinë e heqjes brenda kuadrit të saj ligjor të pengesave që vështirësojnë gëzimin e pasurive që kanë shtetasit e njërës palë në territorin e palës tjetër”, - thuhet në nenin 15 të Traktatit të Miqësisë.
Emri i Maqedonisë
Një tjetër çështje, për të cilën Berisha u shpreh se duhet të ketë një zgjidhje, është edhe ajo e emrit të Maqedonisë. “Shpresoj që kundërshtitë të zgjidhen. Të gjendet një marrëveshje për zgjidhjen e problemeve të krijuara dhe e konsideroj shumë të rëndësishme gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje. Maqedonia ka bërë progres të madh, ka bërë reforma shumë serioze, qoftë në drejtim të forcave të armatosura, qoftë në drejtim të ekonomisë dhe standardeve demokratike”,- tha Berisha për TV A2. Kryeministri ka folur edhe për pavarësinë e Kosovës. “Pavarësia është realiteti i tyre më i madh, është akt për të cilin ata kanë sakrifikuar, kanë luftuar, kanë votuar. Edhe Shqipërisë, dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, u mbetet detyrimi madhor për të respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës”,- tha ai.
Sot kalon për miratim projektbuxheti i vitit 2009. Priten sërish debate
Kuvend, sot votohet projektbuxheti
TIRANË- Pas një seance maratonë të javës së kaluar, Kuvendi pritet sërish të diskutojë, sot, për projektbuxhetin e vitit 2009. Sot pasdite, në rendin e ditës, është parashikuar miratimi në parim i buxhetit, ndërkohë që pritet të ketë sërish debate mes mazhorancës dhe opozitës. Seancën e kaluar, kryeministri Berisha premtoi se përmes këtij buxheti do të kemi rritje pagash, ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode, pohoi gjatë prezantimit të buxhetit se të ardhurat për vitin 2009 janë parashikuar në 333 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet llogariten 383 miliardë lekë rritje në total të tyre. Ministri Bode, duke u ndalur në reformat e parashikuara për vitin 2009, tha se arsimi dhe shëndetësia do të jenë dy sektorët kryesorë, tek të cilët do të përqendrohet edhe vëmendja. Por, nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës i kanë cilësuar si demagogjike qëndrimet e mazhorancës, duke argumentuar me shifra të kundërtën. Pak ditë më parë, kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se ky buxhet mishëron tërësisht dështimin e programit të votuar nga shqiptarët e shqiptaret në vitin 2005 dhe rrëshqitjen e Shqipërisë në një rrugë me më shumë varfëri, papunësi, korrupsion, e përjashtim social.