E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi sipas meje

-Si e vlerësoni draftin e kodit të ri zgjedhor?

Skënder Gjinushi: “Ne kemi shprehur qëndrimin tonë, ku për hir të së vërtetës edhe si parti hyjmë në kuadrin e partive jo të mëdha, dhe në fund të fundit kemi pasur një interes dhe një marrëveshje të përbashkët: ajo çka ishte problematike për demokracinë në tërësi dhe për partitë tona, por edhe problemin e sistemit. Kemi thënë që sistemi përfundimisht është ai i pranuar në komision, është një sistem spanjoll i zbutur, term që e kanë përdorur me kohë edhe kur nuk ishte i zbutur, dhe kjo ka qenë kërkesa jonë. Ndaj patjetër që kodi në tërësinë e vet është i pranueshëm. PSD-ja, nisur nga ky element thelbësor dhe ngaqë çështjet e tjera janë kryesisht teknike, ka shprehur mbështetjen e vet për këtë kod, ndonëse po ta shkruanim ne, mund të kishim gjëra që përsëri do t’i kishim shkruar ndryshe. Megjithatë, kjo vlerësoj se ka qenë dhe arsyeja pse edhe parti të tjera, që janë jashtë komisioneve, e kanë votuar dhe deri para dhjetë ditësh nuk kemi pasur asnjë informacion, apo qoftë edhe kërkesë solidariteti do të thosha nga parti edhe të djathta apo edhe të majta, që çështja e komisionit të kthehej në një çështje “Po”-je ose “Jo”-je për kodin”.

-“Të vegjlit” kishin një aleancë mes tyre më parë. Pse nuk është më?

“Këtu dua të sqaroj faktin që, në rast se kishte një aleancë dhe një bashkëpunim midis nesh për mbrojtjen dhe për zbutjen e sistemit, pra për një kod demokratik në kushtet e Shqipërisë, që të mos e deformonte votën në tavolinë, nuk ka pasur ndonjë shqetësim kolektiv, aq më tepër një qëndrim të përbashkët, duke e konsideruar jetik numrin e komisionerëve. Pra, qëndrimi i kundërt apo deri me grevë i disave për ne ishte i befasishëm, sepse mund ta kishim bërë një gjë të tillë në muajin prill dhe maj midis gjithë partive tona, për atë çka quhej spanjoll “i pazdruguar”. Për pasojë, ne nuk mund të ndryshojmë qëndrimet tona meqenëse dikush ndihet i cënuar, i kërcënuar, apo i pakënaqur për një element teknik të kodit zgjedhor. Mendoj që kjo është edhe arsye kryesore, që kodit në tërësinë e vet nga shumica e partive, pra për pasojë edhe nga shumica dërmuese e deputetëve, i thuhet një “po”. Themelorja mbetet kjo: që administrimi i votës të jetë i balancuar, çka do të thotë që pozita me opozitën të jenë në kushte të barabarta dhe kaq mund të japë kodi. Pastaj, a ka tendencë njëri apo tjetri të shesë, të blejë, manipulojë apo të veprojë në mënyrë të shumëfishtë, kjo varet nga kontrolli që bëhet dhe s’varet fare nga numri që kanë komisionet. Së dyti, është sistemi i cili lejon që secila parti të marrë hakun e vet, madje duke filluar edhe nga 2 përqindëshi. Në këtë aspekt, ky sistem i afrohet dhe jep po atë që kishte Kushtetuta, ku partitë që kalojnë 2.5-ën, absolutisht marrin 1 dhe 2 deputetë. Pra, edhe partitë që “rrahin” tek 3-4 a 5 përqindëshi marrin hakun e vet dhe partitë që shkojnë edhe më lartë, marrin më shumë nga haku. Gjithmonë plus-minus një deputet mund të luajë në raport me proporcionalin. Pra, këto dy elemente janë thelbësorë, sepse gjithë jetën ky ka qenë debati për kodet: administrimi, garantimi i komisioneve dhe një sistem sa më adekuat. Deri në vitin 1996 kanë qenë komisionet, sepse Berisha gjithmonë kontrollonte shumicën, për pasojë komisionet, procesverbalet dhe ishte ai shpallësi i rezultatit. Madje edhe numërimin nuk e bënte keq, por e shpallte rezultatin ndryshe, pasi ndërronte procesverbalet. Ndërsa nga 2001-shi e këtej problem doli “Dushku”, pra deformimi i votës prej aplikimit të gabuar të sistemit. Sistemi që është sot nuk ka vend dhe mundësi për ta deformuar, ndaj rrjedhimisht këto dy elemente janë të mjaftueshëm për të deklaruar që kodi afron zgjedhje normale në Shqipëri”.

-Do të pranoni të votoni kodin me grevistët brenda në sallë?

“S’merrem me këto lloj elementësh. Njëherë, grevistë apo jo, në momentin që hapet seanca çdo deputet që hyn dhe ndodhet në sallë quhet pjesëmarrës dhe kaq. Pastaj me fytyrë nga tribuna, ulur në vendin tënd apo jo, kjo nuk ndryshon asgjë. Pra, deputeti që ndodhet në sallë është deputet pjesëmarrës sipas mënyrës së vet. Kjo besoj që është dytësore”.

-Nga se varet atëherë fati i zgjedhjeve?

“Unë theksoj një gjë tjetër, që fati i zgjedhjeve në asnjë mënyrë nuk kushtëzohet nga numri i anëtarëve në komisione. Patjetër që nuk mund të mohohet që çdo parti me të drejtë ka dëshirë të ketë anëtarë komisioni, sepse ndihet “më e sigurt” në vetvete, por ama jo për fatin e votës së shqiptarëve. Për fatin e votës së shqiptarëve do të thotë që ndërrimi i rotacionit pozitë-opozitë bëhet në mënyrë demokratike, apo jo? Nesër shqiptarët do të pyesin: “Shumica që fitoi, është ajo që fitoi vërtet një shumicë popullore, apo është e deformuar siç fitoi Saliu në 2005-ën e 1996-ën?”. Kjo është pyetja. Pikërisht kërcënimi i zgjedhjeve është gjithmonë nga ajo që përbën pjesën kryesore të manipulimit pas 2005-ës. Përveç “Dushkut”, arsyeja kryesore pse ne bëjmë zgjedhje pa standarde, është mungesa e listave të sakta dhe e kartave të identitetit, por edhe loja me certifikata. Dhe pikërisht në 2005-ën, Berisha përdori edhe certifikatat në mënyrë tepër inteligjente, sepse përdori shtim një mijë e dy mijë votash vetëm në 10-15 zona ku luhej mazhoritari. Mjafton të fitonte dhjetë zona më tepër, që fitoi po nga kjo shtesë, që bëri edhe nga ndarja e së majtës që të vinte në pushtet. Atëherë çdo grevë apo protestë po tërheq vëmendjen nga kryesorja. Ne jemi ende të kushtëzuar nga fakti që përsëri në zgjedhjet e 2009-ës nuk është e mundur të hyjmë me karta të shpërndara, të certifikuara, të kontrolluara dhe që të thuash me bindje, që çdo qytetar ka tashmë një kartë identiteti. Në vend të merrmi me këtë, dhe këtu absolutisht do të isha dakord me gjithkënd që do të shkonte deri dhe “në vetëflijim”, sepse gjithmonë këto janë simbolike për të ndaluar që kjo qeveri të çojë vendin në zgjedhje me identitete të shumëfishta. Pra, ne s’po merremi me këtë çështje kryesore, por po merremi me atë, që edhe një herë e theksoj, është sekondare, sepse nuk përcakton fatin e zgjedhjeve, por e shumta shpëton 500, 1000 apo 5000 vota të njërës apo tjetrës parti”.

-Zoti Meta ka vënë theksin tek mbrojta e votës. A është vërtet hyrja në grevën e urisë për këtë arsye?

“Tani këtë theksova, që vota e shenjtë e popullit është që ai duhet të jetë i inventarizuar. Inventarizimi i popullit është defekti kryesor i zgjedhjeve shqiptare tani, pastaj vjen numërimi. 2005-sa me gjithë katrahurat e mëdha dhe çdo lloj aritmetike, rezulton që ka dy deformime: një prej “Dushkut”, ku PD-ja gëzoi dhjetë deputetë më tepër në mazhoritar, sepse nuk u zbatua Kushtetuta, dhe tjetri prej shtimit të votave prej certifikatave. Prandaj edhe ju e dini çfarë lufte bëri Berisha në 2007-ën, që të mbeteshin prapë certifikatat e pakontrolluara, madje thirri në ndihmë edhe Nanon, ashtu siç e ndihmoi dhe Meta, që detyroi të hynim në zgjedhje në mënyrë sa më urgjente. Prandaj nëse LSI-ja vërtet del në mbrojtje të votës së lirë, unë vlerësoj që nuk e ka bërë këtë gjë në 2005-ën, sepse ajo e dinte që kishte një “Dushk”. Ne kemi qenë e vetmja parti që kemi kërkuar që të hyhej në 2005-ën pa “Dushk”, kjo që në dhjetor të 2004-ës. Kërkuam zyrtarisht. Janë madje edhe dokumentet pranë PS-së dhe në ndryshimet themelore në kod duhet të ishte patjetër pastrimi i “Dushkut”, kthimi i sistemit në identitet, gjë që nuk e ka bërë kjo parti. Mbi të gjitha, edhe taktika që ndoqi ishte e tillë, që “de facto” i jepte pushtetin Berishës artificialisht. Mirë LSI-ja luftoi, hyri e vetme, sepse e detyroi PS-ja, apo Nano s’u mor vesh me Metën dhe e anasjellta, por çfarë interesi kishte LSI-ja për të marrë vota kandidatësh në 80 për qind të zonave që ishte mëse e qartë që kandidati nuk fitonte? Vetëm një interes: rrëzimin i së majtës. Ndërsa nëse do të pranonte, qoftë edhe lokalisht, çka të tërë ia afruan edhe pa lejen e partisë, që të bashkëpunonte me kandidatët e PS-së, pra ajo të mos i prishte punë për të fituar dhe ndërkohë favorizohej në proporcional, gjë që ndodhi në zgjedhjet lokale dhe s’është trafik vote, absolutisht që e majta do të kishte fituar. Por ajo çka unë kam parë gjithmonë me dyshim, meqenëse gjithë kohës i kanë drejtuar sytë tek Rama, atëherë ne duhet të themi ca të vërteta”.

-Që janë?

“Në zgjedhjet lokale të 2007-ës vota është mbrojtur prej PS-së dhe PSD-së. Edi Rama ka qenë i rrethuar nga shumë segmente në të majtë dhe parti, ku është LSI-ja, të cilët bënin presion maksimal që të hyhej me kushtet e Berishës. Kjo doli hapur edhe me deklarimin Nano-Berisha në Pallatin e Brigadave, që u tha “të hyhet me kushtet e 2005-ës”, kur vetë OSBE/ODIHR-i e kishte quajtur kategorikisht të palejueshme dhe ne humbëm edhe shansin që të kishim zgjedhje të standardeve. Pra, s’ishte vetëm humbje eventuale e Ramës, por ishte dhe humbje e Shqipërisë. Dhe LSI-ja ka bërë presion maksimal, që mjafton që të garantohet vota e saj dhe le të humbasë Rama dhe e majta. Dihet që zgjedhjet u shtynë nga rezistenca PS-PSD dhe sapo u shtynë, ishte LSI-ja ajo që fiksoi datën me “doktorin”. Pra, rrjedhimisht, përderisa ti nuk e ke mbrojtur këtë votë, përkundrazi ishte Rama dhe PSD-ja që e mbrojti votën e së majtës, padyshim që kjo komprometon dhe çfarë deklarohet sot, që LSI-ja është mbrojtëse e votës së lirë dhe PS-ja është manipuluese e votës së lirë, apo ca më shumë PSD-ja”. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›