Reagojnë përfaqësuesit e grevistëve të urisë: S’njohim Kodin e ri Zgjedhor nëse miratohet pa konsensus

Pavarësisht shtyrjes së seancës së djeshme parlamentare, mbështetës të LSI, PDK dhe PS ‘91 u rimblodhën dje pasdite sërish para Parlamentit duke hedhur parulla kundër Kodit të ri Zgjedhor. Folës të ndryshëm në podiumin e improvizuar bënë thirrje për bashkimin e shqiptarëve në këtë protestë për të mos lejuar, sipas tyre,
që dy njerëz të bëhen pronarë të votës së shqiptarëve.
Ndërkohë, kreu i LSI-së, Ilir Meta ka shprehur dje vendosmërinë për të mos u tërhequr nga kjo grevë. “Padyshim ne do vazhdojmë sa të kemi fuqi që të rrimë këtu. Ata mund ta miratojnë kodin, kjo është çështje e tyre. Askush nuk na ndalon ne për të vijuar më vendosmëri luftën për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi ai.
I pyetur mbi mundësinë e ndërprerjes së grevës se urisë për të vijuar një oponencë normale në Kuvend, Meta tha se vetë greva ishte mjeti i vetëm për të reaguar pas ezaurimit të çdo lloj mjeti tjetër. Megjithatë mungesa e reagimit nga ana e dy partive të mëdha, ka detyruar zëdhënësin e grevës, Dritan Prifti që të apelojë sërish dje për një reflektim.
Duke komentuar vendimin e konferencës së kryetarëve për miratimin e kodit të ri zgjedhor në seancën plenare të ditës së sotme, zëdhënësi i grevës së urisë tha se ky nxitim është i pakuptimtë, duke kërkuar së paku dy javë kohë për këtë projektligj. “Nëse Kuvendi i Shqipërisë kalon këtë projektligj me nxitim, me shkelje të procedurave parlamentare, pa kontributin dhe konsensusin tonë, atëherë ne nuk do të njohim asnjëherë këtë Kod Zgjedhor dhe pasojat që vijnë prej tij. Do të vazhdojmë grevën e urisë të nisur deri në garantimin e një Kodi Zgjedhor që garanton besueshmëri tek votuesit, barazi tek konkurrentët politik dhe transparencë maksimale për administrimin e votave”, përfundoi Prifti.
Radikalizmin e kësaj lëvizjeje e përforcoi dje PDK. Kryesia e kësaj partie vendosi dje që greva të përhapet në të gjitha degët e PDK-se në të gjithë Shqipërinë. Sipas Sekretarit Politik, Lazër Stani, do të jenë 900 demokristianë që do t‘i bashkohen grevës së urisë së deputetëve grevistë në rast se PD dhe PS miratojnë Kodin e ri Elektoral.
...