E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodra: Shqipëria ende një nga vendet me korrupsionin më të lartë

>Nënkryetarja e LSI, Filloreta Kodra në një deklaratë për shtyp u shpreh se Shqipëria vazhdon të mbetet një nga vendet më të korruptuara në botë. Ajo theksoi se sondazhi më i fundit i Transparency International e rendit Shqipërinë si vendin e tretë në botë për korrupsionin, është një dëshmi tjetër që provon falimentimin dhe demagogjinë e plotë të luftës kundër korrupsionit dhe premtimeve elektorale për zhdukjen e tij, duke shënuar në të njëjtën kohë edhe dështimin e objektivit kryesor politik të qeverisë Berisha, atë të qeverisjes me duar të pastra. Sondazhi, vijoi Kodra,provon luftën plotësisht të munguar dhe dështimin e plotë të Qeverisë si dhe dështimin e plotë të pseudo- strategjive që fillojnë nga telefonat e zyrave të kryeministrisë e përfundojnë tek ligji i spiunëve, gjithashtu ai ka evidentuar edhe problemet e mëdha të mosqeverisjes së vendit, si dhe ka treguar se Qeveria ka hyrë në borxh të thellë me qytetarët. Sipas saj,sondazhi u hoqi përfundimisht shqiptarëve çdo iluzion se kjo qeverisje mund të ndryshojë vendin dhe është fakt dramatik se Shqipëria po ndryshon për keq gjatë qeverisjes se Berishës Gjithashtu, tha Kodra, provohet qartë dhe pa asnjë ekuivok se autoritarizmi korruptiv me prirje të spikatura diktatoriale i Berishës, po përkeqëson progresivisht dhe në mënyrë të pariparueshme raportin e Qeverisë me qytetarët.Ajo deklaroi se LSI konstaton gjithashtu me shqetësim të thellë se për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, qytetarët shqiptarë po ndjejnë çdo ditë e më tepër rritjen e varfërisë, si dhe mungesën pothuajse totale të shërbimeve që shteti duhet tju sigurojë atyre.Kodra tha se largimet e njëpasnjëshme të drejtorëve të korruptuar siç është edhe rasti me flagrant me një institucion tepër delikat si Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit te Pronave, janë prova shumë të rënda të zhytjes në korrupsion të Qeverisë, duke e vendosur atë në konflikt të hapur me interesat e qytetareve dhe të familjeve të tyre. Edhe lufta e Berishës ndaj medias së pavarur veçanërisht ndaj atyre që kanë  denoncuar afera të mëdha korruptive qeveritare është një tjetër tregues shumë negativ i gjendjes kritike në të cilën ndodhet vendi gjatë kësaj qeverisje,- vijoi ajo. Gjithashtu, Kodra tha se vendimet e njëpasnjëshme te Qeverisë që favorizojnë monopolet në shumë fusha e ku më flagranti mbetet ai në fushën e karburanteve për naftën D2, qindra e qindra prokurime të drejtpërdrejta si dhe realizimi në nivele të ulëta i investimeve publike për arsye të korrupsionit janë prova evidente që kjo Qeveri tashmë është kapur për gryke nga ai.Ndryshimet e vazhdueshme të zyrtarëve të korruptuar mbeten thjesht dhe vetëm një makjazh fiktiv që e provon korrupsionin dhe jo provë e luftës ndaj tij,- tha Kodra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›