E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Me pavarësinë e Kosovës, perspektiva europiane e rajonit është bërë e sigurt

>Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Mal e Zi me ftesë të homologut Ranko Krivokapiç. Gjatë kësaj vizite kryetarja Topalli është takuar edhe me Presidentin e malazez, Filip Vujanoviç, i cili ka deklaruar se marrja e ftesës për anëtarësim në NATO nga Shqipëria dhe përshpejtimi i ratifikimit të protokollit të NATO-s, është një inkurajim dhe mbështetje për Malin e Zi dhe për të gjithë rajonin. Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit e garantoi zotin Vujanoviç se Shqipëria është një mbështetëse e fortë e përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me NATO-n dhe BE-në, duke siguruar se autoritetet shqiptare do të japin të gjithë eksperiencën e tyre për vendet e tjera të rajonit. Po gjatë vizitës së saj në Mal të Zi, Kryetarja e Kuvendit, Topalli është takuar dhe me homologun malazez Krivokapic, i cili bëri të ditur lajmin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Duke shprehur kënaqësinë për këtë vendim të të Malit të zi, Kryetarja e Kuvendit theksoi se me pavarësinë e Kosovës, perspektiva europiane e rajonit është bërë më e sigurt e më e qartë. Lëvizja e lirë e qytetarëve, projektet e përbashkëta si rruga hekurudhore Shkodër Hani i Hotit, projekti i rrugës Podgoricë-Pllavë, ideja për transport detar përmes liqenit të Shkodrës apo linja  i interkonjeksionit Elbasan Mali i Zi, kanë qenë pjesë e bisedimeve të dy zyrtarëve të lartë. Gjatë fjalës së tij, Kryetari Krivokapiç vlerësoi realizimin e reformave të cilat sipas tij e kanë çuar Shqipërinë një hap përpara Malit të Zi në rrugën drejt NATO-s. Gjatë qëndrimit të saj në Mal të Zi, kryetarja Topalli është takuar edhe me përfaqësues të partive shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi si dhe është takuar me kryetarët e Bashkive të Podgoricës dhe Tuzit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›