E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodra e Priftit, Ujësjellësi i ri në fund të prillit

Kryebashkiaku Basha dje gjatë inspektimit të punimeve

Kryebashkiaku, furnizim me ujë për 35 mijë banorë të zonës.

Në fillim të muajit maj, 35 mijë banorët e zonës së Kodrës së Priftit do të furnizohen me ujë të pijshëm nga Ujësjellësi i Tiranës. Me një investim prej 50 milionë lekësh ka nisur puna për ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes së ujit me një gjatësi prej 15 km. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, inspektoi dje punimet që po kryhen në rrjetin e kanalizimeve dhe ujësjellësit. “Kjo zonë e qytetit, ndonëse nuk është në qendër dhe për fat të keq nuk ka qenë as në qendër të vëmendjes, sot është rikthyer fuqishëm jo vetëm në buxhet, por edhe në zbatimin e këtyre projekteve nga Ujësjellës-Kanalizimet dhe nga ndërmarrjet e tjera të Bashkisë, së shpejti edhe nga kontraktorët, në mënyrë që këtu, si edhe në zonat e tjera ku do të ndërhyjmë me buxhetin e vitit 2012, ne të sjellim një standard më të mirë jetese, sipas angazhimit tonë për një Tiranë ku punohet, jetohet dhe shijohet më mirë jeta, dhe kjo fillon nga lagjet e qytetit, nga pragu i derës së çdo qytetari, në këtë rast nga pragu i derës së çdo banori të Kodrës së Priftit”, tha kryetari i Bashkisë. Gjatë inspektimit të punimeve përgjatë gjithë zonës së Kodrës së Priftit, zoti Basha u njoh edhe me shqetësimin e disa banorëve, të cilët si pasojë e punimeve për këtë projekt kishin mungesë të ujit të pijshëm. Ai i garantoi këta banorë se deri në datën 27 prill, kur përfundon edhe projekti, do të furnizohen në mënyrë të pandërprerë nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve pa kosto: “Një vëmendje të veçantë i kërkova Ujësjellës – Kanalizimeve, drejtorit Dollapi, për 32 familje të rrugës ‘Violeta Manushi’, të cilët, si rezultat i këtij projekti, kanë humbur lidhjen me sistemin e vjetër të ujësjellësit. Këto 32 familje, deri në datën 27 prill, do të furnizohen në mënyrë të pandërprerë nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve pa kosto dhe duke filluar nga data 27 prill do të rikthehem këtu personalisht, për të kontrolluar që në rubinetat e tyre rrjedh ujë i pijshëm nga sistemi i Ujësjellës – Kanalizimeve të Tiranës”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›