Sarkozi, televizioneve: Mos transmetoni videon e Toulousës
Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka kërkuar nga televizionet në Francë dhe në botë që të mos i transmetojnë videot e sulmeve të realizuara nga vrasësi i Toulousës. Paralajmërimi i Sarkozisë erdhi pasi dega e televizionit arab Al Jaseera në Paris ka siguruar xhirimet e 23-vjeçarit, ndërsa kryente shtatë vrasjet e tij. Zyrtarë të lartë të këtij televizioni janë mbledhur në zyrat qendrore në Katar, për të diskutuar nëse kjo video duhet të transmetohet apo jo dhe vendosën të mos e transmetonin. Vrasësi me origjinë algjeriane, Mohamed Merah, u vra nga Policia franceze në apartamentin e tij të enjten, pas më shumë se 30 orësh përpjekjeje për ta bindur të dorëzohej.