Kofi Anan largohet nga Siria pa marrëveshje
I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan, është larguar mbrëmë nga Damasku, pa siguruar një marrëveshje për ndaljen e dhunës në Siri.
Pas dy ditësh bisedimesh me presidentin e Sirisë, Bashar al-Asad, zoti Anan tha se ka prezentuar “propozime konkrete” për ndaljen e goditjes qeveritare dhe kryengritjes, nga e cila, sipas vëzhguesve, që prej marsit të vitit të kaluar janë vrarë 8500 persona.
Në bisedimet me Ananin, presidenti Asad ka refuzuar çfarëdo dialogu politik, derisa, siç tha ai “grupet e armatosura terroriste” mbeten aktive në këtë vend.
Qeveria e Sirisë ka vazhduar sulmet në provincën veriore Idlib dhe në disa qytetet të tjera, ku raportohet se janë vrarë disa persona.