E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ushtari amerikan ne depresion vret civilet afgane

Të paktën 15 civilë u vranë në provincën jugore të Kandaharit në Afganistan. Zëdhënësi i ISAF në Kabul konfirmoi vrasjen e civilëve afganë, duke thënë se sulmi u krye nga një ushtar amerikan.
"Një ushtar amerikan la bazën ushtarake dhe shkoi në fshatin fqinj duke hapur zjarr ndaj civilëve të pafajshëm. Më pas ai u kthye vullnetarisht në bazë. Tani është në paraburgim dhe hetimi për këtë rast ka filluar", zëdhënës i NATO-s, ISAF, Carsten Jacobson.
Jacobson tha se forcat e NATO-s u ndihmuan nga fshatarët e zonës për të ditur numrin e njerëzve të vrarë dhe rrethanat e këtij akti.
Ai theksoi rëndësinë e gjetjes së motivit të ushtarit amerikan, i cili ka shtënë mbi njerëz të pafajshëm.
“Se cili ishte motivi duhet ta zbulojmë në bazë të një hetimi”, tha Jacobson.
Zyrtarët afganë thanë se mes civilëve të vrarë janë nëntë fëmijë.
Ndërkohë ushtruesi i detyrës së ambasadorit amerikan në Afganistan ,James Cunningham shprehu ngushëllimet e tij për familjet e të vrarëve. 
"Ne jemi të trishtuar nga ky akt dhune kundër miqve tanë afganë. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet dhe komunitetin e tyre. Forcat amerikane janë duke ofruar nivelin më të lartë të kujdesit për të plagosurit. Ne jemi ende duke u përpjekur për të mbledhur faktet. Incidenti po hetohet", vlerësoi ai. Ndërsa në një deklaratë presidenti afgan, Hamid Karzai i cilësoi vdekjet në Kandahar si vrasje ndërkombëtare.
"Kur populli afgan vritet qëllimisht nga forcat amerikanë ky veprim është vrasje dhe terror dhe një veprim i pafalshëm", deklaroi Karzai.
Këto reagime erdhën pasi një ushtar amerikan në Afganistan vrau  tw paktwn 15 civilë dhe plagosi pesë të tjerë në një provincë të Kandaharit.
Incidenti vjen në një kohë të turbullt marrëdhëniesh mes amerikanëve dhe afganëve, pas protestave të dhunshme që ngjalli djegia e kopjeve të Kuranit, pak kohë më parë nga një ushtar amerikan në një bazë të NATO-s.
Edhe pse zyrtarët më të lartë amerikanë kërkuan falje për këtë incident, protestat dhe sulmet që e pasuan lanë pas të paktën 30 afganë dhe gjashtë ushtarë amerikanë të vrarë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›