E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi-Gjeorgji, akuza spastrimi etnik

Rusia dhe Gjeorgjia pas shkëmbimit të sulmeve ushtarake, tashmë kanë nisur të shkëmbejnë akuza e kundërakuza për pastrim etnik të qytetarëve përkatës. 

 Rusia tha se po mbledh prova për akuza gjenocidi kundër Gjeorgjisë, duke e akuzuar atë se ka përzënë nga trojet e tyre 30 000 refugjatë osetianë. Gjeorgjia është kundërpërgjigjur, duke dërguar një ankesë për Rusinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Hagë për pastrim etnik mes viteve 1993 dhe 2008. Njoftimi për këtë padi vjen pas prononcimit të zyrtarëve të lartë gjeorgjianë se osetët etnikë po kryejnë “masakra” ndaj gjeorgjianëve etnikë në krahinën e Osetisë së Jugut. Sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Aleksandër Lomaia, ka thënë se “osetiano-jugorët, të mbështetur nga rusët po bëjnë masakra të tmerrshme në fshatrat gjeorgjiane”. Sipas britanikes “the Times”, trupat e luftëtarëve të vdekur gjeorgjianë po digjen në rrugët e kryeqytetit të Osetisë së Jugut, pas deklaratave nga banorët osetianë se ata kanë vrarë civilë gjatë ditëve të luftës. Akuzat e Gjeorgjisë nuk ndalen këtu. Sipas zyrtarëve të lartë, me gjithë nënshkrimin e paqes së përkohshme nga presidenti rus, Dimitri Medvedev dhe pranimit të saj më pas edhe nga kreu gjeorgjian, Mikheil Sakashvili nën ndërmjetësimin e presidentit francez Sarkozi, trupat ruse nuk janë larguar nga territori gjeorgjian. Ata kanë hyrë në qytetin Gori me tanke. Rusia e mohoi këtë deklaratë, por më pas pranoi se trupat e saj janë në afërsi të qytetit Gori. Zëdhënësit e ushtrisë ruse më vonë thanë se forcat ruse largojnë pajisjet e rënda ushtarake gjeorgjiane dhe municionin nga depot e armatimit në afërsi të qytetit “në interes të demilitarizimit të zonës së konfliktit”. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov tha se Moska do t’i tërheqë plotësisht trupat e saj pasi t’i ketë tërhequr edhe Gjeorgjia plotësisht nga Osetia Jugore. Ai shtoi se Moska nuk ka për qëllim që të aneksojë asnjë pjesë nga Gjeorgjia dhe e respekton sovranitetin e saj, por inkursioni ushtarak rus në Osetinë e Jugut ishte përgjigje e sulmit të provokuar ndaj qytetarëve të vet, duke iu referuar faktit se Moska i ka pajisur me dokumente shumicën e popullsisë në këtë rajon separatist të Gjeorgjisë. Lavrov ka thënë se në ditët e ardhshme Rusia do të vazhdojë të ndërmarrë hapa diplomatikë për të konsoliduar armëpushimin e ndërmjetësuar nga BE. Vazhdimi i pranisë ruse në Gjeorgji edhe pas marrëveshjes ka shqetësuar Perëndimin. Me kërkesë të SHBA, Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të mblidhen të martën e ardhshme në Bruksel për të diskutuar mbi gjendjen në Gjeorgji, pas deklaratave të zyrtarëve të vendit aspirant për anëtarësim, se Rusia nuk po i tërheq trupat. Ndërsa OSBE do të rrisë numrin e vëzhguesve në Osetinë e Jugut nga 200 në 300 veta për të ndihmuar në mbikëqyrjen e një armëpushimi të brishtë mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, sipas ministrit të Jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer.

Reagimi i Kievit
Presidenca ukrainase nënshkroi dje një dekret, që vendosi kufizime për lëvizjet e flotës ruse të Detit të Zi me bazë në Ukrainë. Anijet luftarake dhe aviacioni rus duhet të paralajmërojnë ushtarakët ukrainas të paktën 72 orë përpara, për marrjen e miratimit të Kievit për largimin, ose rikthimin e tyre në portin e Sabastopolit në Krime. “Nëse këto kërkesa nuk zbatohen, autoritetet ukrainase mund t’u kërkojnë anijeve dhe avionëve të flotës ruse të largohen menjëherë nga territori ukrainas”, thekson dekreti.

Fonde për rindërtim
“Rusia ka planifikuar të paktën 400 milionë dollarë gjatë këtij viti për rindërtimin e kryeqytetit të Osetisë së Jugut, Tskhinvali”, deklaroi ministri rus i Financave, Alexei Kudrin. Ai premtoi gjithashtu, 2 mijë dollarë si shpërblim për çdo viktimë të luftimeve në Tskhinvali, një ndihmë që pritet të forcojë më tepër lidhjet ekonomike mes Rusisë dhe Osetisë së Jugut. 20,5 milionë dollarë janë akorduar për ndihmë të menjëhershme për refugjatët që u larguan nga Osetia e Jugut.

BE: Në terren në Gjeorgji, por me rezolutë të OKB-së

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian zhvilluan dje një mbledhje emergjente mbi situatën në Gjeorgji, ku ranë dakord të dërgojnë vëzhgues në këtë zonë, por vetëm me një Rezolutë të OKB-së. “Shumë shtete të BE-së ishin gati të dërgojnë vëzhgues në Gjeorgji, por dëshirojmë që Kombet e Bashkuara të miratojnë një rezolutë paraprake”, tha ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, vendi i të cilit mban presidencën e BE-së për këtë gjashtëmujor. “Ne jemi të vendosur të veprojmë në terren. KE dhe shefi i Politikës së Jashtme, Havier Solana po përgatiten për këtë”, tha Kushner pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së. Ndërkohë ministrat e Jashtëm të BE-së kanë vendosur të zhvillojnë një tjetër takim në shtator lidhur me situatën në Gjeorgji, por këtë herë mbi marrëdhëniet e bllokut të 27 vendeve me Rusinë. Takimi u planifikua pas kërkesës së Britanisë së Madhe.

Bush: Kemi mbështetje të palëkundur për Gjeorgjinë

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush ka shprehur shqetësim mbi veprimet ushtarake të Rusisë kundër Gjeorgjisë. Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë ai tha dje se, do të dërgonte Sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs në Tbilisi për t’i ofruar mbështetjen amerikane qeverisë gjeorgjiane. Më parë Rajs do të shkojë në Francë për t’u konsultuar me Presidentin francez, Nikola Sarkozi. “Duhet të respektohet sovraniteti i Gjeorgjisë. Rusia tha se nuk është qëllimi i saj ndryshimi i pushtetit në Gjeorgji. Presim që Rusia të respektojë angazhimin e saj”, tha Bush duke theksuar se, “Veprimet në vazhdim të Rusisë ngrenë pyetje serioze lidhur me synimet ruse në Gjeorgji dhe në rajon. Rusia është përpjekur të integrohet në strukturat diplomatike, politike, ekonomike dhe të sigurisë të shekullit të XXI, por i ka vënë në rrezik aspiratat e saj me veprimet në Gjeorgji, që janë në kundërshtim me parimet e këtyre institucioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›