Nuk e duroi sëmundjen e paralizës, vetëvaret 62-vjeçari
KORÇË – Një 62-vjeçar i pashpresë për shkak të sëmundjes së paralizës, ka vendosur t’i japë fund jetës duke u vetëvarur. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Korçës pohojnë se viktima është shtetasi Andrea Kabashi, lindur dhe banues në fshatin Vloçisht, pranë qytetit të Korçës. Familjarët e kanë gjetur atë të varur në kasollen ku mbanin ushqimet e bagëtive. Një grup policor shkoi në vendngjarje dhe kreu hetimet rutinë. Dyshohet se 62-vjeçari i ka dhënë fund jetës për shkak të sëmundjes së paralizës së pjesshme trupore. I ndjeri prej kohësh nuk arrinte dot të lëvizte lirisht dhe e vuante shumë këtë gjë. Dhe, në një gjendje të thellë depresioni, ka ndërmarrë aktin fatal, duke i dhënë fund jetës.
Prangoset grupi i trafikantëve, shisnin drogë nëpër shkolla
BERAT – Një grup të rinjsh që shpërndanin lëndë narkotike, kryesisht nëpër shkolla, është zbuluar nga policia, e cila ka arritur të prangosë tre persona. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Beratit bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar me emrin "Furtuna", u bë i mundur shkatërrimi i grupit të trafikantëve, aktiviteti i të cilëve shtrihej gjerësisht në mjediset e shkollave të qytetit. Inspektorët e Sektorit të Luftës Kundër Lëndëve Narkotike kishin nisur hetimet prej disa muaj dhe vetëm të premten në mbrëmje është finalizuar operacioni, duke sjellë arrestimin e shtetasve; Romeo Këmbaci, 28 vjeç, banues në Durrës; Aurel Ethemaj, 24 vjeç, banues në lagjen "Uznovë" të qytetit të Beratit dhe bashkëqytetari i tij Fatjon Hodo, 24 vjeç, banues në lagjen "Donika Kastrioti". Të tre personat e prangosur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë zbuluar dy ditë më parë nga agjentët antidrogës, duke shpërndarë lëndë narkotike, të tipit heroinë në shkollat e qytetit të Beratit, por pasi kanë parë policinë ata janë larguar menjëherë nga vendngjarja. Më pas policia shpalli në kërkim tre personat, të cilët ishin fshehur në banesën e 24-vjeçarit Aurel Ethemaj, në lagjen "Uznovë" të qytetit. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut bëjnë me dije se pas kontrollit të ushtruar në këtë banesë janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale 23 doza "heroinë", të gatshme për shitje. Materialet në ngarkim të këtyre tre shtetasve i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, pasi akuzohen për veprat penale të "prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim" dhe "përshtatje të ambienteve për përdorim droge". Sipas të dhënave zyrtare, personat e arrestuar kanë qenë dënuar më parë për veprat penale të "vjedhjes me dhunë","plagosje të rëndë" dhe "dezertim nga ushtria".
TË ARRESTUARIT
Romeo Këmbaci, 28 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Durrës;
Aurel Et'hemaj, 24 vjeç, banues në lagjen "Uznovë" të qytetit të Beratit;
Fatjon Hodo, 24 vjeç, banues në lagjen "Donika Kastrioti" të qytetit të Beratit.
11 Janar 2009