E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvaret pasi i nisi SMS së dashurës: “Prindërit nuk më lënë të të marr për nuse”

Gjendet i vdekur në një pemë në fshatin Piskovë Orgert Ramadani. Policia zbardh motivet: Shkak, refuzimi i prindërve për tu lidhur me një vajzë

PËRMET – Pasi nuk ka arritur të martohet me vajzën e ëndrrave të tij për shkak të refuzimit të prindërve, 22-vjeçari i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në pemë. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në fshatin Piskovë të rrethit të Përmetit. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se shtetasi Orgert Ramadani është gjetur i vdekur disa metra larg banesës së tij. Sipas tyre, Ramadani e ka ndërmarrë këtë veprim në kushtet e depresionit të rëndë, pasi ka debatuar me prindërit e tij mbrëmjen e së premtes dhe në orët e para të mëngjesit të djeshëm.
Ngjarja
Burime zyrtare nga Policia e Gjirokastrës bëjnë të ditur se rreth orës 10:15, në Komisariatin e Përmetit ka mbërritur një telefonatë se në fshatin Piskovë të rrethit Përmet, në një pemë është gjetur i varur një i ri. Sipas policisë, viktima është Orgert Ramadani, 22 vjeç, lindur dhe banues në këtë fshat, i cili është vetëvarur si pasojë e gjendjes depresive që po kalonte ditët e fundit. Nga dëshmitë paraprake është mësuar se i riu ishte dashuruar me një vajzë nga rrethi i Tepelenës, por që prindërit e tij nuk donin që ky ta merrte për nuse. Pasi ka debatuar me prindërit e tij gjatë mbrëmjes së datës 9 janar dhe paraditen e djeshme, ai është larguar duke u thënë se do të vriste veten.
Dëshmia
Babai i djalit ka deklaruar se e ka ndjekur nga pas, por djali është fshehur për t’i shpëtuar ndjekjes së të atit. Më pas, Orgerti, rreth orës 10:00 të mëngjesit, pasi ka shkuar afër përroit të Koritës, disa metra mbi vreshtat e fshatit Piskovë, në një pemë (bajame), ka varur veten me një litar. Kufoma është konstatuar nga djali i xhaxhait të tij, i cili po e kërkonte së bashku me të atin e viktimës. Nga këqyrja që iu bë celularit të tij, u gjet një SMS që djali ia kishte nisur vajzës që donte, ku i shkruante se do të varte veten. Nga ana e policisë u morën masa duke kontaktuar me familjarët e vajzës, për të parandaluar ndonjë ngjarje të mundshme tragjike që mund të ndërmerrte vajza.
Ekspertët e kanë dërguar kufomën në morgun e spitalit dhe pasi i është bërë analiza, është nxjerrë konkluzioni se është vetëvrasje. Prokuroria po merret me procedurat për zbardhjen e plotë dhe mbylljen e dosjes.

11 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›