Koha për arketipa të rinj!
Artistët më nuk merren me inventarizimin e ndodhive historike
Artistët më nuk merren me inventarizimin e ndodhive historike, me aktualizimin e temave dhe përmbajtjeve të së kaluarës, sepse, siç thoshte një poet francez, me mbeturinat e së kaluarës ngarkuar mbi shpinë, vështirë shkohet përpara. Ata shikojnë vetëm përpara, të vetëdijshëm se vetëm një shikim i tillë shpie drejt rrugës së arketipave të rinj artistikë Gara për prurje të reja artistike ka filluar. Në qarkullim janë idetë e reja. Krijuesi nuk është ai i kohës së romantizmit. Parimi redy-med i Marsel Dyshanit është tejkaluar, Fontana e tij e proklamuar si vepër arti, nuk komunikon me kohën. Nuk komunikon me kohën as artisti i cili nuk e ka kuptuar se është legjitimuar gara globale për shpikjen e arketipave të reja në art, në shkencë, moral e madje edhe në fe. Kjo kohë është kohë e ripyetjeve dhe e ripërgjigjeve. Po vjen në shprehje madje më fuqishëm se asnjëherë më parë, ajo maksima e lashtë latine që thotë se në çdo gjë duhet dyshuar (De Omnibus Dubitandum). Njeriu është vetëdijesuar për mundësitë e veta të veprimit, krijimit dhe të mendimit si në shkencë, po ashtu edhe në art. Artistët më nuk merren me inventarizimin e ndodhive historike, me aktualizimin e temave dhe përmbajtjeve të së kaluarës, sepse siç thoshte një poet francez, me mbeturinat e së kaluarës ngarkuar mbi shpinë, vështirë shkohet përpara. Ata shikojnë vetëm përpara, të vetëdijshëm se vetëm një shikim i tillë i shpie drejt rrugës së risive dhe të arketipave artistikë, drejt së vërtetës. Të vetëdijshëm se e vërteta nuk mund të kapet, të njihet përmes ndjenjave dhe emocioneve, pra në mënyrë estetike, çdo fenomen që ekziston në botën organike dhe joorganike ata e artikulojnë përmes njohjes logjike, rati-os, dhe me fuqinë e argumenteve shkencore. Artistët e kohës sonë ia kanë kthyer shpinën të bukurës, romantikes, pra njohjes sensitive dhe gjithnjë e më shumë po mbështeten në mundësitë njohëse logjike racionale, sepse më në fund kanë kuptuar se vetëm kështu mund të njihet e pra edhe të përcaktohet e vërteta, e mira, virtyti, ligësia e kështu ne radhë. Ata nuk i pranojnë më dualizmat shkencorë filozofikë e estetikë, mendimet asnjëjëse apo aproksimative, të mbështetura në kuazi-argumente, në të vërteta diskutabile. Do prova dhe argumente të reja, për çdo gjë që u intereson dhe i rrethon: në natyrë, jetë, shkencë, art, shoqëri. Ndonëse shumëçka është zbuluar, ende ka mbetur shumë për tu ndriçuar dhe për tu shpjeguar nga mendja e ndritshme e njeriut. Hegeli thoshte se kurrgjë nuk ekziston që nuk ka qenë një herë. Sipas tij, pra, do të mund të quheshin të kota të gjitha synimet e studiuesit të hulumtojë diçka të re, diçka që nuk ka ekzistuar më parë. Epo filozofi gjerman, ka harruar vetëm një imtësi: se çdo kohë sjellë sfida e qasje të reja e me to sjellë edhe kundrime e studime gjithashtu të reja, mbi fenomenet ekzistuese të ditura dhe mbi të tjerat të paditura dhe të pa zbuluara, për të vetmin arsye se me kohën evoluon edhe vetëdija e njeriut, me të cilën evoluojnë, përkatësisht zhvillohen edhe mundësitë e tij gnoseologjike, pra njohëse. Mona Liza e Leonardos, si vepër arketipore e zhanrit të portretit, është krijuar para gjashtë shekujve dhe në çdo shekull është shpjeguar dhe interpretuar ndryshe, apo është heshtur fare. Studiuesve të kohës sonë u intereson prejardhja e disponimit të saj psikik, domethënia e buzëqeshjes së saj enigmatike. Studiuesit e ardhshëm do të interesohen për ndonjë element tjetër të këtij portreti, p. sh., për peizazhin poetik në sfond, kurse vetë portreti i Mona Lizës nuk do të cilësohet ndryshe, veçse si portret i një femër të rëndomtë topolake pa bukuri. Pra, Mona Liza, që në shekullin XX konsiderohej prototip i bukurisë mitologjike të femrës, në shekujt që pasojnë do të zhvishet nga ky mit, pak sepse do të ndryshojë shija, por më tepër, për faktin se do të ndryshojë përkatësisht do të evoluojë vetëdija njohëse, por edhe ajo krijuese. Madje, jo vetëm njohjet, por edhe fenomenet artistike apo vlerat arketipore që do të pasojë pas artit të kohës sonë, do të janë rezultate të evoluimit të ideve, mendimeve dhe koncepteve. Ato nuk do të vetëlindin, por do të krijohen me kohën nga gjenialiteti kreativ apo më mirë të themi nga vetëdija gjeniale e demiurgut. Mu për këtë themi se konkursi për ide të reja është hapur garat për prurje të reja artistike kanë filluar, sepse arti i sotëm modern, postmodern dhe konceptual apo global, tashmë është mbështetur për muri. E i duhet një energji e re dhe kreative ta lëvizë, të shtyjë përpara.