E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i armëve, Efraim Diveroli arrestohet sërish në SHBA



FLORIDA - Arrestohet në SHBA Efraim Diveroli. I njohur në Shqipëri si pronari i një firme që merrte municionet nga Gërdeci, Diveroli është vënë në pranga të premten në Florida. I arrestuari mësohet se është vënë në pranga për mbajtje të armëve pa leje. Diveroli ka dalë ditën e djeshme para Gjykatës Federale dhe ajo ka vendosur që ai të qëndrojë në qeli, duke mos pranuar garanci pasurore.
Në vitin 2008 ai ishte arrestuar nga autoritetet amerikane për trafik armësh, pasi merrte fishekët kinezë nga Shqipëria dhe ia jepte ushtrisë amerikane në Afganistan, duke ua falsifikuar origjinën. Ai ishte në pritje të dënimit, i cili ishte caktuar për në nëntor. Por, nga hetimet e këtij muaji ai është regjistruar duke thënë se kishte armë. Diveroli u regjistrua nga agjentët e fshehtë më 4 gusht duke thënë se ai “ka një rezervë të madhe municioni në Shtetet e Bashkuara" dhe se i kishte shkarkuar municionet e tij gjatë dy viteve të fundit. Diveroli tashmë përballet me akuza të reja. Ai është regjistruar në një bisedë me një agjent të infiltruar duke i ofruar atij ndërmjetësim për një kontratë armesh nga një fabrikë në Korenë e Jugut, në drejtim të Shteteve të Bashkuara.
Regjistrimet
Në bisedën me agjentin ai ka thënë: "Isha dikur një kontrabandist armësh dhe gjithmonë do të jem një kontrabandist armësh". Në bisedat e tjera të regjistruara, Diveroli është mburrur për shkeljen e statusit të tij, si një i pandehur në pritje të dënimeve. Më 11 gusht ai ka thënë se "një ditë më parë isha për qitje në poligon" dhe disa ditë më vonë ai është regjistruar duke thënë se ai dhe një mik “ishin kohët e fundit për gjueti aligatorësh, të drerit bishtbardhë dhe derra të egër në Everglades”. Sipas regjistrimit, ai kishte një pushkë të kalibrit të madh. Më pas është regjistruar duke thënë se "ata patën disa të shtëna të mira ndaj një aligatori". Diveroli është regjistruar duke thënë se makina e tyre kishte ngecur në baltë dhe se ishin duke pritur një kamion për t’i tërhequr ato. Sipas policisë, kur është pyetur ai është justifikuar duke thënë se ishte për një vizitë mjekësore pasi ishte sëmurë. Por regjistrimet i kanë hedhur poshtë të gjitha pretendimet e tij.
Arrestimi
Ai u arrestua të premten në makinën e tij në zonën e Brevard-it, pas operacionit të agjentëve të fshehtë. Zona Brevard është jashtë qarkut federal jugor të Floridës, ku Diveroli kishte rënë dakord të qëndronte i lirë, si pjesë e kushteve të tij. Gjatë kontrollit agjentët i kanë gjetur Diverolit një pistoletë “Glock” model 17 dhe një pushkë gjysmë-automatike 7,62 milimetërshe. Diveroli, nën betim se nuk do të merrej me trafik armësh, ka thënë se ishte i entuziazmuar nga armët që ai sugjeroi me qëllim që të udhëtonte me shokët e tij dhe që më pas do t’i shisnin. Ai kishte shkuar në Uall-Mart (supermarket) dhe kishte blerë municione në mënyrë që ata mund të shkonin për gjueti. Në supermarket Diveroli dhe miqtë e tij kishin blerë qindra municione dhe pastaj shkuan përsëri për t'u takuar me agjentët e fshehtë, për të qëlluar në mal. Sapo ka mbërritur ai është vënë në pranga menjëherë. Sipas policisë, municioni është gjetur në ndenjësen e pasme të makinës së tij “Audi”.

Dosja e dytë e Diverolit, e bërë nga FBI-ja
FLORIDA - Sipas “New York Times”, Gjykata Federale e Distriktit në Orlando ka urdhëruar nisjen e hetimeve për një sipërmarrje të zgjeruar kriminale nga Diveroli. Ai akuzohet për drejtimin e një kompanie fantazmë për tregti të jashtëligjshme armësh. “Një agjent i fshehtë kriminal e ka zënë në gracë Diverolin”, - vazhdon shkrimi i Neë York Times-ir, "Arms Dealer Faces New Charges", i botuar në faqen online të gazetës me seli në Majami. Sipas dosjes së përpiluar pikërisht nga agjenti special Kevin McCann, Diveroli përshkruhet si drejtuesi i një kompanie fantazmë të quajtur “Advanced Munitions”, në tentativë për tregti të jashtëligjshme armësh. Dëshmia e dhënë nga agjenti special Kevin McCann tregoi se Diveroli, i cili nuk ka licencë federale për tregti armësh, tentoi të bashkëpunonte me një tregtar të licencuar armësh për transportim municionesh dhe armë zjarri në SHBA. Gazeta shkruan se është e regjistruar biseda mes Diverolit dhe agjentit McCann, ndërsa i kërkonte ndihmë këtij të fundit për transportimin e armëve dhe municioneve për në SHBA. Veç kësaj, në bisedë e sipër, Diveroli i kishte ofruar agjentit (ky i fundit hiqej si konsulent i një kompanie) që kërkonte të importonte karikatorë për armë të kalibrit të rëndë dhe t’i shiste fishekë pistolete. Duke mos ditur se McCann ishte agjent i fshehtë, ai i kishte kërkuar ndihmë për importimin e karikatorëve për armë të kalibrit të rëndë me 100 fishekë secili, nga një fabrikë e Koresë së Jugut për në SHBA. Diveroli shpresonte që me këtë kontratë të tregtonte rreth 120 mijë copë në vit. Gazeta amerikane informon se të hënën gjykata refuzoi lirimin me kusht kundrejt një garancie financiare dhe e la në paraburgim.

Dënimi në Majami
I akuzuar për trafik armësh kineze dhe i lidhur me tragjedinë e Gërdecit në Shqipëri, Efraim Diveroli mund të dënohet me vetëm 5 vite burg nga Gjykata e Majamit, SHBA. Siç bën të ditur “The Associated Press”, i akuzuar për një skemë ku do të kalonin ilegalisht anije me gati 300 milionë dollarë municion kinezë për ushtrinë afgane ka rënë dakord me gjykatën për një ujdi që mund ta dërgojë atë në burg deri në pesë vjet. Sipas marrëveshjes, prokurorët do të heqin 84 akuza për shkelje ndaj 26-vjeçarit Efraim Diveroli nga Miami Beach, me kusht që ai të deklarohet fajtor për një akuzë konspiracioni. Ai, gjithashtu, mund të gjobitet deri në 250 000 dollarë. Kompania “AEY Inc” e Diverolit kishte marrë rreth 298 milionë dollarë pas një kontrate me ushtrinë e SHBA për të siguruar municione, me qëllim që të dërgoheshin në Afganistan. Por kontrata e kishte të ndaluar eksportimin e municionit kinez dhe prokurorët thonë se kompania nuk është përgjegjëse pasi nuk e dinte që në pakot e marra në Shqipëri kishte municion. Ato ishin deklaruar si prodhim i Europës Lindore. Dënimi është caktuar të jepet më 10 nëntor të këtij viti.

Pagesat e bëra nga Diveroli për MEICO-n
Kontratat dhe pagesat që Efraim Diveroli i ka bërë ndërmarrjes “MEICO” kanë shërbyer si provë për prokurorët amerikanë për të ngritur akuzën e zhvatjes dhe transaksioneve të paligjshme mbi Diverolin. Tashmë me këtë shtim akuzash, djaloshi që tronditi Pentagonin rrezikon deri në njëzet vite burg. Gazeta ”Albania” botoi për herë të parë listën e faturave që Diveroli kishte bërë për MEICO-n, duke nxjerrë publikisht rolin fantazmë dhe prej sekseri të firmës ”Evdin ltd”. Të dhënat e siguruara nga prokurorët amerikanë lidhur me faturat e pagesave ndërmjet firmës “AEY” dhe “MEICO”-s kanë zbuluar rolin inekzistent të firmës seksere ”Evdin ltd” në këtë marrëdhënie. Por, këto të dhëna duket se kanë nxjerrë automatikisht në pah fshehjen dhe grabitjen e më shumë se 8 milionë dollarëve nga kjo firmë. Që prej qershorit deri në dhjetor të vitit 2007 asnjë pagesë nuk është kryer nga firma ”Evdin ltd” në drejtim të MEICO-s, por kjo firmë, sikurse ka rezultuar në hetimet e Prokurorisë, ka rritur çmimin nga 22 USD/1 mijë fishekë, në 40 dollarë/1 mijë fishekë. Por faturat e siguruara nga prokurorët amerikanë kanë zbuluar se pagesat janë bërë direkt nga llogaria e firmës “AEY” dhe firma “Evdin lid” nuk ka pasur kurrfarë aksesi në pagesat e bëra për çdo transportim dhe eksportim të municionit për në Afganistan.

Kush është Efraim Diveroli?
Emri i Efraim Diverolit u bë i njohur për herë të parë për publikun shqiptar disa ditë pas shpërthimit tragjik të Gërdecit, më 15 mars 2008. Pas një hetimi të gazetës "New York Times", ai u vu në qendër të një skandali armësh, ku me ndihmën e autoriteteve shqiptare, presidenti i AEY-së kishte arritur t'i shiste ushtrisë amerikane municione të vjetra kineze, të ripaketuara. Për publikun u paraqitën prova të lidhjeve të tij me palën shqiptare, një bisedë me të ndjerin Kosta Trebicka. Gjithashtu, burime të Prokurorisë shqiptare kanë konfirmuar ardhjen e Diverolit të paktën katër herë në Tiranë. Dëshmia e tij për aferën e armëve ndodhet në dosjen e etiketuar si top-sekret të Prokurorisë shqiptare që po heton për tragjedinë e Gërdecit.

25 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›