Hysi: “Kompania ‘Fortis 2’ e aksioneve të Priftit ka 7 milionë euro borxh”
Partia Socialiste i është rikthyer rastit “Prifti”, duke sjellë fakte të reja që dëshmojnë lidhjen e tij me aferat korruptive. Për më shumë se dy muaj nuk ka pasur asnjë reagim nga kryeministri Sali Berisha ndaj rastit të ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Ka qenë deputetja socialiste, Vasilika Hysi, e cila deklaroi dje se kompania “Fortis 2”, ku ministri Prifti i ka shitur 30.5 për qind të aksioneve të kësaj kompanie kushëririt të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka 7 milionë euro borxh. Hysi ngre pikëpyetjet se si Prifti i ka shitur aksionet e tij kur kompania në fjalë mbart një borxh të madh. Në këto kushte, deputetja socialiste i kërkon ministrit Prifti të japë llogari për 1.8 milionë eurot e tij. Hysi, në emër të Partisë Socialiste, u ka kërkuar organeve të drejtësisë që të hetojnë këtë rast korrupsioni, pasi, në të kundërt qytetarët shqiptarë do të humbitnin besimin edhe te Drejtësia.
Borxhi
“Bëhen sot (dje) mbi 45 ditë që nga publikimi i aferës korruptive të pasurimit të Dritan Priftit me 1.8 milionë euro, në konflikt të pastër interesi. Por, deri sot nuk kemi dëgjuar të ketë asnjë reagim për këtë aferë, as nga kryeministri Berisha, as nga Prokuroria dhe as sqarim publik të ministrit në fjalë. Prandaj, teksa u lëmë kohë ministrave të qeverisë “Berisha” që të konsultohen me kunatat e kunetërit për koncesionet dhe licencat që kanë marrë nga Sali Berisha dhe Dritan Prifti, dëshirojmë të bëjmë publike një sërë faktesh që hedhin hije edhe më të rënda dyshimi mbi përmasat e vërteta të kësaj afere”, - u shpreh Hysi. Deputetja socialiste bën me dije se kompania “Fortis 2” është regjistruar në vitin 2007 me një kapital themelimi prej 1 milion lekësh të vjetër. Por, sipas bilanceve të vetë kompanisë për vitet 2007 dhe 2008 nuk ka realizuar as edhe një lek fitim dhe se humbjet në këto dy vite kanë qenë mbi 66 milionë lekë. “Teksa u lëmë kohë ministrave të qeverisë ‘Berisha’ që të konsultohen me kunatat e kunetërit për koncesionet dhe licencat që kanë marrë, dëshirojmë të shpjegojmë se sipas bilanceve të kompanisë, në fillim të vitit 2009, vit gjatë të cilit ministri Prifti shiti 30.5% të aksioneve të kësaj kompanie, ajo rezulton të ketë pasur detyrime ndaj palëve të treta në vlerën 6 311 336 000 lekë, ose më shumë se 5 milionë euro borxh”, - deklaroi Hysi, duke shtuar: “Ndërkohë që ministrat e kabinetit ‘Berisha’ konsultohen me kunetërit dhe kunatat, ju informojmë se këtij borxhi prej mbi 5 milionë eurosh në vitin 2009 i është shtuar edhe një kredi tjetër mbi 1.5 milionë euro. Pra, në total, në vitin 2009, kompania ku ishte aksioner ministri Prifti, kishte detyrime totale ndaj palëve të treta prej përafërsisht 7 milionë eurosh. Pra kemi një kompani që është krijuar me 1 milion lekë të vjetër, që në dy vjet nuk ka prodhuar as edhe një tullë, nuk ka nxjerrë asnjë qindarkë fitim dhe ka një borxh prej rreth 7 milionë eurosh dhe tre persona të punësuar”.
Dyshimet
Deputetja socialiste, e gjendur përballë kësaj situate, e ka ftuar ministrin Prifti të bëjë transparencë mbi 1.8 milionë eurot e tij. “Si shpjegohet që 30.5% e aksioneve të kësaj kompanie me bilanc falimenti, që në dy vjet nuk ka prodhuar as edhe një tullë, nuk ka nxjerrë asnjë qindarkë fitim dhe ka një borxh prej rreth 7 milionë eurosh, shiten nga ministri Prifti dhe blihen për 1.8 milionë euro nga biznesmeni Rasim Hamzaraj, kushëriri i ministrit tjetër të LSI-së, Petrit Vasili. Si ka mundësi që 30.5% e aksioneve të një kompanie me financa të tilla në gjendje të mjerueshme të shitet për 1.8 milionë euro? A është kjo një blerje apo një ryshfet që i jepet ministrit Prifti për shërbimet e favoret që ka kryer si ministër i ekonomisë?” - ngre pikëpyetjet deputetja Hysi, duke kërkuar përgjigje nga ministri Prifti.
Turdiu: “Konferenca e ambasadorëve do të diskutojë për sigurinë në rajon”
Ministria e Jashtme, si çdo vit, do të mbledhë ditën e mërkurë në Tiranë përfaqësuesit diplomatikë shqiptarë nëpër botë, për të diskutuar mbi problematikën dhe mënyrën e intensifikimit të politikës së jashtme. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, dje, në një intervistë për një media, deklaroi se konferenca e përvitshme do të bëjë një analizë të hollësishme të shërbimit të jashtëm për vitin e shkuar, por duke mos lënë pas dore dhe situatën në rajon, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Turdiu u shpreh se konferenca e ambasadorëve të Shqipërisë nuk do të sjellë ndryshim të politikës së jashtme të Shqipërisë. Ai pohoi se Shqipëria ka arritur një pjekuri të tillë që politika e saj e jashtme është e qëndrueshme dhe ka një linjë, e cila prej njëzet vitesh është po ajo. “Kjo konferencë është kthyer në një traditë për shërbimin e jashtëm shqiptar, sikurse është një traditë në shumë shërbime të jashtme nëpër botë. Ideja është që, në harkun kohor të një viti gjatë funksionimit të shërbimit të jashtëm, në qendër dhe në përfaqësi, grumbullohet informacion, zhvillohen procedura, të cilat, sigurisht, janë një përvojë dhe në qoftë se ne i ndajmë, i diskutojmë dhe i trajtojmë me njëri-tjetrin, kjo na ndihmon për të strukturuar punën tonë. Kështu që, pas një viti, në fund të pushimeve të verës, ne mblidhemi këtu, shefat e përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore nëpër botë vijnë në Tiranë dhe takohen me drejtuesit kryesorë të shtetit, që kanë rol kryesor në drejtimin e politikës së jashtme; ministri i Jashtëm, kryeministri dhe Presidenti i Republikës”, - u shpreh Turdiu. Gjithashtu, ai bëri me dije se gjatë konferencës trajtohen edhe çështje, të cilat janë ndjekur në harkun e këtij viti dhe natyrisht strukturojnë punën për vitin që vjen.
Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së nënvizoi se qëllimi i vetëm strategjik i realizimit të kësaj konference të përvitshme është integrimi euroatlantik, stabilizimi në rajon. Turdiu theksoi se për fat të mirë, Shqipëria ka arritur një pjekuri të tillë që politika e saj e jashtme është e qëndrueshme dhe ka një linjë, e cila prej njëzet vitesh është po ajo. “Kështu që nuk është se kjo konferencë kërkon të diskutojë çështje që mund të ndryshojnë rrjedhën ose qëllimet strategjike të vendit tonë. Qëllimi ynë strategjik është integrimi euroatlantik, natyrisht paqja dhe siguria, kryesisht në rajonin tonë, sepse këtu janë edhe interesat tona parësore dhe kontributi që vendi ynë mund të japë në bashkëpunim me vendet e tjera demokratike në botë për qetësimin, stabilizimin dhe paqen për rajone të tjera të vështira të botës”, - tha Turdiu. Pra, sipas tij, nuk priten ndryshime në politikën e jashtme të Shqipërisë. Turdiu nënvizoi se përvoja e grumbulluar nga shefat e përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore në botë do t’u vlejë të gjithë kolegëve gjatë diskutimeve, duke trajtuar qoftë edhe nuanca me të cilat janë ndeshur në vendet ku shërbejnë.
Deklarata
Prifti publikon kontratën: “Ekziston një leje koncesionare për ndërtimin e HEC-ve”
Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi dje se ka dhënë një leje koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Kardhiq dhe jo 6 leje, siç pretendon opozita. Prifti bëri publike një kopje të kontratës koncesionare për ndërtimin e HEC-eve mbi lumin “Kardhiq”, të nënshkruar në vitin 2009 me Arian Tartarin, bashkëshortin e deputetes Albana Vokshi. Ashtu si në deklaratën e dy ditëve më parë të sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, Prifti tha se procedura e lëshimit të lejes koncesionare ka qenë tërësisht e ligjshme. “Unë, në syrin e një eksperti, nuk shoh asnjë nxitim, asnjë shkelje ligji në këtë kontratë. Koncesioni është vetëm për një kaskadë dhe ka vetëm një licencë”, - deklaroi Prifti. I pyetur nga gazetarët nëse ishte në dijeni të ndonjë lidhjeje familjare të ministrave të kabinetit qeveritar me personat që kanë përfituar leje koncesionare, ministri tha se edhe nëse ka raste të tilla nuk është cenuar në asnjë moment ligji. “Nuk ka pasur shkelje të ligjit nga asnjë ministër i djeshëm apo i sotëm në lidhje me dhënien e koncesioneve. Të gjithë janë të lirë për sipërmarrje të çfarëdo natyre, mjafton të zbatojnë ligjin”, - tha Prifti. Përsa i përket situatës energjetike në vend, Prifti tha se rezervat ujore janë më të larta se një vit më parë dhe garantojnë prodhimin e energjisë deri në muajin dhjetor. Aktualisht prodhohet 10 milion kilovat energji në ditë, ndërsa konsumi arrin në 18 milion kilovat.
Reagimi
Imeraj: “Prifti të bëjë transparente procedurat për 6 koncesionet mbi lumin Kardhiq”
Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, i bëri apel ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, të bëjë transparencë mbi të gjitha koncesionet për hidrocentrale. Reagimi i saj vjen menjëherë pas deklaratës së ministrit Prifti, i cili tha se procedura e lejes koncesionare ka qenë e ligjshme. “Dëgjuam me shumë vëmendje deklaratën e ministrit Prifti, por përveçse kuptuam se sa shpejt këta njerëz shesin njëri-tjetrin, morëm edhe konfirmimin se akuzat e ngritura publikisht nga Partia Socialiste janë të vërteta. Kështu, siç kemi paralajmëruar, qenkan 6 hidrocentrale në kaskadën e lumit Kardhiq dhe jo një, siç pretendonte pronarja e hidrocentraleve, zonja Vokshi”, - u shpreh Imeraj, duke apeluar: “I kujtojmë zotit Prifti se nuk ka rrugë tjetër për të shpëtuar prej kësaj historie, përveç bërjes së transparencës së plotë të të gjitha kontratave dhe koncesioneve të dhëna, qoftë nga ministri aktual, qoftë nga paraardhësi i tij. Gjithashtu i kujtojmë kunatave dhe kunetërve të ministrave, se problemi nuk qëndron tek fakti se ata bëjnë biznes, por tek fakti se bizneset e tyre janë të ngritura mbi abuzimin me pushtetin dhe korrupsionin e kunetërve respektive”.
25 Gusht 2010