E Diel, 1 Nëntor 2026

Osmani: "Ndërhyrja për sigurinë në rrugë është urgjente!"



TIRANË – Me gjithë masat e marra nga autoritetet për rritjen e sigurisë në rrugë, Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të aksidenteve për nga numri i banorëve dhe i automjeteve. Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Sigurisë Rrugore, Demir Osmani, në një intervistë dhënë korrespondentit të BBC-së në Tiranë, Ilir Kadia, thotë se është urgjente nevoja e masave për rritjen e sigurisë në rrugë, për të zvogëluar numrin e të ashtuquajturave “njolla të zeza” të rrjetit rrugor, ku më e madhja vlerësohet autostrada Tiranë-Durrës.

Osmani: Këtë vit, qeveria shqiptare, që në fillimet e sezonit turistik edhe më pas mori disa masa për organizimin e tërë strukturave që punojnë në fushën e sigurisë për parandalimin e aksidenteve rrugore, sidomos Policinë Rrugore, duke krijuar një Drejtori të Përgjithshme të Policisë Rrugore me struktura të reja dhe të veçanta, për t’i ndihmuar disi qytetarët që qarkullojnë nëpër rrugët e Shqipërisë.
BBC: Në fakt, ka qenë shumë e pranishme policia këto ditë nëpër rrugët e Shqipërisë, por kjo është shoqëruar me një fenomen, zoti Osmani, që unë e kam vënë re dhe më parë; që shtetasit shqiptarë, sa e shikojnë policin, mobilizohen duke vënë rripin e sigurimit, tjetërsohen në zakonet e tyre dhe pastaj, pasi kalojnë policin, heqin rripin e sigurimit duke iu nënshtruar pasigurisë...
Osmani: Kjo ka të bëjë me një raport të zhdrejtë midis qytetarit shqiptar dhe policit rrugor. Është e vërtetë që qytetari shqiptar sapo sheh policin ul shpejtësinë, vendos rripin e sigurimit, rrit vëmendjen dhe kujdesin dhe kalon para policit si një “nuse e urtë”. Sapo kalon policin heq rripin e sigurimit, rrit shpejtësinë duke rrezikuar të aksidentohet. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse ende qytetari shqiptar nuk e sheh policin rrugor si dikë që ka dalë në rrugë për t’i shërbyer atij, për ta ndihmuar atë, për ta mbrojtur jetën e tij, por si një gjobëvënës. Fatkeqësisht edhe strukturat e Policisë së Shtetit sot po i mëshojnë shumë faktit që kanë rritur shumë numrin e gjobave në rrugë. Realisht, rritja e numrit të gjobave a ka çuar në uljen e numrit të aksidenteve rrugore? A ka çuar në uljen e numrit të njerëzve që humbin jetën në rrugë? Kjo ndihet shumë pak realisht.
BBC: Përse vazhdon të jetë kaq i lartë numri i aksidenteve me protagonistë emigrantët?
Osmani: Dy faktorë mendojmë ne se e shkaktojnë këtë: fakti që ardhja e emigrantëve e rrit shumë numrin e mjeteve në një periudhë të vogël kohe ose, siç themi ne, e rrit shkallën e motorizimit të mjeteve në rrugët e Shqipërisë, si rrjedhojë edhe premisa për të ndodhur aksidente është më e madhe. Së dyti, psikologjia me të cilën vijnë emigrantët në Shqipëri është psikologjia e rrugëve të mira, të sigurta, ndërkohë që në rrugët shqiptare, pavarësisht investimeve të mëdha që janë bërë, elementet e sigurisë rrugore mungojnë në shumicën e rrugëve tona.
BBC: Pse është kaq e brishtë siguria rrugore në Shqipëri? Ju jeni kryetari i Shoqatës së Sigurisë Kombëtare Rrugore.
Osmani: Unë mendoj se tre janë faktorët kryesorë që ndikojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore. Faktori i parë dhe më i rëndësishëm është edukata e qytetarëve shqiptarë me mënyrën sesi duhet të qarkullohet në rrugë. Për të lëvizur në rrugë duhet të njohësh disa rregulla të Kodit Rrugor. Që këto rregulla t’i njohësh e t’i zbatosh duhet të krijohet një edukatë e caktuar, dhe kjo edukatë ende mungon. Pikërisht për të forcuar këtë edukatë ne mendojmë se ka nevojë që në gjithë sistemin tonë arsimor, por edhe në sistemin e edukimit formal jashtëarsimor duhet të punohet edhe për edukimin e qytetarëve, sidomos të brezit të ri, me njohjen e rregullave të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.
BBC: Çfarë janë këto njolla të errëta të ashtuquajtura në rrjetin rrugor shqiptar?
Osmani: Siç thamë, rrugët shqiptare janë ndërtuar përgjithësisht të reja. Ndërtimi i këtyre rrugëve ka bërë herë pas here të mos bëhen projekte të sakta me elementet e sigurisë rrugore. Si rezultat i kalimit të mjeteve në këto rrugë të reja ka nxjerrë probleme në disa nyje kyçe të rrugëve ku ndodhin më shumë aksidente, çka tregon se aty janë krijuar disa njolla të zeza, që ne i quajmë pika të rrezikshme te të cilat patjetër duhet që shteti shqiptar t’i studiojë dhe të ndërhyjë për t’i rregulluar këto elemente të sigurisë rrugore. Po jap një shembull: është një rrethrrotullim në Lushnjë dhe brenda një viti kanë ndodhur 27 aksidente ku kanë vdekur rreth 20 qytetarë. Atëherë me siguri këtu është një njollë e zeza, e cila duhet rregulluar dhe një ekip inxhinierësh, projektuesish, por edhe zbatues, të cilët e njohin mirë Kodin Rrugor, duhet të ndërhyjnë që në këtë rrugë ky projekt të përmirësohet që mos të ndodhin më gjëra të tilla.
BBC: Ku do t’i gjejë paratë qeveria shqiptare? Po shpenzohen kaq shumë për rrugë...
Osmani: Për rregullimin e njollave të zeza nuk duhen shumë para. Problemi është të ketë vetëm një organizim dhe dëshirë. Mbas një studimi që kemi bërë ne si shoqatë vëmë re se për të rregulluar njollat e zeza mund të duhet jo më shumë se 2% e parave që përdoren në ndërtimin e rrugëve. Natyrisht edhe këtu ka një kosto, por kosto që ndodh si rezultat i humbjes së jetëve të njerëzve dhe i plagosjes në rrugët tona është shumë më i madh se paratë që duhen për të rregulluar këto njolla të zeza.
BBC: A shikoni dritë në fund të tunelit të problemit të madh të aksidenteve rrugore në Shqipëri?
Osmani: Ne patjetër që shohim dritë, sepse vitin e fundit ne shohim një interesim më të madh të qeverisë shqiptare, një interesim më të madh të opinionit publik. Tani ka ardhur një moment që ne e shohim shumë të rëndësishëm, është një bashkërendim më i mirë i këtyre faktorëve në mënyrë që këtë problem ta bëjnë shqetësim për gjithë shoqërinë. Ne, kohët e fundit, për të ndihmuar më shumë të rinjtë, sidomos nxënësit e shkollave, kemi botuar një libër, “Edukata rrugore për këmbësorë dhe çiklistë”, të cilin disa shkolla kanë filluar ta fusin në sistemin e tyre arsimor dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit besojmë se shumë shpejt do ta shtrijmë në të gjithë vendin.

Përplaset autobusi me turistë kosovarë, 4 të plagosur
LAÇ - Një autobus me turistë kosovarë është përplasur me një automjet ku si pasojë kanë mbetur të plagosur 4 persona. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në Laç, kur autobusi më pasagjerë turistët kosovarë u përplas me një automjet në të cilin udhëtonin 4 persona. Si pasojë, 4 personat e automjetit të vogël mbetën të plagosur. Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se të plagosurit ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë nga pasagjerët e autobusit nuk pati asnjë turist të plagosur. Por aksidenti ka shkaktuar një amulli në aksin ku ndodhi përplasja mes dy automjeteve. Automjetet kanë qëndruara në vendin e aksidentit derisa policia ka kryer të gjitha ekspertizat e nevojshme, gjë që ka sjellë bllokimin e rrugës. Kjo shkaktoi një radhë të gjatë automjetesh që pritën deri në lirimin e rrugës.

Kthimi i emigrantëve, 7 mijë shqiptarë
kalojnë në Kakavijë për 12 orë
GJIROKASTËR - Mbi 7 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria gjatë 12 orëve të fundit për në Greqi nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijës. Burime nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit e Qarkut të Gjirokastrës, pohuan se "gjatë 12 orëve të fundit kanë dalë nga territori shqiptar rreth 7000 emigrantë, 500 shtetas të huaj, 2689 mjete, ndërsa kanë hyrë 2600 shtetas shqiptarë, 255 shtetas të huaj dhe 450 mjete". Pala shqiptare punon me 8 sportele në dalje, ndërsa ajo greke me 4 sportele në hyrje. Situata është paraqitur e qetë dhe nuk është shënuar ndonjë incident. Në kufirin Shqipëri-Greqi, në prefekturën e Qarkut të Gjirokastrës, funksionojnë me kohë të plotë dy vendkalime kufitare, ajo e Kakavijës, që ndodhet rreth 30 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në drejtim të jugut dhe "Tre Urat", që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit. Ndërsa pika kufitare e Sopikut, që ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët.

25 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›