Dhuna në stadiumin e Kavajës, arrestohen tre tifozë ultras
Dhuna e ushtruar në stadiumin e Kavajës, gjatë ndeshjes Besa-Skënderbeu (java e parë e Superligës, takim i zhvilluar ditën e henë) ka çuar në pranga tre persona dhe nën hetim katër të tjerë. Janë burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, të cilët kanë bërë të ditur arrestimet. “Mbrëmë (të hënën), shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë bënë të mundur kapjen dhe më pas arrestimin në flagrancë të tre shtetasve, ndërkohë që ka filluar procedimi në gjendje të lirë edhe për katër persona të tjerë, për konsumim të veprave penale të “fyerjes për shkak të detyrës”, “kundërshtimit të punonjësve të policisë”, “mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë së rendit”, si dhe “prishje të rendit dhe të qetësisë publike”, thanë burimet zyrtare nga policia. Të arrestuar në flagrancë janë, Agim Musaku, 30 vjeç, banues në fshatin Belorta, Korçë, Nazmi Lecini, 52 vjeç, banues në fshatin Luz i Madh, Kavajë, Gëzim Muka, 44 vjeç, banues në Kavajë. Ndërkaq që ka filluar procedimi penal dhe punohet për kapjen e Erjon Ajdini, 27 vjeç, banues në Kavajë; Skerdi Bizhdili, 28 vjeç, banues në Kavajë; Aurel Myftiu, 27 vjeç, banues në Kavajë, si dhe Naim Haxhiu, 42 vjeç, banues në Kavajë. Policia tha se, arrestimi i këtyre shtetasve dhe fillimi i procedimit penal në ngarkim të tyre, filloj sepse dyshohet se këta persona gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Besa- Skënderbeu, ndeshje e cila u zhvillua në qytetin e Kavajës, kanë fyer gjyqtarët e ndeshjes duke hedhur më pas sende të forta në fushë. Po ashtu këto persona, nuk i janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për ndërprerjen e veprimeve të paligjshme të kryera gjatë zhvillimit të kësaj ndeshje ndërkohë që kanë prishur rendin dhe qetësinë duke ndërprerë kështu zhvillimin e ndeshjes në stadium. Aktualisht nga shërbimet e policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë, vazhdon puna për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të paligjshme. Ndërkohë që materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë për konsumim të veprave penale të “fyerje për shkak të detyrës”, “kundërshtimit të punonjësve të policisë”, “mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë së rendit”, “prishje të rendit dhe të qetësisë publike”.
INCIDENTI
Skënderbeu ishte duke fituar 1-0 deri në minutën e 87-të me Besën në Kavajë në ndeshjen e fundit të javës së parë, por gjyqtari ndërkombëtar Albano Janku, për shkak të një tensioni të jashtëzakonshëm në shkallët e stadiumeve dhe hedhjes së objekteve të vazhdueshme në fushë, kur pas 15 minutash ndërprerje të lojës, duke u nisur nga minuta e 87-të, gjyqtari anësor Denis Rexha u godit në kokë nga një objekt i hedhur nga tifozët e tribunës përballë, edhe pse tribunën “VIP” ishte presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka dhe në fushë ishte Shefi i Sektorit të Garave, Ilir Shulku. Gjithçka ndodhi pas një pretendimi të lojtarëve të Besës për një penallti të pa dhënë në favor të tyre, kur sulmuesi Sokol Cikalleshi u frenua brenda zonës në minutën e 87-të, kur rezultati ishte 1-0 në favor të Skënderbeut pas eurogolit të realizuar nga Markoviç në minutën e 45-të. Gjyqtari Janku i sinjalizuar edhe nga ndihmësi i tij, Ergin Doda, nuk e konsideroi të parregullt ndërhyrjen e mbrojtësit të Skënderbeut, që solli së pari reagimin e lojtarëve të Besës e më pas dhe provokimin e fortë të tifozerisë kavajase, që përveç sharjeve në adresën e familjarëve të “xhaketave të zeza”, hodhën një sasi të konsiderueshëm çakmakësh, shishesh uji dhe sende të tjera. Për të vendosur rregull në tribunat e tifozëve u desh edhe ndërhyrja e fortë e policisë lokale.
KATEGORIA SUPERIORE
Sezoni 2010-2011
JAVA 1
Dinamo-Flamurtari 0-1
Besa-Skënderbeu ?-?
Teuta-Laçi 0-0
Shkumbini-Kastrioti 2-2
Vllaznia-Bylis 3-2
Elbasani-Tirana 1-1
JAVA 2
Dinamo-Besa
Skënderbeu-Teuta
Laçi-Shkumbini
Kastrioti-Vllaznia
Bylis-Elbasani
Flamurtari-Tirana
Ke licencë “UEFA A”, drejton në Superligë
Shoqata e trajnerëve njoftoi Sektorin e Garave në FSHF dhe median se në bazë të “Dokumenteve Themelore dhe Rregullores së Shoqatës së Trajnerëve” nuk lejohen që të regjistrohen më ekipe të Kategorisë Superiore, trajnerë të cilët nuk disponojnë Licencën “UEFA A”. Kjo rregullore ka hyrë ne fuqi për sezonin 2010-2011.
Shoqata e trajnerëve i kërkon Sektorit të Garave në FSHF që të mos lejoje trajnerë të palicencuar për të drejtuar ekipe të Kategorisë Superiore, bazuar në rregulloren në fjalë.
Roma ka frikë nga Cezena, por jo nga Bogdani
Çezena, skuadra e re Erjon Bogdanit, do të ketë Romën, nënkampionen e Italisë, në javën e parë të Serisë A. Çezena rikthehet në A pas pothuajse 20 vjetësh. Ruxhiero Riciteli, një ish-lojtar i dy skuadrave gjatë një interviste të dhënë për Oroeporpora.it, e të publikuar edhe në faqen e tifozëve të Romës, Romanoi.it, nuk e konsideron si të rrezikshëm sulmuesin veteran shqiptar. Në lidhje me pyetjen, se cili nga njerëzit e trajnerit të Çezenës, Fikadenti, mund t’i shkaktojë vështirës Romës, Ricitieli u përgjigj: “Xhakerini dhe Skeloto janë dy lojtarë të mirë, para së gjithash i pari, është i zoti dhe është mjaft në formë. Por mungon një sulmues që ta fusë topin brenda. Çezena ka marrë Bogdanin, i cili nuk ka qenë kurrë një bomber”. Gjithsesi, Riciteli pranoi se Çezena është një skuadër që të lodh jo pak e që nuk dorëzohet lehtë.
Politika bashkohet në nderim të Zaçes
Në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë kanë zhvilluar dje homazhe në nderim të “Mjeshtrit të Merituar të Sportit” Kushtrim Zaçes, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, kreu i PS-së, Edi Rama, kreu i grupit parlamentar të PS-së Ruçi. Duke e vlerësuar atë si një nga yjet e basketbollit shqiptar në tërë historinë e tij, Kryeministri tha se Kushtrim Zaçe ishte një sportist i talenteve të rralla dhe arritjeve të mëdha, një qytetar dhe prind shembullor. “Sot u shua, u nda nga jeta, një nga yjet më të shkëlqyer të basketbollit shqiptar në tërë historinë e tij, Kushtrim Zaçe, një sportist i talenteve të rralla dhe arritjeve të mëdha, një qytetar dhe prind shembullor. Kushtrimi u nda nga jeta, por lë pas një emër të madh. Me këtë rast, duke ndarë dhembjen me familjen, me botën e sportit shqiptar, i lutem Zotit që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar”, u shpreh Kryeministri Berisha. Presidenti i Republikës, Bamir Topi i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjarëve të zotit Kushtrim Zaçe për ndarjen nga jeta të njeriu të tyre të dashur. “Lajmi për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj të dashur hidhëroi të gjithë ata, të cilët kanë pasur fatin e madh të njohin nga afër Kushtrimin. Ai ka prekur thellë të gjithë ata adhurues të sportit të basketbollit, të cilët me admirim dhe një emocion të papërshkrueshëm kanë ndjekur lojën e tij virtuoze, plot fantazi e teknikë, ku spikaste talenti dhe dëshira për fitore në mbrojtje të ngjyrave të ekipit të “Partizanit”, po ashtu dhe të Kombëtares Shqiptare të Basketbollit. Në kujtimet e gjithsecilit prej nesh, Kushtrimi do të mbetet gjithnjë si një model i njeriut të dashur në shoqëri dhe i sportistit të përkushtuar e dinjitoz, ndërsa kontributi i tij për basketbollin shqiptar, i pazëvendësueshëm. Në këto momente të vështira familjare, të dhimbjes dhe trishtimit njerëzor, ju gjendem pranë duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta!”, thuhej në mesazhin e Presidentit Topi. Gjithashtu KOKSH shpreh keqardhjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të z. Zaçe dhe i përcjell ngushëllime të sinqerta familjarëve të tij.
Presidenti Topi
“Adhurues të sportit të basketbollit kanë ndjekur lojën e tij virtuoze, plot fantazi e teknikë, ku spikaste talenti”
Kryeministri Berisha
“U shua, u nda nga jeta, një nga yjet më të shkëlqyer të basketbollit shqiptar në tërë historinë e tij”
Eduardo, “cari brazilian” i Petërsburgut
Sulmuesi brazilian Karlos Eduardo u bashkua me kampionen e Rusisë, Rubin Kazana, nga formacioni i Bundesligës, Hofenhajmi. 23-vjeçari Eduardo, i cili e nisi karrierën e tij si futbollisti profesionist me klubin brazilian, Gremio, në vitin 2007, nënshkroi një kontratë katërvjeçare. Detajet financiare nuk u bënë të ditura por mediat raportuan se transferimi kushtoi 20 milionë euro. Eudardo do të jetë një shtim i mirëpritur te Rubini përpara fushatës së Ligës së Kampioneve, pasi klubi rus shiti sulmuesin ndërkombëtar Aleksandër Bukharov dhe mesfushorin Sergei Semak te rivali i tij në kampionat, Zenit St. Petersburg.
Gjobitet Hamilton
Piloti britanik Luis Hamilton është dënuar me një gjobë prej 500 dollarësh australianë për drejtim të rrezikshëm. Shkelja kishte ndodhur në muajin mars në kuadër të Çmimit të Madh të Australisë në Formula 1. Hamilton në timonin e Mercedesit të tij ishte kapur në flagrancë për shkelje të shpejtësisë në një rrugë brenda qytetit. Kampioni i botës në 2007-ën kishte kërkuar falje duke pranuar se ka kryer një sjellje të gabuar.
25 Gusht 2010