E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, dëshmia tronditës e shqiptarit që përdhunoi dhe vrau vajzën 11 vjeçe



ATHINË - Çështja e vrasjes brutale të një vajze 11-vjeçare nga një shqiptar në fshatin Eleohori të Arkadhias ka tronditur të gjithë vendin. Autori i krimit është 40-vjeçari shqiptar, mik i familjes, i cili para se të kryente vrasjen kishte vizituar babanë e viktimës në shtëpinë e tij. Vajza e vogël 11-vjeçare (në foton poshtë) dhe prindërit e saj kishin ardhur në Greqi në muajin dhjetor të vitit 2009 nga Bullgaria dhe u punësuan në fshatin Eleohori. Mbrëmjen e së shtunës, vajza e vogël Reni Traikova po luante në parkun e fshatit bashkë me fëmijë të tjerë, mirëpo nuk u kthye më në shtëpi. Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel u njoftua policia dhe organizata “Buzëqeshja e fëmijës” për 11-vjeçaren që ishte zhdukur. I gjithë fshati po kërkonte në të gjithë zonën. Sigurisht që atëherë askush nuk dinte gjë.
Ngjarja
Dëshmia e tezes së vajzës trondit dhe shton urrejtjen. Autori i krimit kishte kaluar nga shtëpia e familjes së vajzës pasditen e së shtunës. I çoi babait të 11-vjeçares birra dhe u tregua i gatshëm ta ndihmonte në punët që po kryente. Pas disa minutash u largua dhe shkoi në parkun e fshatit, ku dhe po pinte birra. Aty gjendej edhe vajza e vogël, e cila po luante me fëmijët e tjerë. Pronari i një dyqani tha se autori i krimit po pinte birra në një lokal dhe u largua pasi u largua edhe vajza e vogël 11-vjeçare nga parku. Me pretekstin se do ta çonte në shtëpi, i kërkoi vajzës së vogël që të hipte në makinën e tij. Ishte ora 01:00 e natës. E çoi vajzën 11-vjeçare në një zonë të pabanuar, 7 kilometra larg fshatit Eleohori dhe e përdhunoi.
Krimi
Pa u shqetësuar fare mori trupin e 11-vjeçares dhe e çoi te një pus (në foton lart), në një vend ku e njihte shumë mirë pasi kishte punuar çoban 10 vjet më parë. Kur vendosi ta hedhë në pus për të mbuluar krimin, vajza e vogël ishte akoma e gjallë. Pasi e hodhi u largua nga vendi i ngjarjes si të mos kishte ndodhur asgjë. Tepër i qetë filloi të kërkonte ditën e diel vajzën e vogël bashkë me banorët e tjerë të fshatit! Autori i krimit jeton prej 14 vjetësh në Eleohori, është i martuar dhe ka një djalë 17 vjeç. Hetimet e kryera nga policia drejtoheshin te 40-vjeçari, pasi dyqanet që gjendeshin te parku e panë 40-vjeçarin që u largua njëkohësisht me vajzën e vogël. Kur u mor në pyetje, një herë tha se vajza ishte larguar vetë nga parku, ndërsa pak më vonë tha se ky e çoi deri afër shtëpisë me makinë.
Kontradikta
Aty lindi edhe dyshimi i madh i policisë. Në orën 03:30 të mëngjesit të ditës së hënë pranoi se kishte masakruar 11-vjeçaren dhe në orën 05:30, i shoqëruar nga policët, shkoi në vendin e ngjarjes ku u tha uniformave se e kishte hedhur vajzën në pus. Kryetari i fshatit tha se 40-vjeçari ishte i dashur me të gjithë dhe nuk kishte krijuar shqetësime në fshat. “E donin dhe respektonin të gjithë, nuk mundemi ta konceptojmë se si arriti të masakrojë një vajzë të vogël”, - tha ai për mediat.

Grabit me armë biznesmenin, arrestohet Kruja
TIRANË - Një i ri është vënë në pranga pasi ka grabitur me armë pronarin e një lokali në Vorë. Arrestimi i Lulzim Krujës është bërë i ditur nga burimet zyrtare të Policisë së Tiranës. Sipas tyre, strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Tiranës dhe konkretisht seksioni Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë, kanë arritur kapjen e më pas arrestimin e Lulzim Krujës, 34 vjeç, me banim në Tiranë. Arrestimi i këtij personi u realizua sepse dyshohet se, dy ditë më parë në ambientet e një lokali të ndodhur në qendër të Vorës, ka vjedhur nën kërcënimin e armës dhe i maskuar, disa shtetas të cilët ndodheshin në këtë lokal. Për këtë ngjarje, ditën e sotme ka depozituar kallëzim penal pronari i këtij lokali, ku falë një pune të shpejtë profesionale u bë e mundur identifikimi, lokalizimi dhe kapja e autorit të kësaj vjedhje me armë, i cili ishte i strehuar në një banesë të ndodhur në Vorë, Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një pjesë e parave të vjedhura dy copë armë zjarri të cilat dyshohet se janë përdorur nga autori për të realizuar këtë vjedhje, një armë zjarri pushkë si dhe një pushkë sportive të cilat i posedonte pa leje. Aktualisht nga efektivët e seksionit Kundër Vjedhjeve me Armë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po punohet intensivisht për të dokumentuar të tjera vjedhje me armë të realizuara në Tiranë, ndërsa materialet ju dërguan prokurorisë për konsumim të veprave penale të “vjedhjes me armë”, “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Droga e sekuestruar në Elbasan me destinacion Italinë
ELBASAN - Droga e kapur në Elbasan mbrëmjen e së hënës ishte destinuar për t'u dërguar në Itali. Pas marrjes në pyetje nga policia, tre shqiptarët e arrestuar pranuan se drogën e kishin transportuar nga Greqia, me destinacion Italinë, duke ndjekur rrugën detare. Dy prej tyre do të kalonin heroinën me traget drejt shtetit fqinj. Kjo është dhe skema e transportit të lëndës narkotike, që është zbardhur nga strukturat e antidrogës në Elbasan, e cila pas hetimeve në rrugë operacionale arriti të bllokojë në rrugën nacionale në fshatin Urakë, sasinë prej 2.3 kg heroinë. Tre personat, Santiljano Duci, Markel Prendo e Krenar Hoxha, janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të narkotrafikut. Edhe akuza e ngritur ndaj tyre nga Policia e Elbasanit ka qenë ajo e “trafikut ndërkombëtar të drogës” dhe dosja i është dërguar Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Si provë materiale, policia ka paraqitur mjetin e bllokuar Volkswagen me targa të Pogradecit që është edhe mjeti transportues, si edhe sasinë prej 2.3 kg. Lënda narkotike e sekuestruar si provë materiale është gjetur në mjetin tip Volkswagen PG 6414 B, me të cilin udhëtonin personat e lartpërmendur. Droga është gjetur në mjetin me të cilin lëviznin personat e arrestuar. Bëhet fjalë për një sasi pluhuri me ngjyrë të kuqërremtë, e cila për nga karakteristikat e saj ngjason me atë të lëndës narkotike të llojit heroinë”, - tha drejtori i Policisë së Elbasanit.

Vrau shqiptarin, policia arreston emigrantin brazilian
MILANO - Policia italiane ka arrestuar një emigrant brazilian për vrasjen e shqiptarit 42-vjeçar Gjin Perdoka, gjatë një zënke të ndodhur dy ditë më parë në Milano. Rikardo Maurizio Gomez, 43 vjeç, u ndalua pasi sulmoi Përdoken dhe nipin e tij 22-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet në spitalin Niguarda. Agjencia italiane e lajmeve “ANSA” raporton se ngjarja ndodhi në një pallat të banuar kryesisht nga punëtore emigrantë në rrugën “Fusinato 14”, në lagjen “Bovisa” të Milanos. Mësohet se është gjetur edhe arma e krimit, një thikë brenda në shtëpinë e fqinjit të dy emigrantëve shqiptarë. Sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, sherri nisi për një motiv krejt banal, kur dy shqiptarët shkuan në shtëpinë e brazilianit për të protestuar ndaj faktit se emigranti po fliste në telefon me zë tepër të lartë. Hetuesit besojnë se Gomez është i vetmi person i përfshirë në vrasjen e Përdokes dhe plagosjen e nipit te tij, ndërsa braziliani tjetër që ndodhej në shtëpinë e tij, nuk mori pjesë në sulm.

Defekt në avionin e Alitalia-s, pasagjerët 6 orë pritje
TIRANË - Pasagjerët e një prej avionëve të kompanisë “Alitalia” prej 6 orësh janë bllokuar në Aeroportin e Rinasit në Tiranë, pasi avioni që do të nisej dje rreth orës 12:15 drejt Romës ka pasur disa probleme. Për këtë problem, drejtori i Aviacionit Civil, Ervin Mazniku, shprehet se defekti në avion nuk është i rëndë. “Bëhet fjalë për një defekt teknik në avionin AZ 585, i cili është konstatuar para ngritjes së tij”,- sqaron Mazniku. Po sipas tij, tashmë për pasagjerët që presin të udhëtojnë drejt Romës u nis një avion tjetër për ti marrë. “Nga Roma menjëherë me tu njoftuar për defektin është nisur një avion tjetër që do të transportojë pasagjerët që presin në Rinas”,- thekson drejtori i Aviacionit Civil.

Vetëhelmohet me fostoksinë 39-vjeçarja, vdes në spital
ELBASAN - Një grua i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Elbasanit dhe viktimë është një 39-vjeçare. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se, dy ditë më parë në orën 13:15 policia ka marrë njoftimin se, është vetëhelmuar në banesën e saj, Adriana Peqini, 39 vjeçe, banuese në lagjen "Sul Paprri" Elbasan. Sipas të dhënave ajo është dërguar me urgjencë në spital, por ka gjetur vdekjen. Sipas të dhënave nga spitali rajonal, shpëtimi i 39-vjeçares ka qenë i pamundur pasi ajo kishjte konsumuar shumë helm. Pas kësaj ngjarjeje, policia ka shkuar në banesën e viktimës dhe ka nisur hetimet. Grupi hetimor, pasi kreu veprimet e para hetimore si dhe nga deklarimet e marra familjareve te saj, ka arritur në përfundimin se, Peqini për motive të panjohura ka konsumuar 2 kokrra fostoksinë, që i kanë sjellë dhe vdekjen.

25 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›