Koha për t’u ndarë nga pushteti i Pangos
Nga Valentina Leskaj*
Në fakt, kam dalë këtu jo për arsye partiake, jo se mendoj që gjesti i ministrit na jep një gur për të bërë opozitë, por për arsye të moralit dhe etikës, që janë shkelur në mënyrën më të rëndë e më të turpshme të mundshme.
Skandali i fundit tregoi se si kanë përfunduar institucionet e shtetit, se ku ka përfunduar ligji i shërbimit civil dhe se si është goditur vetë shteti.
Ky skandal konfirmoi atë që përflitej me kohë, atë që tha edhe raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe që ju nuk donit ta pranonit lidhur me diskriminimin e grave dhe vajzave në administratën shtetërore; dhe konkretisht, se “ndonëse ligji e ndalon ngacmimin seksual, ka ndodhur rrallë që zyrtarët ta zbatojnë atë”. Publiku shqiptar pa degjenerimin e institucioneve dhe kjo është shumë e rëndë.
Kryeministri njoftoi dje se shkarkoi ministrin e Turpit, por kryeministri, në vend që t’i lërë të hapur rrugën që ish-ministri të mund të bëjë shpjegime, jo më si ministër, siç deklaroi, duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve për ministrin që u ofroi.
Nëse mbrëmë kjo çështje ishte çështje e një ministri, sot kjo është çështje e Parlamentit, i cili duhet të mbajë një qëndrim për një deputet që ka kryer veprën e turpit. Ky njeri nuk mund të ketë më imunitet dhe nuk mund të mbrohet me imunitet deputeti, ndërkohë që duhet të përgjigjet në bazë të Kodit Penal për veprën e kryer. Nëse këtu nuk mbahet qëndrim, për këtë rast, kur është shkelur komplet shteti, kur është tronditur tërësisht besueshmëria tek institucionet, kjo është çështje e të gjithëve.
Pas kësaj që njerëzit panë dje, edhe pse për ta nuk ishte e paditur, shtrohet pyetja: Cili është standardi i rekrutimit në Shërbimin Civil, të cilit, pas nepotizmit e klientelizmit ekonomik, iu shtua dhe modestia? Kush është ajo e re që do të marrë kurajën të shkojë në dyert e ministrive? Kush është ai prind që do të jetë i qetë për vajzën që kërkon një vend pune? Apo çfarë vlere i mbetet ligjit të shërbimit civil? Ne kërkojmë që gjërat të ndahen sot, jo nesër, pasi nuk mund të jenë përfaqësues të popullit në Kuvend njerëz të tillë.
---
*Autorja e shkrimit është kryetare e Grupit Parlamentar të PS-së
6 Mars 2009