Viti 2009, Partizani e Shkumbini më të mirët
Partizani e Shkumbini, me 12 pikë të grumbulluara në pesë javët e zhvilluara në vitin 2009 (18-22), janë dy skuadrat më të mira të momentit, duke lënë pas në renditjen specifike virtuale dy kryesuesit aktualë të Kategorisë Superiore, Tiranën e Vllazninë.
Por, nëse “rritja” e Shkumbinit nuk ndihet shumë mediatikisht, ajo e Partizanit, edhe për shkak të situatës financiare që po kalon skuadra e kuqe, ripërmasohet me një imazh fitimtari sa të teknikut Shpëtim Duro, ashtu dhe të grupit të lojtarëve. Partizani është edhe skuadra e fitoreve në transfertë: 2 të tilla, ndaj Bylisit e Elbasanit.
Nëse në 17 javët e para të sezonit 2007-2008 (ato të vitit 2008) Partizani kishte fituar vetëm 2 takime, në pesë ndeshjet e këtij viti ka fituar dyfishin: 4. Shkumbini këtë tregues e ka nga 6 fitore në pjesën e parë të sezonit, në kuotën e 10-të të fitoreve.
Ia vlen të theksojmë se “derbi” midis dy skuadrave më të mira të vitit 2009, Shkumbini-Partizani, u fitua 1-0 nga peqinasit në javën e 20-të. Në ndeshjet e fundit, ato të javës së 22-të, Shkumbini me Flamurtarin në shtëpi, ndërsa Partizani fitoi me Elbasanin në transfertë.
Duke parë ecurinë e ekipeve në pesë javët e para, Vllaznia ka humbur 4 pikë në raport me Tiranën (me të cilën bashkëkryeson me nga 41 pikë) dhe 8 pikë nga 15 të mundshmet. 2 fitore, 1 barazim, 2 humbje është bilanci i shkodranëve, ku spikat humbja 4-0 me Teutën. Pasoja: vetëlargimi i trajnerit Agim Canaj dhe zëvendësimi i tij me malaziasin Dervish Haxhiosmanoviç.
Tirana e vendit të parë, në pesë javët e para të këtij viti grumbulloi 11 pikë, duke rikuperuar ndjeshëm në raport me Vllazninë. Por edhe pse fitoi bujshëm ndaj Dinamos (4-2) menjëherë pas kthimit nga Antalia e Turqisë, në dy javët e fundit nuk ka mundur të shkojë më shumë se barazimi pa gola ndaj Elbasanit e Lushnjës.
Dinamo, aktualisht në drejtimin e Shkëlqim Muçës, është në superformë, tri fitore rresht dhe 10 gola të shënuar. Por, në dy javët e para të këtij viti, nën drejtimin e kroatit Zlatko Daliç humbi dy derbit e kryeqytetit: 2-4 me Tiranën (java 18) dhe 1-0 me Partizanin (1-0, java 19). Daliç u largua përmes lotësh. Muça, tri herë kampion si trajner, e ka çuar Dinamon tri pikë larg dyshes kryesuese.
Besa, që e mbylli pjesën e parë të sezonit me 28 pikë në 17 ndeshje, ka mundur të grumbullojë vetëm 4 pikë në 5 ndeshje. Kjo i kushtoi edhe dorëheqjen ish-trajnerit Ilir Daja, menjëherë pas humbjeve me Tiranën (1-3) e Partizanin (1-0).
Elbasani shpenzoi shuma të mëdha në merkato, duke rekrutuar 7 lojtarë me emër. Asnjë impakt pozitiv. Në pesë javët e para, pesë pikë. Në llogaritë e verdhebluve mungojnë 10 pikë. Efekti: shkarkimi i Mirel Josës pas humbjes me Lushnjën (java 19). Pasuesi i tij Faruk Sejdini në tri javët e drejtuara prej tij ka grumbulluar vetëm 2 pikë.
Flamurtari është skuadra më e varfër në rezultate: vetëm 2 pikë në pesë ndeshje, ose 2 pikë nga 15 të mundshmet (30 për qind të pikëve). Pasoja: shkarkimi i Edmond Liçajt dhe zëvendësimi i tij me Eqerem Memushin. Gjithsesi, vlonjatët janë skuadra e vetme, që nuk ka mundur të fitojë një takim në pesë ndeshjet e para në vitin 2009.
TRAJNERËT
MË TË MIRËT
Shpëtim Duro (Partizani): 5 ndeshje, 12 pikë
Gugash Magani (Shkumbini): 5 ndeshje, 12 pikë
MË TË KËQINJTË
Zlatko Daliç (Dinamo): 2 ndeshje, 0 pikë
Ilir Daja (Besa): 4 ndeshje, 1 pikë
Edmond Liçaj (Flamurtari): 2 ndeshje, 1 pikë
Mirel Josa (Elbasani): 2 ndeshje, 3 pikë
Agim Canaj (Vllaznia): 5 ndeshje, 7 pikë
KATEGORIA SUPERIORE
RENDITJET SPECIFIKE SIPAS JAVËVE
Java 17, viti 2008
1. Vllaznia 34
2. Tirana 30
3. Dinamo 29
4. Besa 28
5. Shkumbini 24
6. Teuta 24
7. Flamurtari 23
8. Elbasani 20
9. Apolonia 18
10.Bylis 17
11.Partizani 13
12.Bylis 13
Java 22, Viti 2009
1. Tirana 41
2. Vllaznia 41
3. Dinamo 38
4. Shkumbini 36
5. Besa 32
6. Teuta 29
7. Elbasani 25
8. Flamurtari 25
9. Partizani 25
10.Apolonia 24
11.Bylis 21
12.Lushnja 19
Renditja virtuale
1. Partizani 12
2. Shkumbini 12
3 Tirana 11
4. Dinamo 9
5. Vllaznia 7
6. Lushnja 6
7. Apolonia 6
8. Teuta 5
9. Elbasani 5
10.Besa 4
11.Bylis 4
12.Flamurtari 2
Kategoria e Parë
Laçi shkatërron Skënderbeun
Laçi shkatërroi 4-1 Skënderbeun në ndeshjen më të rëndësishme të javës së 20-të të Kategorisë së Parë, duke ngushtuar diferencën në një pikë me korçarët, që vazhdojnë të kryesojnë me 43 pikë.
Të gjithë golat e supersfidës u shënuan nga lojtarët laçjanë të drejtuar nga Edi Martini, edhe pse një ishte autogol në favor të Skënderbeut. Kjo ishte humbja e parë e trajnerit të Skënderbeut, Indrit Fortuzi, qysh kur ai mori drejtimin e skuadrës korçare.
Kastrioti fitoi 1-0 me Dajtin, falë një goli të realizuar nga Olsi Gocaj në minutën e 10-të. Besëlidhja fitoi po me këtë rezultat me Naftëtarin. Burreli mposhti me rezultatin e thellë 3-0 Gramozin e Ersekës, duke e futur në krizë skuadrën kolonjare. Golat për burrelasit u realizuan nga Radaj, Gjoka (11-m) dhe Baku. Ada fitoi në Velipojë 2-1 me Sopotin e Librazhdit e po me këtë rezultat Bilisht Sport fitoi derbin me Pogradecin. Luftëtari humbi 1-0 me Turbinën e Cërrikut në ndeshjen e zhvilluar në Tepelenë. Takimi Skrapari-Tërbuni nuk u zhvillua pasi Tërbuni i Pukës u përjashtua përfundimisht nga vazhdimi i kampionatit për shkak të dhunës ndaj gjyqtarit Mentor Sopjani në ndeshjen Kastrioti (1-1) në javën e 19-të. Sipas rregullores së FSHF-së, Skrapari e fitoi ndeshjen 2-0 në tavolinë.
KATEGORIA E PARË
JAVA 20
04.02.2009
Besëlidhja- Naftëtari 1-0
Luftëtari-Turbina 0-1
Burreli-Gramozi 3-0
Laçi-Skënderbeu 4-1
Kastrioti-Dajti 1-0
Bilisht Sport-Pogradeci 2-1
Ada-Sopoti 2-1
Skrapari-Turbina* 2-0
* Fitore në tavolinë
RENDITJA
1. Skënderbeu 43
2. Laçi 42
3. Kastrioti 38
4. Gramozi 34
5. Burreli 32
6. Dajti 29
7. Tërbuni* 27
8. Turbina 27
9. Luftëtari 26
10. Skrapari 25
11.Sopoti 25
12.Besëlidhja 24
13.Ada 23
14.Pogradeci 20
15.Bilisht Sport 18
16.Naftëtari 16
* Tërbuni është përjashtuar nga kampionati
5 Mars 2009