Doshi ikën nga PDK, rikthehet te PS
PDK-ja vazhdon të pësojë rrjedhje në grupin e saj parlamentar. Pas largimit të Pashko Ujkës, tashmë PDK-së i është larguar Tom Doshi, deputeti i dalë nga zona e Shkodrës, në sistemin maxhoritar. Doshi ka depozituar një letër në të cilën bëhet e ditur se i bashkëngjitet grupit parlamentar të PS-së. Letra zyrtare e depozituar prej dy ditësh e rikthen Doshin në gjirin e partisë më të madhe opozitare. Në fillim të kësaj legjislature parlamentare, Doshi ishte deputeti i PS-së për zonën e Velipojës së Shkodrës. Më pas, me kalimin e Ndokës si kryetar i PDK-së, Doshi kaloi te ky grup parlamentar, duke iu bashkëngjitur maxhorancës. Pas disa negociatash, kryetari i PS-së, Edi Rama e ka pranuar idenë, që Doshi të rikthehet pranë gjirit të së majtës, duke parë dhe ndikimin që ai ka në zonën ku është zgjedhur si deputet. Burime nga selia rozë konfirmojnë se, kërkesa e Tom Doshit është mirëpritur dhe se dera e socialisteve do të mbetet e hapur për të gjithë ata deputetë, që duan të kundërshtojnë politikën e regresit të përfaqësuar sipas tyre, nga kryeministri aktual. Në grupin e PDK-së përplasjet e nisura brenda rrymave të ndryshme kanë sjellë një përçarje. Përplasje këto që sollën më pas ndarjen e PDK-së, duke u krijuar si fraksion me Anton Gurakuqin, aktualisht zv.ministër i Jashtëm. Gjithashtu, në këtë përplasje u largua nga kjo parti edhe Nikollë Lesi. Ndërkohë që burime pranë grupit të PDK-së, mësohet se do të ketë përsëri largime nga kjo parti, e cila duket më e dobësuar pas largimit të Ndokës nga posti i ministrit të Shëndetësisë. Por edhe pse Doshi është larguar, grupi i PDK-së nuk vihet në rrezik, pasi numri i duhur prej shtatë deputetësh ekziston. Në këtë grup parlamentar të PDK-së bëjnë pjesë Nard Ndoka, Jak Ndokaj, Frrok Gjini, Hamit Kosta, Gilman Bakalli dhe Ymer Tola.