Virusi H1N1; Dy raste të reja të dyshuara
Listës së personave të dyshuar me virusin e gripit të derrave i shtohen edhe dy persona të tjerë. Sipas mjekëve, të dyshuarit janë: një person i sapokthyer nga Anglia dhe një 14-vjeçar. Të dy pacientët kanë paraqitur simptomat e gripit të derrit, mjekët dyshojnë se ata mund të jenë mbartës të gripit të derrit. Ndërkohë që aktualisht të dy pacientët po trajtohen me medikamentin Tamiflu.
Pacientët
Mjekët infeksionistë të spitalit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza thonë se dy personat janë paraqitur gjatë mbrëmjes së djeshme në shërbimin infektiv me simptoma të gripit A H1N1. Sipas mjekëve të këtij shërbimi, rasti i parë që ka kërkuar ndihmën mjekësore sapo ishte kthyer nga Anglia. Pacienti është shtruar në spital dhe po trajtohet me Tamiflu. Po ashtu, në urgjencën e Infektivit është paraqitur me temperaturë, kollë dhe disa simptoma të tjera të gripit të derrit, edhe një 14-vjeçar , i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në shtëpi ku dhe po trajtohet me antiviralin Tamilu për 5 ditë.
Mjekët konfirmojnë se gjendja e pacientëve është e stabilizuar. Këto dy raste e çojnë në tre numrin ë të dyshuarve për të cilët pritet konfirmimi nga Laboratori i Referencës në Rumani. Në vendin tonë numërohen 31 persona të infektuar nga gripi i derrit. Ndërkohë që pritet përgjigjja nga Laboratori i Referencës në Rumani për raste të tjera të dyshuarish. Specialistët e ISHP-së vërejnë se gjatë javëve të fundit ka një rritje të numrit të personave që paraqiten me simptoma të sëmundjeve respiratore, ndërsa numri i të dyshuarve me gripin A/H1N1 i ka kaluar 600 persona në të gjithë vendin. Deri më tani numri më i madh i rasteve janë konfirmuar nga Spitali Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Analizat
Ndërkohë që konfirmimi për mbartës të virusit A/H1N1 do të vazhdojë të bëhet në Laboratorët e Referencës në Rumani derisa vendi ynë të përgatisë përfundimisht Laboratorin e Virusologjisë në ISHP. Por specialistët e shëndetit publik bëjnë të ditur se brenda muajit tetor do të marrë fund pritja e kthimit të përgjigjeve. Ata bëjnë të ditur se në javën e dytë të tetorit përfundimisht në Shqipëri do të mund të bëhet konfirmimi i rasteve të dyshuara nga virusi i gripit A/H1N1.