Të 5-t e PS-së; Thirrje grupit të shkojë në Kuvend
Deputetët veteranë socialistë, Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Marko Bello dhe Andis Harasani i bënë dje thirrje kolegëve të tyre që të ndalin vendimin për bojkotin e Kuvendit. Ata mbështesin kërkesën në raportet e ndërkombëtarëve për zgjedhjet
Bojkoti i Kuvendit nga ana e opozitës vazhdon të mbajë të shqetësuar disa deputetë të kësaj partie, që po këmbëngulin në ndryshimin e këtij vendimi dhe hyrjen e 65 deputetëve në sallën e Kuvendit. Kjo kërkesë është bërë më e fortë, pasi u publikuan raportet e misioneve vëzhguese për zgjedhjet dhe u tha qartësisht nga zyrtarët e BE-së se dialogu politik duhet të bëhet në Parlament. Pesë deputetët e "Lëvizjes për mendimin ndryshe" në PS me anë të një deklarate i kërkuan Edi Ramës të lejojë deputetët të shkojnë në Kuvend, duke e cilësuar si vendim krejt personal të tij dhe aspak të bazuar. Në emër të Andis Harasanit, Arben Malajt, Kastriot Islamit dhe Marko Bellos, deputeti Ben Blushi lexoi deklaratën, ku kërkohej kjo gjë, ndërkohë që ka siguruar se ata do të vazhdojnë ta zbatojnë këtë vendim dhe pse janë kundër. "Ne po kundërshtojmë një vendim personal të Edi Ramës, dhe Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk është e njëjta gjë, janë dy gjëra të ndryshme. Ne kemi dalë për të folur për interesa të PS-së dhe të Shqipërisë, se Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për opozitën në Parlament dhe për Partinë Socialiste, që është një parti e madhe, e cila mund të ndihmojë integrimin e Shqipërisë në BE dhe është e vetmja parti sot në opozitë, e cila mund t’iu thotë shqiptarëve se çfarë nuk mund të bëjë kjo qeveri. Dhe në qoftë se ka sot vetëm një faktor politik në Shqipëri që ka interes për këtë bojkot, kjo është qeveria, sepse besoj se bini dakord me ne që qeveria ka një moment luksi në momentin që nuk ka opozitën përballë. PS nuk është në Parlament, po është duke bredhur nga një katund në tjetrin duke intimiduar anëtarët e PS-së, të cilët kërkojnë që PS të futet në shinat që ka përcaktuar ky sistem në të cilin jemi", - tha Blushi. “I kërkojmë Grupit Parlamentar, të lexojë me qetësi dhe realizëm të gjitha qëndrimet e faktorit ndërkombëtar për zgjedhjet dhe kërkesën e tyre unike për veprimin opozitar në Kuvend, të ndërpresë në një kohë sa më të shpejtë bojkotin e Parlamentit, duke përshtatur qëndrimin e vet politik me atë të institucioneve ndërkombëtare”, - thuhet në deklaratën e tyre. Ndërkohë ata kanë vlerësuar qëndrimin e qartë të vëzhguesve ndërkombëtare, sipas të cilëve, këto zgjedhje nuk përmbushën standardet më të larta demokratike. Por nga ana tjetër, ata mbështesin “vlerësimet e bashkësisë ndërkombëtare për mangësi dhe parregullsi të theksuara, të cilat megjithatë nuk e justifikojnë vendimin e Partisë Socialiste për të bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë”. Këta deputetë vazhdojnë të këmbëngulin se bojkoti ka lidhje me zgjedhjet brenda partisë dhe bëhet si alibi e Ramës për të mbajtur postin e kryetarit. Nga ana tjetër, ka ardhur përgjigje mohuese ndaj kësaj kërkese. Blendi Klosi tha se PS vazhdon të jetë e bindur në bojkotin e nisur. “Ne sot më të vendosur se kurrë do të mbrojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Do të mbrojmë çdo njeri, shqiptar apo shqiptare, kudo që të jetë nga kamzhiku i patolerueshëm i pushtetit”, - tha ai dje duke komentuar miratimin e qeverisë së re, e cila nuk pati mundësinë të marrë votat kundër të opozitës në Kuvend.