SuperMan Utd
Manchester United u rikthye nga disavantazhi prej 2-0 dhe shënoi në minutën e fundit të lojës shtesë për të mposhtur rivalin e qytetit Manchester Cityn 3-2 në një ndeshje dramatike në Community Shield në Wembley, të dielën.
Qendërmbrojtësi i Cityt, Joleon Lescott dhe sulmuesi Edin Dzeko shënuan në minutat e fundit të pjesës së parë për të befasuar kampionin e Premierligës, Manchester United, që kishte dominuar nga fillimi i takimit tradicional kundër fituesve të FA Cup-ës.
Djajtë e Kuq u kundërpërgjigjën menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë.
Menaxheri Sir Alex Ferguson bëri lëvizje të papritur duke inkuadruar përforcimin e ri të ardhur nga Blackburn Rovers, Phil Jones dhe Jonny Evans në vend të kapitenit Nemanja Vidic dhe partnerit të tij Rio Ferdinand si dhe mesfushorin e ri Tom Cleverly për Michael Carrickun.
Mbrojtësi Chris Smalling ktheu Manchester Unitedin në lojë, kur mposhti portierin e Cityt, Joe Hart nga afërsia, pas shërbimit nga goditja e lirë e ekzekutuar nga përforcimi i ri, Ashley Young.
Ndërsa, ylli portugez, Nani finalizoi një aksion të ndërtuar jashtëzakonisht mirë duke përfshirë disa kombinime mes sulmuesit Wayne Rooney dhe të riut Cleverly, duke barazuar rezultatin në minutën e 58-të.
Atëherë kur ndeshja besohej se do të shkonte në penallti, Manchester United largoi topin pas një goditjeje nga këndi, ndërsa mesfushori i Cityt, Vincent Kompany reagoi dobët dhe i mundësoi Nanit të dalë përballë portierit Hart, të cilin e kaloi lehtë dhe dërgoi topin në rrjetë në minutën e 94-t.
“Ky është Manchester United, ne besojmë deri në minutën e fundit dhe qëndrimi i djelmoshave në pjesën e dytë ishte se të gjithë besonim se do të shënojmë. Është mirë të luajmë kundër Manchester Cityt dhe të fitojmë në këtë mënyrë. Mendoj se tifozët tanë sot do të jenë krenarë me ne, është një ditë e bukur”, tha Nani për Sky Sports 1.
Ndërsa, Ferguson shtoi: “Meritat u takojnë futbollistëve që mbajtën kokën lart. Ne edhe ashtu do t’i kishim bërë ato zëvendësime, pavarësisht rezultatit. Është vështirë të thuhet (nëse De Gea është dashur të reagojë më mirë te goli i dytë). Ne kemi ekip shumë të mirë. Ata kanë guximin të mbajnë topin dhe nuk frikësohen nga ndërhyrjet e ashpra”.
Përforcimi i ri i Manchester Cityt, sulmuesi Sergio Aguero ishte zëvendësues i pashfrytëzuar nga menaxheri Roberto Mancini.