Arrestohen trafikantët me 10 klandestinë nga Mati
DEVOLL - Tentuan të kalonin ilegalisht drejt Greqisë 10 klandestinë, arrestohen dy trafikantët. Policia e Korçës bëri të ditur se të arrestuarit janë Ilir Karapanxha, 28 vjeç nga fshati Pendavinj i Korçës dhe Kostandinos Riza, 32 vjeç nga Korça. Mësohet se kundrejt pagesës ata do të transportonin drejt kufirit të gjelbër personat që vinin nga zona veriore e vendit. Në momentin e ndalimit dhe verifikimit të personave që të arrestuarit mbanin në mjetet e tyre, rezultoi se klandestinët nuk kishin asnjë dokument identifikues me vete. Blutë i ndaluan ata në një postbllok në hyrje të qytetit të Bilishtit të ngritur enkas për kontrollin dhe ndalimin e trafikut të klandestinëve drejt shtetit fqinj. Policia bëri të ditur se Karapanxha dhe Riza, në bashkëpunim me njëri-tjetrin do t’i çonin personat që kishin ardhur nga rrethi i Matit, drejt fshatit Miras në Devoll. “Këta dy shtetas po transportonin me mjetet e tyre me targa KO 0249 A dhe KO 3604 B, përkatësisht nga pesë persona. Ata u kishin marrë një pagesë prej 10 mijë lekë secilit vetëm për t’i transportuar deri në kufirin e gjelbër”, bëri të ditur policia. j.gj