E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi, OSSH heq 180 punëtorë

 

SHKODER - “Çdokush që abuzon me detyrën jo vetëm që do të largohet nga puna, por edhe do t’i dërgohet dosja në Prokurori”.  Kështu u shpreh dje Nesti Kiri, drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në Shkodër. Sipas tij, gjatë dy viteve të fundit janë larguar nga puna 180 punonjës në Shkodër, Lezhë, Pukë, dhe Malësinë e Madhe, për abuzime me detyrën. Sipas Kirit, shkeljet dhe abuzimet me detyrën kanë qenë në forma të ndryshme. “Kemi  larguar nga puna arkëtarë të pagesave të faturave, të cilët nuk i regjistronin ato (3 janë larguar këto ditë). Për dy prej tyre  tashmë është bërë kallëzim penal në Prokurori”, u shpreh kreu i OSSH-së. Disa shkelje të tjera kanë të bëjnë me faturimin më pak të energjisë së konsumuar nga abonentët, apo faturimi më shumë për të balancuar situatën. Ky konstatim u ka kushtuar largimin nga puna tre punonjësve të tjerë. Kiri u shpreh edhe për rastet kur konstatohet se qytetari ankues ka të drejtë. Sipas tij këto raste mund të zgjidhen vetëm në rrugë ligjore. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›