Tekste nga Italia për gjimnazistët e vitit të parë
Biologjia, Kimia, Shkenca e Tokës dhe Fizika. Këto 4 tekste të punuara nga e autorëve të huaj do të mësohen edhe nga nxënësit shqiptarë. Modelet e përzgjedhura janë nga Italia. Në shtator lëndët shkencore për vitin e parë të gjimnazist do të jenë të njëjta në të gjithë vendin. Nuk do të ketë tekste të tjerë alternative nga autorët shqiptarë. E gjithë kjo për të përmirësuar cilësinë e metodave të mësimdhënies në arsimin parauniversitar. Gjithashtu qeveria vendosi dje që të gjithë fëmijët e familjeve në nevojë t’i marrin falas librat e shkollës. Nga sa sqaron Ministria e Arsimit fillimisht projekti do të zbatohet në vitin e parë të shkollës së mesme. “Tekstet e marra nga Italia nuk do të kenë libra të tjerë konkurrentë në treg. Janë përzgjedhur tekstet e këtij shteti pasi specialistët i vlerësuan si më cilësore e më të asimilueshme”, sqarojnë specialistët e Ministrisë së Arsimit. Projekt do të ndërpresë për një vit reformën e shumëpërfolur të Altertekstit. Ministria e Arsimit pranon se teksteve të autorëve shqiptarë u mungon cilësia. Ato janë me probleme e deri dhe gabime shkencore. Nga sa bëhet me dije, ekskluzivitetin e këtyre teksteve e kanë marrë shtëpitë botuese shqiptare. Ato do të bëjnë vetëm përkthimin, ndërsa forma dhe përmbajta e librit nuk ndryshon. Këto tekste do të kenë çmime të njëjta me librat shqiptarë. Por reforma e altertekstit do të vazhdojë për të gjithë librat e tjerë shkollorë. Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave vendosi dhënien falas të teksteve shkollore të arsimit parauniversitar, për të gjithë nxënësit e familjeve me ndihmë ekonomike. Kryeministri Sali Berisha tha se ky vendim merret në kuadër të nismave dhe përpjekjeve të qeverisë për të luftuar varfërinë “Sot ne vendosim dhënien totalisht falas të teksteve shkollore për arsimin parauniversitar, për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike. Shteti qëndron në anën e fëmijëve, pasi nuk mund të lejojmë që ai qytetar që ka vështirësi të paguajë shumën e rimbursimit, ta lerë fëmijën e tij pa tekste dhe pa shkollë”, tha Berisha. Ai vlerësoi se ky hap është shumë i rëndësishëm në rrafshin njerëzor, por është një hap shumë i madh dhe i rëndësishëm edhe për arsimin, pasi nuk do të ketë më nxënës që t’u mungojnë librat në shkollë. Por ai vuri në dukje se ka defekte shumë serioze në skemën e shpërndarjes. “Në rast se ky fond nuk mjafton, qeveria është e gatshme të vendosë të tjera, por ajo nuk mund të bëjë asnjë hap përpara pa një rishqyrtim të transparencës dhe ndershmërisë së aplikimit të kësaj skeme”, tha Berisha. Ai siguroi se ka të dhëna shumë të qarta se kjo ndihmë shpërndahet nga këshillat komunal e bashkiak me një farë parazitizmi”. Kjo vjen tërësisht nga koncepti dhe mentaliteti socialist, sepse në atë periudhë kur shqiptarët ndanin varfërinë, mendohej se pothuajse të gjithë ishin njësoj dhe meritonin njësoj. Ky koncept duhet të zhduket”, tha Kryeministri.
Tekstet
Biologjia
Kimia
Shkenca e Tokës
Fizika