Semani mbytet nga nafta e sera në prag të sezonit
FIER/ MAJLINDA RAMA
Mijëra tonë hidrokarbure kanë pushtuar bregdetin e Semanit në këtë prag sezoni turistik. Më shumë se 13 kilometra janë nën presionin e ndotjes, si sera e mbetje të tjera hidrokarburesh apo dhe kafshë të ngordhura si pasojë e tyre. Alarmin e ka dhënë i pari kreu i komunës Topojë, Sotir Zarka. “Jemi të zënë në grackë nga ky masiv ndotjeje që na ka pushtuar në këtë fillim sezoni të plazhit. Që nga plazhi i Pishporos, Darëzezës, Semanit e deri në Divjakë nafta dhe hidrokarbure të tjera janë bërë gangrenë. I kemi kërkuar kompanisë së naftës “Albpertrol” që të marrë masa sidomos tani kur edhe pushuesit kanë nisur të frekuentojnë këtë zonë bregdetare”. Zarka pohon se disa herë është bërë gati që në emër të komunës të padisë në gjyq kompaninë e naftës, por menjëherë nga ana e saj janë bërë riparime të vogla. “Do të hedh Albpetrolin në gjyq si shkaktarin kryesor të kësaj ndotjeje. Nuk mund të lejojmë që të na gënjejnë me thërrime. Kur unë deklaroj se do të ndërmarr një proces gjyqësor, ata na kushtojnë pak vëmendje. Por kjo çështje kërkon shumë, pasi edhe derdhjet janë të përditshme dhe aktualisht këtu është krijuar një katastrofë, aq sa rrezikojmë largimin e turistëve”, ka theksuar Zarka. Në fakt, ndotja këtu zë fill qysh me shirat e fundit, të cilat të ndihmuara nga dalja e lumit Gjanica bën që një sasi e madhe e hidrokarbureve të mbushin bregdetin e Semanit. Për pasojë rrezikohet jo vetëm braktisjen e plazhit më të madh në zonën e Myzeqesë, por ai është bërë një ndotës potencial në të gjithë gjatësinë prej 13 kilometrash të të gjithë vijës bregdetare, duke filluar nga Pish Poro e deri në Divjakë. Dikur ky plazh njihej për vlerat kurative dhe dikur shumë i preferuar nga pushuesit. Tashmë që afron stina e verës problemi i ndotjes është më i prekshëm, ku më të shqetësuar janë drejtuesit e pushtetit vendor të cilët si çdo vit interesohen për një sezon të mbarë. Sot, në këtë zonë të sheh syri gjithandej mbeturina të cilat jo vetëm që krijojnë problem për pamjen e rëndë, por ajo që është më kryesore shtojnë rrezikun e infeksioneve. Aty veç mbetjeve karbure ka kafshë të ngordhura si dhe serë, e cila qëndron mbi rërë. Të gjitha këto sipas komunarëve vijnë edhe nga vërshimet e lumenjve të zonave naftëmbajtëse të Roskovecit që derdhen në lumin e Hoxharës dhe shkojnë drejt detit Adriatik. Në kushtet e krijuara askush nuk i afrohet bregut të detit pasi vatrat e serës që janë formuar të pengojnë. Ndërkaq përball këtij fenomeni nuk heshtin as investitorët të cilët gjatë verës janë në gatishmëri të plotës të pushuesve. “Kemi krijuar ambiente komode dhe relaksuese për pushuesit, por duket se këtë vit nuk do të ketë asnjë të tillë. Ndotja është shumë e madhe dhe kemi frikë se mos nuk afrohet njeri në këtë ambient ku shikohet qartë se në çfarë gjendje është ky bregdet. Ne do të presim që situata të rregullohet, në të kundërt do të ndalim investimin, pasi nuk po ia dalim me taksat”, shprehet Fatmir Rasa. Përveçse kaq të gjithë i drejtojnë shigjetat nga kompania Albpetrol, por edhe Ministria e Turizmit dhe ajo e Mjedisit.