E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimi i Kushtetutes Majko E nisim me heqjen e imunitetit

Pandeli Majko, ish kryeministër i Partisë Socialiste thotë se një pikë ku maxhoranca dhe opozita mund të bien dakord për ndryshimet kushtetuese, është kufizimi i imunitetit, por sipas tij kjo çështje nuk mund të zgjidhet me konferenca shtypi, për me uljen në tryezë të ekspertëve të dy partive.

“Edhe faktori ndërkombëtar, por edhe Partia Demokratike në një mënyrë të caktuar edhe PS kanë diskutuar çështjen e imunitetit të deputetëve, një çështje e cila kërkon ndryshime të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Nuk mendoj se ndryshimet e kushtetutës duhen bërë me letra bakalli ashtu siç ndodhi herën e fundit. Kjo është një histori që nuk ka nevojë të diskutohet me konferenca shtypi. Ka njerëz të mençur qoftë në të djathtë, qoftë në të majtë të cilët po të ulen mendoj që krahas çështjes së imunitetit mund të nxjerrin disa konkluzione  të tjera që do të jenë të nevojshme”-tha Majko.

Por duket se ndryshimi i librit themeltar të shtetit, është një çështje parësore për  forcën kryesore të opozitës, pasi Pandeli Majko nuk përjashton ndjekjen e rrugës referendare nëse palët nuk bien dakord.

“Aty ku do të ketë le të themi, dallime ne kemi edhe historinë e një referendumi që pa u politizuar mund t’i ofrojë publikut një pjesëmarrje për të diskutuar një ligj, i cili është ligji themelor i shtetit shqiptar, vërtetë diskutohet dhe votohet nga politikanët, por nuk është pronë e tyre”-thekson ai.

Ndërsa ka mbajtur postin e kryeministrit në kohën e luftës së Kosovës, Pandeli Majko komenton edhe zhvillimet më te fundit atje. Sipas tij duhet parë me shqetësim politika që po ndjek Serbia në rajon duke tentuar ta konsiderojë Kosovën një konflikt të pambyllur.

“Me Bosnjën ata kanë ndjekur një politikë duke e përcaktuar atë si një shtet të paplotësuar, ndërsa me Kosovën duan ta kristalizojnë si një konflikt të pambaruar. Në thelb, e gjithë kjo duket sikur kemi një përsëritje të Paktit të Brest Litovskit. Në fakt, marrëveshja për shtetin e Kosovës, ajo për ndarjen e Ballkanit, marrëveshja për një histori të mbyllur të asaj që quhet e kufizave të brendshme të BE-së të nesërm që do të shtrihet edhe në Ballkan, nuk është një pakt i Brest Litovskit, por është një histori e mbyllur që nuk mund të rishikohet me”-u shpreh Majko.

Vendimi i qeverisë së Thacit për të kontrolluar kufijtë e Kosovës dhe vendosja e trupave të NATO-s në veri konsiderohet nga Pandeli Majko si hapi më i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›