E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangoset volejbollisti shqiptar në Athinë, iu gjetën 42 gr kokainë



ATHINË – Një tjetër personazh i njohur shqiptar bie në pranga për përdorim dhe trafik të lëndëve narkotike. Burime nga mediat greke bëjnë të ditur se është ndaluar Enea Pando, sportisti shqiptar që luan në ekipin e Panelinios, i cili është vënë në akuzë për tregtimin e lëndëve narkotike. Sipas policisë greke, sportisti 21-vjeçar u arrestua pasi në shtëpinë e tij u gjet sasia prej 42 gr kokainë e pastër dhe një peshore elektronike. Aksioni i policisë u krye në Athinë, aty ku jetonte familja Pando. Droga ishte e fshehur me kujdes në një valixhe. Në të u gjetën shenjat e gishtave të 21-vjeçarit dhe të të atit të tij, i cili në momentin e arrestimit nuk ndodhej në shtëpi. Sipas familjarëve, babai i volejbollistit ndodhej në Shqipëri. 21-vjeçari Pando u dërgua në Gjykatën e Athinës, e cila vendosi ta lërë atë në “burg pa afat”, ndërsa për babanë e tij, i cili i shpëtoi arrestimit, është lëshuar urdhërarresti. Policia e Athinës tha se hetimet për 21-vjeçarin kishin kohë që po zhvilloheshin. Ai duket se është pjesëtar i një grupi të shpërndarjes me pakicë të drogës në kryeqytetin grek të Athinës. Para pak javësh, një tjetër personazh i njohur në Shqipëri, ish-kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Zyhdi Morava, u arrestua në Itali pasi iu gjet një sasi e konsiderueshme lënde narkotike.

Vetëhelmohet nëna e dy vajzave, pak shpresa për jetën

VLORË – Një grua 30-vjeçare ka tentuar vetëhelmimin në rrethana ende të paqarta dhe tani ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ngjarja ndodhi mëngjesin e ditës së hënë në Vlorë, kur shtetasja Festime Sh. ka përfunduar në spitalin e qytetit në gjendje shumë të rëndë. Gruaja, nënë e dy vajzave adoleshente, i është nënshtruar ndërhyrjes së shpejtë mjekësore, por sipas mjekëve reagimi i saj nuk ka qenë shumë shpresëdhënës. “Ajo mbërriti shumë rëndë, thuajse pa jetë, por edhe pas ndërhyrjes gjendja vijon të jetë kritike dhe nuk mund të thuhet që është jashtë rrezikut për jetën”, - thonë mjekët, duke shtuar se ajo ndodhet në gjendje koma. Analizat e bëra kanë verifikuar se ajo ka gëlltitur fostoksinë në doza të larta. Familjarët janë shprehur të befasuar për ngjarjen dhe janë shprehur se nuk dinë të thonë asgjë rreth motiveve që mund ta kenë shtyrë gruan në vendimin e saj për t’i dhënë fund jetës. “Nuk ka pasur asnjë problem në familje”, - kanë thënë ata. Ndërkohë, policia po heton për zbardhjen e ngjarjes. Nga të dhënat e para dyshohet se gruaja mund ta ketë marrë këtë akt në kushtet e një gjendjeje të rëndë depresive. Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh i tentativave vetëflijuese të grave në zonën e Vlorës.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›