E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokaina ne stomak zbardhet linja Argjentine-Shqiperi

Dosja Trajneri i volejbollit Arjan Korça gëlltiti 41 kapsula me kokainë

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për Arjan Korçën, trajnerin e volejbollit që u arrestua më 12 tetor të këtij viti, pasi kishte gëlltitur 41 kapsula me kokainë. Arrestimi është kryer, pasi Korça gjatë ekzaminimit mjekësor të kryer në QSUT–në Tiranë, në organizmin e tij i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, e sjellë nga jashtë shtetit. Trajneri i volejbollit ankohej për probleme shëndetësore dhe konkretisht dhimbje barku.

“Pas ekzaminimit mjekësor është konstatuar nga ana e personelit se në organizmin e këtij shtetasi ndodheshin disa trupa të huaj, arsye për të cilën kishte dhe shqetësimet shëndetësore. Me ndërhyrjen mjekësore, është bërë e mundur nxjerrja jashtë organizmit e këtyre trupave të huaj, të cilat ishin të shumta në numër dhe rezultuan të jenë të mbështjella në formë cilindrike dhe të paketuara. Me datë 12.11.2010 të pandehurit i janë nxjerrë nga organizmi tridhjetë e nëntë trupa në formë cilindrike, të paketuara.

Me datë 13.11.2010 të pandehurit i janë nxjerrë nga organizmi 2 dy trupa të tjerë në formë cilindrike, të paketuara dhe të mbështjella mirë”, thuhet në dosjen e akuzës. Sipas saj, i pandehuri Arjan Korça paraqiste shqetësime shëndetësore, që nga momenti i kthimit të tij prej jashtë shtetit.

Pas sekuestrimit të sasisë së lëndës së gjetur në organizmin e të pandehurit, është kryer ekspertimi biokimik, nga i cili ka rezultuar se lënda e gjetur është kokainë, e cila klasifikohet si lëndë narkotike dhe psikotrope. “Kjo sasi lënde narkotike e gjetur në dyzet e një pako të mbështjella në formë cilindrike, është sjellë nga jashtë shtetit nga i pandehuri Arjan Korça.

Pas një udhëtimi të bërë në Argjentinë, i pandehuri ka ndaluar në Francë dhe më pas në Budapest, për të mbërritur në Shqipëri me datë 22.10.2010. Sapo ka mbërritur në Shqipëri, i pandehuri ka pritur disa kohë, duke shpresuar që pakot e mbështjella do të dilnin në mënyrë fizike nga organizmi i tij”, deklaron prokuroria në kërkesën për gjykim.

Në lidhje me këtë fakt Korça është paraqitur dhe në spital, ku është ankuar për dhimbje barku dhe probleme me jashtëqitjen. Pasi e ka parë që nuk po arrinte të nxirrte jashtë organizmit të tij lëndën narkotike që ndodhej në të, ky shtetas, në kushte të këqija shëndetësore, është paraqitur në ambientet e QSUT-së Tiranë, ku ka kërkuar ndihmën mjekësore. Pas ndërhyrjes mjekësore është nxjerrë lënda narkotike nga organizmi i të pandehurit për t’u kryer më pas veprimet e tjera. Prokuroria thotë se hetimet për këtë rast janë të plota dhe është provuar trafiku i narkotikëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›