E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni drafti i Braces ne Kryesine e PS

Nënkryetari i Grupit Parlamentar: Dokumenti synon luftë karakteriale ndaj fenomenit

“Angazhime politike parimore: Drejtësi mbi Korrupsionin” – dokumenti në fjalë, i hartuar nga numri dy i grupit parlamentar të selisë rozë, Erjon Braçe, është depozituar dy ditë më parë zyrtarisht në institucionet e kësaj partie. Lajmin e bën të ditur Braçe, i cili saktëson se drafti është shoqëruar me një kërkesë statutore drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ka tagrin për të mbledhur Kryesinë në një mbledhje të posaçme rreth këtij problemi. Ky është një hap i deputetit Braçe, i cili vjen me këtë nismë pas parashtrimit të idesë në disa mbledhje të Asamblesë Kombëtare, por edhe në Kongresin e PS-së. “E kam dorëzuar kërkesën në sekretarinë e Kryesisë së PS-së dhe tani do të duhet që të gjithë anëtarët ta kalojnë. Natyrisht jam optimist, dokumenti është i hapur dhe mund të pasurohet, por rëndësi ka që beteja e PS tanimë të jetë edhe karakteriale dhe t’i bëhet e njohur edhe publikut shqiptar”, deklaroi deputeti socialist. Ai ka sqaruar më thellë edhe synimin e draftit që e vendos gishtin mbi një situatë të rënduar në Shqipëri, ku vetëm disa kohë më parë dolën në sipërfaqe afera dhe akuza shumë të rënda për disa ministra. “Synimi i dokumentit është të formësojë një sjellje dhe betejë karakteriale e institucionale ndaj korrupsionit, duke i shpallur si angazhime veprimet e PS kundër korrupsionit skandaloz të këtyre viteve”, përkufizohet synimi i draftit. Ajo që mbetet tanimë është trajtimi në rrugë institucionale i tij dhe adoptimi qoftë edhe përmes vështrimit kritik nga ana e PS i një qëndrimi të qartë për luftën ndaj korrupsionit. E vendosur në një plan më të gjerë, dokumenti priret të përkufizohet si një platformë e cila rivalizon angazhimet publike të Partisë Demokratike, e cila edhe pse erdhi në pushtet me kauzën e antikorrupsionit, aktualisht gjendet nën morsën e kësaj dukurie për të cilën ka kontribute të qenësishme në Shqipëri. Për këtë arsye ai ka koherencë politike, pse i përgjigjet një nevoje programore të PS-së, por edhe një apeli të vazhdueshëm të komuniteti ndërkombëtar për rritje të luftës ndaj korrupsionit. I parë teknikisht, drafti sugjeron marrje masash të gjithanshme, që nuk ndalen vetëm në ndëshkimin e atyre që abuzojnë, por edhe në parandalimin e dukurisë, kufizimin e hapësirës për të vepruar sikundër edhe në rregullime ligjore që synojnë një efektivitet më të madh të institucioneve. Nga funksionimi i tregut dhe garantimi i konkurrencës e deri te masat për trajtimin e qartë të problemeve të pronësisë, dokumenti shpaloset si përfshirës i një sërë problemesh që shqetësojnë sot shoqërinë shqiptare, duke u bërë përçuese të raportit mes saj dhe institucioneve. Por drafti vjen edhe në një vështrim tjetër që lidhet me nismat e fundit të PS-së. Kështu rezoluta bashkëngjitur mocionit me debat që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë ka një frymë që përcaktohet pro reformave në vend, por i kërkon ato si pjesë të vendimmarrjes së përbashkët me Partinë Demokratike. Në këtë sens, rezoluta, e cila përfshin edhe probleme që janë pjesë thelbësore e dokumentit të anëtarit të Kryesisë socialiste, kërkon nisjen e reformave të përbashkëta, nëse paraprakisht shumica jep dakordësinë për hetimin e zgjedhjeve. Përkundrazi, dokumenti i depozituar së fundmi në selinë rozë parashtron nevojën e adoptimit të tij si pjesë programore për t’u zbatuar nesër në qeverisjen e vendit. Ky është një dallim jo vetëm formal, pse përcjell një frymë ndryshe nga konsensusi me kusht që i ofrohet Sali Berishës, largimin e të cilit disa segmente në PS ndoshta e përfshijnë në llogari të brendshme politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›